Mes “Rrezikut anglo-amerikan” dhe “Rrezikut serbo-sllav”
Sot ish-kryeminstri dhe ish-presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha, ka publikuar në profilin e vet në Facebook një opinion të gjatë mbi debatin e datës së Çlirimit të Shqipërisë.
Është një gjë e mirë për debatin shoqëror dhe atë politik që një politikan shpreh qëndrimet dhe gjykimet e veta mbi historinë e afërt politike të vendit. Është po kështu gjë e mirë që mes parlamentarëve shqiptarë ka akoma një njeri që nuk ulet të shkruajë vetëm për historinë e krahinës, a të bëjë ndonjë qokë për kushërinjtë dhe nipërit e heronjve që kaq shumë janë shtuar në këtë vend.
Por z. Berisha si përherë e kalon cakun e tagrit të vet kur disa teza i prezanton si prova historike. Për një njeri që tanimë pretendon se do të konsiderohet edhe si burrë shteti, përveçse si politikan, është disi e tepërt që të shtyhesh në hollësi të një date, e mandej interpretimin politik ta prezantosh si provë historike.
“…Data 29 nëntor, siç pretendon e majta shqiptare, ka simbolikë anti-shqiptare, pasi përfaqëson datën e falsifikuar nga Enver Hoxha, ndonëse ai vet, jo vetëm që u instalua në krye të qeverisë së tij më datën 28 nëntor 1944,por edhe një vit më vonë ai festoi çlirimin po me datën 28 nëntor. Pra rëndësia e këtij debati qëndron në faktin se, Enver Hoxha falsifikoi edhe këtë datë, për ta njehësuar këtë festë jo me ditën e çlirimit por me festën kombëtare të Federatës së Jugosllavisë, pra me ditën e shpalljes së saj nga J. Broz Tito në Jajcë, më 29 nëntor të vitit 1943. Diktatori Hoxha falsifikoi datën e çlirimit në mënyrë që, pas bashkimit si Republikë e 7-të me Federatën Jugosllave, Shqipëria do të festonte edhe ajo më 29 nëntor, së bashku me republikat tjera, jo Jajcën por Çlirimin e saj”, shkruan ndër të tjera, z. Berisha.
Ky është thjesht interpretim dhe një pikëvështrim subjektiv pa folur se z. Berisha neglizhon qëllimisht rëndësinë e traditës së ngulitur tek një pjesë e të majtës për këtë datë. Duke qenë vetë një subjekt dhe objekt i historisë politike, z. Berisha duhet ta dijë mirë se të njëjtat dilema mund të shtrohen fare mirë edhe për fillesat e aktivitetit të tij politik.
Ta zëmë, le të na thotë z. Berisha se për cilën arsye vitin e kaluar uroi themelimin e Partisë Demokratike më datën 11 dhjetor, kur dihet se ajo është më 12? Më tej akoma, cila është arsyeja që si datë përkujtimore e Dhjetorit ’90 është sanksionuar 8 dhjetori dhe jo 12 dhjetori? Këto janë pyetje për të cilat ka shumë hamendësime si përgjigje, por një gjë është e përbashkët me manovrat e supozuara të Enver Hoxhës: diçka fshihet. Diçka që sëkëlldis.
Z. Berisha bën ndoshta qëllimisht një faull kur teksa tjerr histori të tilla për themelimin e PKSH-së, na kujton sesi po e njëjta skemë aplikohet nga shumëkush për të shpjeguar “kurdisjen e pluralizmit” shqiptar. Prezencën e tij e disa të tjerëve në ato ditë me rëndësi për Shqipërinë.
Por të gjitha këto nuk kanë ndonjë vlerë, përderisa në politikë është parim konformimi me rrethanat dhe optimizimi i rrugëdaljeve. Nëse z. Berisha u caktua sipas një teorie si njeriu i Ramiz Alisë në krye të lëvizjes, veprimet e tij të mëvonëshme, nuk mund të gjykohen dhe analizohen vetëm mbi këtë prizëm. Loja me të përndjekurit dhe sidomos me pronën, shpjegohen më mirë me paaftësinë dhe grykësinë e një elite të re më tepër sesa me një skenar të parapërgatitur që shkoi fjollë.
Nuk do shumë mend të kuptohet, sidomos nga një njeri i politikës, arsyeja e dredhive të Enver Hoxhës, lëshimet e tij dhe kthesat. Ato janë pjesë e repertorit të politikës, e instinkteve që shtihen në punë në atë profesion. Te kjo hyn edhe e ashtuquajtura lojë e datave 28/29 për të cilën ka disa shpjegime.
Çfarë meriton vëmendje është egërsia dhe krimi i sistemit, varfëria dhe mbyllja. Lufta mbetet një kapitull që është zbardhur në shtratin e vet objektivisht. Ajo nuk ka sesi të anatemohet, por e shumta mund të zhvishet nga ekzagjerimet dhe të pasurohet me kontribute të mohuara. Ta lexosh luftën si një kapitull të një elite kriminelësh, kukulla në duart e serbo-malazezëve, në drejtimin e një populli që sipas z. Berisha qenkësh i vetmi puritan në këtë histori, është të bësh nihilistin pa kuptim, e që nuk kuptohet se cilit qëllim i shërben. Pasi po kështu mund të ngarkonim me gjithfarë insinuatash edhe ngjarjet e dhjetorit, që gjithsesi nuk kanë atë rëndësi në historinë e Shqipërisë.
