A do të funksionojë strategjia fabiane e z. Rama?
Më 16 shkurt kryeministri Edi Rama me të vetët zgjodhi një strategji: largimin personal nga Tirana dhe shmangien e kundërvënies së policisë ndaj protestuesve. Në këtë mënyrë zoti Rama mund të jepte shfaqjen e vet nga Vlora në konkurencë me protestën e opozitës, ndërkohë që në distancë nga ngjarja mund të merrte vendimet më ftohtë. Përmes Policisë ai bënte thirrje dhe kujtonte se po shkelej ligji, por në fakt nuk dha asnjëherë urdhër për ndërhyrje. Spartak Ngjela tha se ky ishte plan i FBI-së, duke na falur kështu mundësinë që të qeshim sa të duam kur të kemi kohë.
Për protestën e nesërme, pra të 21 shkurtit, kryeministri ka adoptuar të njëjtën lëvizje: ka anulluar seancën plenare duke asgjësuar objektivin eventual të protestuesve.
Të dyja lëvizjet ngjajnë si elementë të asaj që mund të quhet si Strategjia Fabiane e z. Rama. Koncepti ka lindur herët, gjatë Luftës së Dytë Punike, kur Hanibal Barka invadoi Italinë dhe vuri në pikëpyetje ekzistencën e Romës. Pas dy betejave përcaktuese që ishin në fakt masakra, në Trebia dhe liqenin e Trasimenës, romakët reaguan shpejt duke caktuar Diktator Quintus Fabius Maximus Verrucosus.
Ky kishte kuptuar dy gjëra: Hanibali nuk mund të mposhtej në betejë direkte dhe se në plan afatgjatë, ai do të humbiste për shkaqe logjistike. Që këtej edhe strategjia e tij e shmangies së betejave të mëdha, deçizive, dhe kalimi në operacione të vogla, lodhëse, që mbajnë tension por nuk e shfryjnë atë.
Është vlerësuar se një strategji e tillë ka efekte serioze psikologjike te kundërshtari që ekziston dhe e siguron mobilizimin kryesisht për të marrë betejën kryesore. Kjo strategji kërkon durim dhe mbi të gjitha konsensus politik. Fabiusi u shkarkua, sepse romakët krenarë nuk duronin që Hanibal Barka të dominonte Italinë pas atyre që kishte bërë në Trebia dhe Trasimene. Në vend të tij erdhi i paduruari Gaius Terentius Varro që pësoi në Canae humbjen më të madhe ushtarake në historinë e Romës.
Zoti Rama po na shfaqet pra si një Fabius Maximus dhe në këtë rast edhe Elisa Spiropali mund të krenohet që e krahasoi atë me Skënderbeun, pasi edhe ky i fundit, siç na thonë autorët humanistë, shtinte në punë strategjinë e Fab Maksimit siç edhe ka ardhur emri i shqipëruar.
Betejat e vockla ai po i jep me mediat, me lajmet për ndërkombëtarë, me prirjen për ta izoluar sa më shpejt dallgën e protestës. Zoti Rama po shmang përplasjen jo sepse nuk e fiton dot atë në kuptimin e rreshtimit fizik, por sepse përplasja prodhon ngjarje që dëmtojnë vetëm atë dhe axhendën e tij. Ai po lodh kundërshtarin duke ia hequr atij shënjestrën.
Çfarë duhet të bëjë opozita? Të presë që z. Rama të bëhet i paduruar? Kjo është shpresë e vdekur sepse siç na thotë një tjetër italian i njohur “pushteti lodh ata që nuk e kanë”. Dhe z. Rama nuk i intereson asgjë më shumë sesa pushteti. Ndaj veprimet e qeverisë së tij, e cila po defunksionalizohet gradualisht për shkak të strategjisë së z. Rama, hapin rrugën për mosbindjen civile, e cila në fakt do të zyrtarizohet sapo opozita të dorëzojë konkretisht mandatet parlamentare.
Është hera e parë që z. Rama ka interes që sistemi të funksionojë përtej aspektit skematik dhe formal, sepse do të ligjërojë tezën se krizë nuk ka. Kjo nuk mund të lejohet. E gjitha kjo që po ndodh ka në fakt dobësinë e vet më të madhe në faktin se z. Rama është kujtuar pak vonë. Çdo gabim i tanishëm do të dënonte me vdekje opozitën e cila është në kurs të pakthyeshëm. Çdo pakt, i heshtur apo jo, marrëveshje, aleancë fluide që merr parasysh qenien e tij kryeministër është epitaf. Kaq dihet fare mirë.
Add new comment