Gazetaria radioaktive e pushtetit
Shqiptarja.com publikon sot, ose dje(çfarë rëndësie ka tashmë?) një shkrim të njohur, por që është edhe një shkrim i ri. Shkrimi është i njohur sepse flet për pasurinë e Sali Berishës dhe Ilir Metës, familjarëve të tyre. Është i ri sepse tekstualisht ka marrë ekzistencë këto orë. Konteksti dihet: këta bëjnë protestë për varfërinë, por vetë janë të krimbur në lekë. Dakord, e dimë. Është e vërtetë një gjë e tillë.
Problemi që cekim është tjetër: kujt i drejtohet ky shkrim? Të cilin e ka marrë edhe “Tema”, që është pranë qeverisë. Lexuesit e këtyre mediave teorikisht dhe praktikisht janë socialistë në shumicë dërrmuese, gazetarë që duan të shohin “ça bëhet”, politika që lexon dhe dekodon ndonjë mesazh dhe administrata me gjykata. Cilët po informon z. Bollino me këtë që shkruan? Dhe cilët po përpunon si opinion pasi socialistëve thuaju çfarë të duash, ata kanë në zemër partinë. Edhe sikur kryetari i tyre të kapet duke bërë të pabërën në mes të ditës.
Të tjerët nuk preken shumë nga “bomba” të tilla që i ngjajnë alarmit ajror më 1988, kur në fakt urohej që ndonjë bombë edhe mbase binte. Në Shqipëri opinioni që është lexues i rregullt i këtyre mediave nuk duket se ka interes për të vërtetën, por si të interpretojë ato që publikohen sipas kuadrit politik ku aderon. P.sh dikujt që i është mbushur mendja se për çdo gjë fajin e ka Berisha, nuk ka argument dhe fakt që ta relativizojë përgjegjësinë e z. Berisha për paudhësitë që ka bërë.
Është një opinion llogoresh, jo emocionesh, por llogoresh që tashmë janë të interesit, i cili nuk komunikon fare kur vjen puna te kjo pikë.
Në këtë kuadër na mbetet të mendojmë se përveç se supë e ngrohtë për kënetën socialiste që e do patjetër atë çdo ditë, se ndoshta mendon se ka ndonjë Pazar që ajo se kupton, shkrime të tilla i drejtohen edhe qeverisë vetë. Të cilës i thonë: ja e bëra. E sheh? Dhe kështu, share njëri, e share tjetri, like e koment, zhurma e "gazetarisë investigative" shndërrohet në zhurmën e Fugës dhe bëhet fakt komunikativ i përditshëm.
Kjo nuk është gazetari. Kjo nuk është as propagandë. Ky është një ekspozim radioaktiv i një shoqërie të tërë së cilës po ia ngushtojnë horizontin e të kuptuarit brenda perimetrit të interesit të një klike. Përmes zhurmës industriale, litanisë së mediave të këtilla, katekizmit malinj të një kryeministri që ka uzurpuar hapësirën dhe institucionet dhe investimit mbi injorancën tonë karakteriale.
Mirë ua bën ky këtyre pedagogëve se vjedhin – ja p.sh një koment që e merr në mjedise publike. Dakord, mirë ua bën. Por Ky që ua bëka mirë pse nuk e pastron sistemin nga probleme të tilla? Ose pse nuk përpiqet? Diskutimi mund të vazhdojë pa ndalim në në përleshje pa kuptim dhe pa asnjë drejtim, e cila në fund të jep të kuptosh pse duhen media të tilla, pse evolucioni i tyre dhe analistëve të ndryshëm erdhi natyrshëm në këtë pikë.
Komentuesit e rrugës, që të “argumentojnë” rrugëve diku duhet të mësojnë, të vjedhin argumentin dhe të paraqiten “vullnetarisht” apo instinktivisht si militantë të kauzës qytetare, sapo dita të zbardhë. Jo se nga krahu tjetër punët janë mirë. Por kontaminimi me një gënjeshtër të paketuar ashtu siç e do shqiptari, është ku e ku më i rrezikshëm dhe ngjitës sesa çdo manovër e krahut tjetër. Në fund shkrimi presupozohet se ka të dhëna për vepra penale. Asgjë nuk ndodh, si zakonisht.
s.zaimi
Add new comment