Të gjithë burrat e Cicciolina-s
Botën e pornos dhe politikën, në Itali i lidh një emër i vetëm: Cicciolina. Kapërcimin e madh nga filmat me drita të kuqe, te buzëkuqi i ndezur në parlamentin italian e bëri në 1987, kur u zgjodh me 20 mijë vota deputete e Partisë Radikale. E lindur në Budapest në 1961, si Ilona Staller, në Itali ajo arriti të bënte modelen, aktoren, prezantuesen e radios, këngëtaren, yllin e pornos, politikanen, piktoren, shahisten. Në një intervistë për Corriere, Cicciolina flet për burrat (dhe gratë) e jetës së saj dhe politikën.
László Staller, babai biologjik
Babai na la kur isha tre vjeç. Kur isha adoleshente, nëna ime më çoi në shtëpinë e tij, ku jetonte me një familje tjetër, që të firmoste letrat, sepse duhej të shkoja në Jugosllavi. “A nuk po e përqafon? Ajo është vajza jote”, e qortoi ajo. Ai nuk lëvizi. Që atëherë nuk e kam parë.
Salvatore, burri i parë
Ishte me origjinë kalabreze, i punësuar në një agjenci udhëtimesh. E takova në Budapest në “Continental”, ku punoja si kamariere. Unë isha njëzet, ai njëzet e pesë vjet më i madh se unë. Para dasmës ndryshova mendje dhe e hodha unazën në borë, por njerku më detyroi të martohesha me të gjithsesi, përndryshe do të ishte turp. Prifti tha: "Kjo është nusja më e trishtuar që kam parë". Shkova të jetoja me të në Milano, afër Stacionit Qendror, në një dhomë konvikti ku nuk kishe as ku të bëje dush. Ne hanim makarona çdo ditë, sepse nuk kishim mundësi të blinim mish. Kështu fillova të punoja si modele: me librin nën krah dhe një hartë në dorë shkova të bëja audicionet. Pas një viti i thashë se doja të divorcohesha. Mirë tha, përderisa ti e paguan avokatin. Fatmirësisht nuk isha ende e famshme, përndryshe do të më duhej ta mbaja.
Riccardo Schicchi
Para tij ishte Andrea, një playboy me Jaguar ngjyrë vishnje që e kisha takuar në Romë kur u shpërngula. Doja një fëmijë prej tij, por ai më tradhtoi me shoqen time më të mirë. Ai u bë shkak që të nisja një flirt me Umberto Orsinin, i cili ishte i mirë në seks. Por ishte thjesht një flirt, sepse isha ende e dashuruar.
Tani do flasim vërtet për Schicchin, menaxherin dhe partnerin
Kemi qenë bashkë nga viti 1974 deri në vitin 1988, por ai nuk donte që unë ta tregoja këtë për të mos i zhgënjyer fansat. Ai më kishte lënë gjashtë mesazhe zanore, duke më dhënë numrin e tij, por unë nuk e mora mbrapsht. Më pas, një mbrëmje, ndërsa po shëtisja qenin, e gjeta para shtëpisë time. Bëmë një copë rrugë bashkë. Më çoi te drejtori i Playmen, Luciano Oppo, me të cilin më vonë bëra tetë kopertina. Prej andej filluan të vinin shumë oferta pune, bleva një papafingo në Cassia, atë ku jetoj ende tani, dhe ai bleu një super-papafingo, të cilën më pas e bleva unë. Para se të vdiste i shkova në spital. E pyeta nëse do m’i kthente fotot e mia. Ma ktheu duke bërtitur: Ti do vdesësh para meje. Iu përgjigja: Më vjen keq Riccardo. Kësaj here e ke gabim.
Jeff Koons
Sapo e pashë, thashë: “Me këtë do të bëj një fëmijë”. Dhe e bëra. Lindi Ludvig, më 29 tetor 1992. Është artist, si i ati. Koons më shkatërroi financiarisht. Kur e lashë, isha ende e dashuruar me të. Ai më bëri gjëra të tmerrshme, ishte një marrëdhënie katastrofike. Një herë në Mynih në mes të dimrit, plot me borë, më mbylli jashtë në tarracë. Isha shtatzënë.
Ludvig, i biri
Famën time prej pornodive e mësoi në shkollë, nga shokët e klasës, që i tregonin video. U përpoqa të mos i tregoja. I thashë se kisha qenë një lloj modeleje... Fundja, edhe nëna ime e mori vesh se kisha qenë yll i pornos vetëm pasi më zgjodhën në Parlament dhe gazetat hungareze shkruanin pa pushim për mua. Ai është djalë i dashur dhe i pashëm. Ka sytë e mi. Më vjen keq për marrëdhënien që ka me të atin.
Moana Pozzi
Kemi punuar shumë bashkë, kemi bërë seks pa fund dhe i kemi thënë njëra-tjetrës gjërat tona. Në Amerikë shkuam në Hollivud për të parë Walk of Fame. Kur vdiq, mamaja e saj më ftoi në shtëpi dhe më kërkoi të zgjidhja një veshje. Mora një palë çizme, edhe pse jam 37 dhe ajo ishte 42. Ajo ishte super e zgjuar. Kur asaj i jepej një skenar, mjaftonte ta lexonte vetëm një herë për ta mbajtur mend përmendsh.
Politika dhe kafshët
Politikën e mora seriozisht dhe propozova disa projektligje. Fjalimin tim kundër dhunës ndaj grave, Nilde Iotti e duartrokiti. Andreotti, nga ana tjetër, më sugjeroi që të shpenzoja më shumë para për rroba, për t'u mbuluar... Schicchi e dinte që unë nuk merrja vesh nga ligjet, kështu që ai kërkoi një avokat për të më ndihmuar. Kam luftuar për të krijuar parqe dashurie, për t’ua mundësuar atë të burgosurve, për të mësuar edukatën seksuale në shkollë, për të vendosur taksën ekologjike për makinat, për të shfuqizuar ligjin Merlin, për të ndaluar testimet me kafshë. Kam qenë këmbëngulëse. Gjithmonë i kam dashur kafshët dhe kam pasur shumë të tilla. Një boa dhe disa pitonë: njëri quhej Pito Pito, tjetri Tinta, për nder të Brass.
Udhëtimi i fundit
Ndoshta shkoj në parajsë, sepse seksi nuk është mëkat, është i bukur, të kënaq. Unë e dua demokracinë dhe lirinë, jam pacifiste. Jam si John Lennon. Madje, meqë jemi në këtë krahasim, kam marrë edhe një pako bombë kur kam qenë deputete! Shpëtova mrekullisht.
Pengje për jetën?
Do të kisha ndryshuar diçka. Megjithatë, mirë është, kur kthej kokën pas. Kur ndodhi revolta hungareze, unë isha pesë vjeç dhe më kujtohen tanket. Nuk e kuptova atëherë. Më vonë po. Dhe komuniste nuk mund të bëhem kurrë.
Add new comment