Sfidë rivalëve, Huawei lançon sistemin e vet operativ
Huawei ka lançuar sistemin e vet operativ, Harmony OS. Ky sistem do të bëjë të mundur lidhjen e smartfonëve me pajisje si makinat, orët smart, laptopët dhe pajisjet shtëpiake.
Harmony OS do të nisë funksionimin në disa modele të Huaweit që nga dita e sotme, ndërsa pritet kalimi i përdoruesve nga sistemi i Google-it, Android, drejt tij.
Sipas Wang Chenglu, president i departamentit të konsumatorëve në Huawei, i cituar nga Sputnik, kompania synon që sistemi i ri të përdoret në 200 milionë pajisje të shitura prej saj dhe 100 milionë pajisje që nuk mbajnë markën e saj, deri në fund të këtij viti.
Gjiganti kinez i teknologjisë është vënë nën presion qëkur SHBA nën presidencën e Trump-it e futi në listën e zezë për shkak të dyshimeve se mund të kthehej në kërcënim për sigurinë. Huawei i ka hedhur poshtë këto insinuata, por ndërkohë kjo përplasje më SHBA i ka kushtuar rënien nga vendi i parë në të gjashtin, në listën e prodhuesve më të mëdhenj të smartfonëve.
Add new comment