Kriminelët dhe trafikantët i duam, terroristët Jo

Postuar në 03 Nëntor, 2020 20:09
Skerdilajd Zaimi

 

Atentati i Vjenës ka nxjerrë në pah se një ndër autorët është shqiptar me origjinë. Ky është një fakt që ka vënë në siklet elitën politike-mediatike në Tiranë e më gjerë, që nuk dihet për cilën arsye kanë rendur të sqarojnë një pozicion të shqiptarëve në raport me këtë situatë.

Është apo jo shqiptar atentatori? Ai është me origjinë shqiptare për disa, nuk bën pjesë në narrativën e shqiptarëve. Disa të tjerë thonë se nuk ka pse ta konsiderojmë si turp kombëtar këtë ngjarje, duke mos sqaruar megjithatë se ku u pa se dikush pati turp nga ajo që ngjau në Vjenë. Nuk është për t’u çuditur që të kemi edhe ndonjë të ashtuquajtur debat në studio me gazetarë të kronikës, profesionistë të thashethemit dhe shumëpërdorimësh malinjë të cilët flasin e gjullurdisin për terrorizimin dhe aksionet që priten.

Vështirë të imagjinohet një rol më i pështirë sesa ky i një pjese të medias kur vjen puna për trajtimin e temave të nxehta, pse jo vetëm ka paaftësi flagrante për të sjellë në vëmendje me profesionalizëm çështje si kjo, por aty manifestohet më së qarti i gjithë frustrimi ynë si shoqëri.

Për ta kuptuar këtë mund të sjellim si shembull mënyrën sesi llagëmi mediatik trajton lajmet e shumta me burim kriminalitetin shqiptar në botë. Për këtë kata-komb tasteriash dhe myku trunor, krimineli shqiptar, trafikanti më ordiner, mjafton për të qenë shqiptar që të jetë Kapo, që të trajtohet si një lloj heroi që ka bërë namin dhe ka çuditur të gjitha policitë e botës.

Ky venerim është mënyra sesi media shqiptare flirton me krimin, sesi gazetarë të saj lëpijnë jargët e admirimit të krimit sikurse shoqëria jonë sheh një të vërtetë për të cilën ka rënë dakord. Krimineli ka kartëvizitë të lirë në Shqipëri, sepse ai përfaqëson mënyrën e vetme me të cilën shqiptarët mendojnë se u afirmuan me sukses në Perëndim. Nuk dihet se pse integrimi ynë në Perëndim, suksesi ynë andej shikohet si një lloj zotimi ndaj historisë, si një shpagim për rreckamanërinë tonë gjysmëshekullore. Kriminaliteti nuk e konteston sistemin, ai thjesht e shfyrtëzon atë, ndaj edhe media shqiptare pikas aty një shans për të prodhuar skenarin e vet kinematografiko-gazetaresk. Terroristi përkundrazi e vë në pikëpyetje sistemin dhe këtu gazetari shqiptar – që dallon që tutje që është perëndimor – nuk të fal.

Ai të bën të zezën, të nxin e të nxin sepse një maskara shqiptar po përpiqet të shqyejë teshat perëndimore që kemi veshur tash 30 vjet, edhe pse ca me të lypur, ca me të vjedhur, përherë duke iu fshehur identitetit tonë. I keni parë sesi të ashtuquajturit gazetarë lumturohen në fotografi me ambasadorë të huaj prej nga ku mesa duket marrin çertifikatat virtuale të profesionalizmit, që në fakt nuk janë asgjë më shumë sesa begenisje diplomatike për qëllime që duken që larg. Ndaj ta kuptojmë drejt vendimmarrjen e elitës gazetareske: ajo ia jep menjëeherë pasaportizimin një krimineli, mjaft që të jetë i zoti. Një terroristi Jo. Radikalja është diçka që nuk përtypet mirë në këto anë ku kanë sukses vetëm parimet menaxheriale të kopshtit zoologjik.

Comments

Submitted by Aqif (not verified) on

Terroristi nuk eshte shqiptar, packa se origjinen e ka te tille dhe aq me teper prinderit e tij kane lindur ne Maqedonine e Veriut.
Ai eshte austriak, lindur, rritur dhe edukuar aty.
Mediat Austriake dhe shteti Austriak duhet te gjejne gjenezen e ketij kanceri ne shoqerine multietnike te tyre.
Te mos kopjojne mediat dhd politikanet francez qe, brezin d trete dhe td katert te arabeve te lindur ne France, i quajne separatiste dhe i segregojne per qellime politike dhe avantazhi.
Kete lloj terrorizmi, plage njerezore do t'a quaja " terrorizem vehabist". Mundesisht, te gjithe literaturen pseudoislame te shtypur dhe botuar ne Arabine Saudite duhet qe t'a eleminojne nga raftet dhe librarite e xhamive. Kjo murtaje eshte aq e keqe per mbare boten sa eshte edhe per islamin.

Ne rast se shume shtete ua heqin shtetesine terroristeve, (perfishire ketu Austria) keta palacot tane nuk kane se perse imponojne nder shqiptar nje maskara shpirtzi qe nuk ka lidhje aspak me Shqiperine.

Submitted by Anonymous (not verified) on

Ai nuk eshte as austriak, as shqiptar, as kinez, sepse asnjeri e ka afruar, te gjithe e kane larguar! Te vetmit qe e afruan ate ishin imamet radikale myslimane, nje pjese e te cilve punojne per sherbimet e fshehta te vendeve te ndryshme. Nese ate do ta afronte shteti austriak e ti jepte shkolle e pune, dhe mos ta nenvleftesonte dhe percmonte, ai mund te ishte duke u tallur tani me ata imame dhe radikale qe i ndenjen prane!

Submitted by Andreas (not verified) on

Nuk ka kurfare rendesie se çfare ishte ai! Edhe pse, perkasise identitetit se dikujt, ne shqiperi i aplikohen formula te ndryshme, sipas rastit dhe leverdise patirotike. P.sh. kur del ne skene ndonje figure e spikatur ne ndonje fare fushe, ne muzike, ne aktrim, ne sport, ne shkence, shqiptaret e zberthejne deri ne 14 breza per ta nxjerre shqiptar. Si p.sh. Xhon Belushi, Eliza Dushku... e deri tek ai qe "shpiku" viagren!! Pavaresisht se sa ja ndjejne shqiptarise vete keta. Kur dikush i lindur ne shqiperi ndihet dhe deklarohet grek, formula e perkatesise per shqiptaret, mer automatikisht forme tjeter dhe synohet me çdo lloj argumenti pavertetesia e faktit. Prandaj, se çfare mendojne ne rastin ne fjale shqiptaret per islamistin e Vjenes dhe çfare forme mer formula e perkatesise per te, perveç masturbimit mendor nativ alla-shqiptarçe, nuk ka asnje vlere tjeter. Fakti eshte qe te gjitha agjensite e lajmeve austriake, gjermane, greke, italiane, spanjolle, nuk e kane lene pa theksuar se "terroristi ishte me prejardhje shqiptare"! Dhe e pare kjo ngjarje me ate te lavdishmen e pak diteve me pare, te flamurit turk te kryeministrit dhe Dritan Hilles mbi fasaden e universitetit, eshte nje "xing" ne disfavor te shqiperise dhe shqiptareve. Ne shqiperi çudirat zgjasin 3 dite, po jashte saj kjo formule nuk vlen.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.