Çfarë halli ka Fan Noli i Facebook-ut?
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama është shfaqur sot i irrituar në mënyrë ekstreme me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës për të thirrur presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi në intervistim për akuzën e 100 vrasjeve. Në një fjalë që ka zgjatur 54 minuta, z. Rama ka bërë gjyqtarin e Gjykatës, e njoftimit të saj duke folur për anën e drejtë dhe të gabuar të historisë.
Dakord, shumë dakord i kuptoj deklaratat, mbështetjen për drejtësinë etj.. Po ky teksti dje ça ishte ky? Në cilin anal të drejtësisë hyn kjo kategori e këtij njoftimi kështu si e papritur? Dhe ajo gjuhë… Nuk flitet aty as për të prezumuar, por për dy mostra që u ka ardhur fundi…Fund të cilin për fat të keq disa gati sa nuk janë gati ta festojnë, mes shqiptarësh duke mos kuptuar që këtu nuk është fjala as për Kadri, as për Hashim.
…Siç ndodh për fat të keq me revizionimin e historisë, ku harrohet dhimbja e plagëve, ku harrohen edhe kufomat edhe kur fillon deformimi i vizionit të botës mbi vetveten.
Negacionistë sot ka më shumë sesa kishte dje për fat të keq. Shpresoj që kjo mos ardhtë kurrë. Nuk dua të hyj në asnjë teori konspiracioni, por një gjë më bën përshtypje që kanë kaluar 20 vjet dhe nuk u gjet një provë. Një.
Se po të marrësh gjithë ato fashikuj mund të nda dalë që ka më shumë viktima nga dora e atyre që u ngritën për të çliruar sesa nga dora e atyre që u ngritën për të spastruar etnikisht një popull.
Në praktikën ndërkombëtare kjo është e pashembullt dhe kjo është përgjigja që kam marrë nga disa vendas dhe të huaj që i kam pyetur për tekstin e djeshëm. Flas për ekspertë të nivelit të lartë ndërkombëtar…Asnjë nuk më tha që ka ndonjë praktikë drejtësie ndërkombëtare që mund ta integrojë tekstin e djeshëm.
tha Rama.
Ndoshta z. Rama i është dukur vetja si Fan Nolin në Lidhjen e Kombeve, kaq të fortë e kishte aktrimin emocional që në fakt zbulon një hall, një llogari politike të prishur, sesa një indinjatë për fatin e Hashimit dhe padrejtësinë ndaj luftës së UÇK-së. Çfarë halli ka kryeministri i Shqipërisë? Mos vallë po bën thirrje për reformë në Gjykatën e Hagës? A përfaqëson ky qëndrim publik, qëndrimin që duhet të mbajë Republika e Shqipërisë, apo ai është qëndrimi i një njeriu të përfshirë në mënyrë të pasqaruar në diskutime informale për të ardhmen e Kosovës? Mos vallë z. Rama po do të na bindë se ka parë edhe dëshminë e penalitetit të Presidentit të Kosovës?
Republika e Shqipërisë nuk mund të paragjykojë procedurën e një gjykate ndërkombëtare, pasi çfarë do të mbetet nëse Hashim Thaçi gjendet fajtor? Trashëgimia e luftës, trashëgimia e çdo lufte ka anët e errëta dhe të mira, kjo është ligjësi e përgjithshme. Por siç po shihet z. Rama gjendet në mes të një furtune diplomatike që përball aktorë të tjerë dhe ku ai dhe Thaçi kanë një rol minor, por kyç, që po minohet dhe që prodhon kosto për kumbarët e tyre gjetkë. Kjo është arsyeja e stresit. Kryeministri shqiptar ka humbur qetësinë, çuditërisht. Ose po do të shfaqet i tillë, por nëse ky është një proces historik që ngre gjykime mbi një luftë dhe një përballje, atëherë z. Rama do të duhet të ishte koherent me ato që ka thënë për një tjetër ngjarje dhe njeri pak kohë më parë.
Mjaft kemi arsyetuar dhe gjykuar në mungesë. Këtu janë eshtrat e një burri të gjykuar e të dënuar në mungesë. Jo nga një gjykatë, por nga gjyqi i pafundëm rraskapitës i historisë së shkruar nga fitimtarët për të poshtëruar të mundurit
Mjaft kemi trilluar e kemi shpifur pa arsyetuar dhe pa gjykuar në ndershmëri dhe në ndërgjegje.
Mjaft me përdorimin dhe shpërdorimin e atyre që nuk janë më, duke u vënë në gojë ç’nuk kurrë nuk kanë thënë dhe madje ç’nuk kurrë as mund të kenë menduar për t’i lëshuar pastaj si flakadanë të përçarjes
Këto thoshte z. Rama me rastin e rivarrimit të Mit’hat Frashërit, duke na bërë moral dylekësh ndërkohë që figura e Frashërit nuk është sqaruar mirë historikisht dhe ende sot, ndan një pjesë të shoqërisë, më shumë sesa bashkon. Por çështja është se politika nuk mund të japë verdiktin final siç pretendon z. Rama. As në këtë rast, as në atë të Hashim Thaçit. Në fund të fundit gjyqi po bëhet në Europë, në atë Europë që Edi Rama na e përplas në fytyrë si alibi dhe garanci të së mirës sa herë i duhet. Le të përballet edhe Hashimi me drejtësinë, sepse po I ndodh në platenë me standardet më të larta. Pak shqiptarë e kanë këtë fat. Shumica prej nesh jemi të detyruar të durojmë qeverisjen e Thaçit dhe Ramës dhe drejtësinë e miqve dhe klientëve të tyre. Dhe e dimë shumë mirë që ajo është nga ato barra që vështirë se durohen në jetë.
Nëse Thaçi është i pafajshëm, atëherë Europa patjetër që do ta shpallë të tillë. Çdo diskutim mbi vendimet e Hagës do të vinte në diskutim reformat në vendin tonë dhe të gjithë ligjërimin për Europën, por tashmë jo për faj të kësaj të fundit, por për interes të 4-5 njerëzve në botën shqiptare që tashmë është konfirmuar se kanë dhënë dakordësinë edhe për shkëmbim territori.
s.zaimi
Add new comment