Britania në udhëkryq, BREXIT nuk kalon në parlament
Pavarësisht thirrjeve dramatike të Teresa Meit drejtuar deputetëve të votonin marrëveshjen e nënshkruar me BE-në dhe garancive se qeveria britanike do të bashkëpunote ngushtë me Parlamentin në fazën e ardhshme të negociatave, parlamenti britanik nuk mbështeti planin e BREXIT, duke çuar në një humbje të madhe për kryeministren britanike.
"Është e qartë se parlamenti po voton kundër marrëveshjes, por nuk është e qartë se çfarë do të thotë saktësisht kjo"- tha Mei pak pas shpalljes së rezultatit të votimit.
432 deputetët britanikë votuan kundë projekt-marrëveshjes, ndërsa 202 në favor të daljes së Britanisë nga Bashkimi Evropian. Tani vendi është në ujëra të errëta, pasi siç u theksua nga kryeministrja britanike nuk ka marrëveshje alternative.
Si një hap tjetër, qeveria duhet të paraqesë brenda tre ditëve një plan B, në varësi të ndryshimeve. Tani, kryeministrja Mei ballafaqohet me mundësinë e një mocioni të ri nga Partia Laburiste. Tre skenarët që përfliten janë dalja nga BE pa marrëveshje, referendum i dytë, ose shtyrje e Brexit. Mundësia e një referendumi të dytë të kërkuar nga opozita pro-evropiane deri më tani është përjashtuar nga Teresa Mei.
Add new comment