Britani/ Shkurtohen fondet për vendet e varfra, shtohen shpenzimet ushtarake
Vendimi i qeverisë britanike për të reduktuar ndihmën për vendet e varfra ka hasur në kundërshtime si brenda edhe jashtë vendit. Qeveria e Boris Johnson vendosi të reduktojë me 0.2% të PBB buxhetin vjetor të ndihmës. Ky i fundit ishte fiksuar në 0.7% të PBB që prej vitit 2015 dhe do të ulet në 0.5% për një periudhë të pacaktuar. Diferenca në përqindje është plot 4 milionë paund.
OJQ britanike "Global Justice Now" tha se deputetët që votuan pro shkurtimeve në vendet më të varfra “i kanë duart me gjak” sepse kjo ulje e ndihmës do t’u kushtojë jetën qindra e mijëra njerëzve.
Ulja e kësaj ndihme, që shkon paralel me rritjen e shpenzimeve ushtarake, ka sjellë edhe reagimin e kishës katolike dhe anglikane, 180 OJQ-ve dhe ish-kryeministrave britanikë Theresa May, David Cameron, Gordon Brown, Tony Blair dhe John Major, raporton Avvenire.
Vendimi i Johnson po shihet masivisht si shkelje e angazhimit të marrë në manifestin zgjedhor dhe një hap që dobëson imazhin ndërkombëtar të Britanisë së Madhe, që lideri i konservatorëve synonte ta forconte me Brexit.
"Kjo është një zgjedhje e gabuar moralisht dhe politikisht e padrejtë që mban shenjën e një Anglie të vogël dhe jo të një Britanie të Madhe", tha ish-kryeministri John Major.
Shkurtimet në ndihmën ndaj vendeve të varfra u kundërshtuan nga laburistët, liberal demokratët dhe nacionalistët skocezë, por edhe nga 25 deputetë konservatorë që nuk iu bindën Johnson-it.
Para këtij shkurtimi, Britania renditej e dyta pas Gjermanisë ndër vendet e G7-s për kontributin më të madh.
Fondi britanik mbështet qindra projekte të ndryshme në të gjithë botën. Shifrat e qeverisë britanike për vitin 2019, të cilave u referohet BBC, tregojnë se Pakistani ishte përfituesi kryesor i ndihmës, i ndjekur nga Etiopia, Afganistani, Jemeni, Nigeria, Bangladeshi dhe Siria.
“Zhvendosja” e fondeve nga ndihma për vendet e varfra te shpenzimet ushtarake nuk është e rastit. Gjatë vitit të kaluar, në rang botëror, pavarësisht pandemisë, shpenzimet ushtarake u rritën me 51 miliardë dollarë, një shifër gjashtë herë e gjysmë më e lartë se fondi i përgjithshëm i kërkuar nga Kombet e Bashkuara për të luftuar urinë në rritje në të gjithë botën. Konfliktet e vazhdueshme çuan gjithashtu në një rekord prej 48 milionë personash të zhvendosur brenda vendeve të tyre në fund të vitit 2020.
Add new comment