Kush tha që hall i artistëve është Teatri!?
Çështja e Teatrit Kombëtar mes të tjerash ishte dhe një test prove për mdjeshmërinë që qeveria thotë se ka ndaj çështjeve të artit dhe Kulturës kombëtare. Pushteti është i akuzuar publikisht nga një pjesë e aktorëve se as denjon t'i dëgjojë për çështjen e Teatrit.
Një shqetësim që aktorët e lidhin me interesa shpirtërore për një godinë që e kategorizojnë si pjesë të memories kombëtare dhe trashëgimisë kulturore.
Ankesat e tyre thjesht po injorohen pasi në mes është një ofertë e pakërkuar për kulla biznesi dhe një kompleks teatri dhuratë, i cili parashikon shembjen e godinës aktuale.
Duhet të ishte debat i madh publik, shembja e Teatrit Kombëtar, por qeveria thotë se është ajo që vendos, pamvarësisht se çështja tejkalon kompetencat e saj, për më tepër që në opinion ka një sensibilitet kundër projektit të qeverisë për shembjen e Teatrit. Është shembulli më kuptimplotë ku shurdhëria bërtet.
Për të qenë të drejtë deri në fund duhet të themi se ka patur edhe raste kur qeveria ka treguar ndjeshmëri të veçantë për ankesat dhe kërkesat e artistëve. Shembulli tipik është ai i aktorit Luftar Paja, i atashuar shpirtërisht dhe ideologjikisht me të majtën Socialiste.
Një ditë pasi aktori u ankua publikisht se i kishin hequr nga lista e rimbursimit një medikament jetik, vetë ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Ogerta Manastirliu, kontaktoime aktorin menjëherë pas daljes së lajmit në media dhe i zgjidhi problemin.
Pas reagimit të qeverisë aktori i njohur nuk i kurseu vlerësimet: “Më vjen shumë keq që çështja ime u politizua nga mediat edhe portalet e ndryshme, nuk ishte ky qëllimi. E rëndësishme ështe, që nuk flasim kot. Nuk na bie fjala në veshë që nuk dëgjojnë”.
Add new comment