Mediat greke: Franca dislokon me detyrë luftarake në Mesdheun Lindor aeroplanmbajtësen "Charles de Gaulle"
Mediat greke raportojnë se Franca ka nisur dislokimin ushtarak në Mesdheun Lindor, të cilin e interpretojnë si përgjigje ndaj sjelljes dhe kërcënimeve të Turqisë.
Sipas këtyre raportimeve, aeroplanmbajtësja Charles De Gaulle pritet të niset këto ditë nga porti i Tulonit e shoqëruar nga një numër i panjohur anijesh ushtarake dhe nëndetësesh të flotës franceze. Ajo do të jetë në detyrë luftarake dhe e armatosur në kapacitet të plotë.
Lëvizjet në këtë drejtim pasojnë deklaratat e presidentit të Francës, Emmanuel Macron sipas të cilit “Turqia kupton vetëm veprimet”.
Së fundmi Franca ka marrë qëndrim të fortë dhe aktiv kundër Turqisë, e cila po kërkon të mbrojë ato që i quan të drejta të vetat në Egje dhe më gjerë. Macron ka marrë formalisht edhe miratimin e kancelares gjermane, Angela Merkel e cila deklaroi se “BE ka detyrim ta mbështesë Greqinë”.
Mirëpo këtu shihet se nga BE-ja po aktivizohet në terren vetëm Franca, e cila në fakt as nuk po pretendon të flasë në emër të unionit.
Add new comment