Si ruhet kujtesa historike e një qyteti? Një leksion nga Verona, ku është rrëzuar projekti i kryebashkiakut Tosi

Postuar në 06 Korrik, 2018 14:31

Maxhoranca miratoi mbrëmjen e së enjtes projektligjin që i hap rrugën shembjes së Teatrit Kombëtar. Pas një seance të gjatë, që u karakterizua nga debate të ashpra në sallë dhe një protestë e artistëve dhe qytetarëve para Parlamentit, maxhoranca kaloi vetëm me votat e deputetëve të saj ligjin e ri. Si për koincidencë, në të njëjtën kohë në Verona, Autoriteti Mbikëqyrës i Arteve të Bukura të Veronës hodhi poshtë një projekt që kishte për qëllim mbulimin e amfiteatrit antik, që njihet ndryshe si Arena.

Rastet duken të ngjashme në disa aspekte. Pavarësisht se nuk ka jetëgjatësinë e amfiteatrit romak, Teatri Kombëtar është një nga ndërtesat më të hershme në kryeqytet dhe pjesë e një ansambli veprash të ngjashme që konsiderohen si kujtesa historike e Tiranës. Komuniteti i artistëve e ka kundërshtuar ashpër prishjen e Teatrit Kombëtar, një plan i hartuar nga Bashkia e Tiranës, dhe kanë ngulur këmbë në ruajtjen dhe rikonstruksionin e ndërtesës së vjetër.      

Por ndërkohë që në Tiranë, shumica vendos me forcën e kartonëve për shembjen e teatrit, në Verona, një qytet me të cilin kryeqyteti shqiptar ka marrëveshje bashkëpunimi në disa fusha, politika nuk përzihet as në vendimet që kanë të bëjnë me rikonstruksionin. Autoriteti Mbikëqyrës i Arteve të Bukura të Veronës është organi që merr vendime në lidhje me mënyrën se si duhet të trajtohen ndërtesat me vlera historike dhe kulturore.

Vendimi për të mos ndërhyrë në amfiteatrin antik i ka lënë Komunës së Veronës hapësirën për të vënë në dispozicion një fond prej 14 milionë eurosh për rikonstruksionin pjesë-pjesë që do të zgjasë 5 vjet. Projekti për mbulimin e Arenës ka dalë nga një konkurs ndërkombëtar i organizuar një vit më parë nga komuna e Veronës. Studio arkitekturore gjermane “SBP&GMP” në janar kishte fituar konkursin për të ndërtuar një çati për amfiteatrin antik, një plan i propozuar nga ish-kryebashkiaku Flavio Tosi. Propozimi parashikonte një mbulesë në trajtë vele, që sipas ish-kryebashkiakut Tosi do të mbronte platenë nga moti i keq dhe strukturat nga konsumimi.

Por pas një vlerësimi të Autoritetit Mbikëqyrës, që zgjati një vit e gjysmë, një ndërhyrje e tillë u gjykua invazive. Kjo sepse nuk merret parasysh sistemi kompleks i amfiteatrit, i cili do të pësonte një ndryshim strukturor për shkak të ndërhyrjes së domosdoshme në muret historike për mbështetjen e çatisë. Komisioni ka vlerësuar se ky projekt do të stononte edhe me peizazhin sepse do të ndryshonte të gjithë sheshin “Bra”, ku ndodhet Arena.

Kryebashkiaku i ri i Veronës, Federico Sboarina, e ka vlerësuar vendimin që hedh poshtë ndërhyrjen në amfiteatrin antik. “Arena është pjesë e panoramës botërore të veprave të kulturës. Të denatyrosh këtë xhevahir me një mbulesë sipër tij do të ishte një plagë jo vetëm për amfiteatrin, por për të gjithë sheshin”, është shprehur ai. 

TemaTv

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.