Kjo ka vlerë pasi nuk kemi të bëjmë me një opinion të dikujt që është i apasionuar pas historisë, por me një njeri qëndrimet e të cilit janë perceptuar si direktiva dhe udhëzime në disa grupe. Dhe është kjo sjellje, njësoj si ajo e Enver Hoxhës që mban të ndarë të ashtuquajturit historianë edhe për ngjarje për të cilat ka mjaftueshëm dokumente si Mukja. Në vend se të renditen faktet dhe të pajtohen interpretimet bazuar mbi to, heshtja dhe leximi i qëllimeve ka fituar terren.
Ja një mënyrë për ta infektuar edhe më keq të shkuarën:
“Nga mesi i viteve 1800 e këtej, serbët i kishin fituar në tërësi të gjitha luftërat kundër shqiptarëve, kishin dalë në Durrës dhe pushtuar shumicën e territoreve tona, kishin kryer gjenocide dhe masakrat më të tmerrshme ndaj nesh. Kishin arritur të bindin zotërit e kësaj toke se nuk ekzistonte komb shqiptar. Por, në të gjitha këto luftëra, serbët kishin patur ndihmën politike, ushtarake, financiare të perandorive më të mëdha të kohës, përveç Austro-Hungarisë. Kurse fitoren e tyre më të madhe qe nga koha e Car Dushanit ndaj kombit shqiptar, fitoren e 28 nëntorit të vitit 1994, serbët e arritën jo me mbështetjen dhe ndërhyrjen direkte në anën e tyre të fuqive të mëdha, por e realizuan nëpërmjet shqiptarëve, kalit të Trojës, lëvizjes jugosllave që themeluan dhe udhëhoqën në Shqipëri dhe Kosovë, me Enver Hoxhën dhe veglat e tyre ne Shqipëri, Fadil Hoxhën dhe vasalët e tjerë shqiptarë në Kosovë”.
Është shumë intuitive dhe praktike që të synosh të zëvendësosh te shqiptarët narrativën e rrezikut anglo-amerikan të elaboruar nga Enver Hoxha me rrezikun serbo-sllav të hedhur nga z. Berisha. Sepse ky i dyti jo vetëm është më “objektiv” për shqiptarët, por ai gëllitet më lehtë dhe implikon jo pa qëlim edhe politikat e afrimit me Serbinë që janë ndërmarrë së fundmi nga qeveria Rama. Por kjo është një qasje politike, diabolike, ndaj edhe jo efektive në plan afatgjatë.
Z. Berisha vlerëson më tej luftën, gjakun e dëshmorëve, faktin se ajo luftë e renditi Shqipërinë me aleatët, por në një përpjekje që duket se nuk i shkon rolit të tij, kërkon ta ndajë atë nga Enver Hoxha dhe elita komuniste. Është në vonesë 27 vjeçare për ta bërë këtë, por edhe jashtë vendi. Sepse nëse sot Enver Hoxha rikujtohet është edhe për shkak të gafave të qëllimshme apo naive të z. Berisha dhe leximit ideologjik të historisë që u imponua prej tij në fillim të viteve ’90.
Comments
kadri_hyka@yahoo.com
Përgëzime për këtë analizë: i bëni nder vetes dhe u tregoni mediave si duhet reflektuar.
www.dorianrada@yahoo.com
Eshte interesante fakti qe,pikerisht,ato c'ka keni cituar nga Berisha,per t'i kontestuar,jane me te saktat ne shkrimin e tij.
Eshte nje fakt tashme,qe vetem injorantet,shejtanbudallenjte dhe socialistat,nuk e pranojne,ai i njehsimit te dates 29 nentor me ate te dites se clirimit te ish-Jugosllavise.
Poashtu,eshte fakt qe fuqite e medha te kohes i paten dhene ate kohe per te cilen flet Berisha,nje ndihme jashtezakonisht te madhe Serbise per te pushtuar territore te banuara nga shqiptaret.Nuk besoj qe Serbie te mund te kishte patur sukses me te madh ne kete aspekt,pa ndihmen e fuqive te medha te kohes.Edhe kete,vetem injorante,shejtanbudallenjte dhe socialistat nuk e kuptojne.
Paralelizmi mes dates se ndryshuar te clirimit dhe asaj te themelimit te PD-se eshte tejet i sforcuar dhe i lige.Ne rastin e pare kemi te bejme me nje TURP kombetar.AShtu sic ishte turp kombetar themelimi i PKSH-se nga serbet,drejtimi (praktikisht) i luftes antifashiste po nga serbet(Enver Hoxha, Kryekomandanti i Pergjithshem,nuk bente asgje pa miratimin e dyshes serbe Popovic-Mugosha).
Vecanerisht,eshte pervers i ashtuquajturi argument "i elektoratit konvencional".Nese ka data e ngjarje qe festohen,admirohen dhe adhurohen nga elektorati socialist,kjo nuk i ben ato te drejta,as legjimitet nuk u jep.Sepse,me kete argument,mund te justifikohen te gjitha krimet e diktatures komuniste,meqe ky elektorat,ne shumicen derrmuese ,eshte nostalgjik i saj!
Eshte e pasakte ajo qe thoni ne paragrafine fundit.Sali Berisha kete qendrim ndaj deshmoreve e ka pasur perhere.
Nje konstatim: kam vene re qe,te gjithe ata qe tallin ndjeshmerine "anti-serbe",kane nje gje te perbashket dhe kjo eshte origjina e tyre krahinore.Pavaresisht bindjeve(sepse,e kam vene kete edhe tek shume te djathte,apo qe prezantohen si te tille).
Ketyre zoterinjve nuk u bejne aspak pershtypje plojat qe kane bere fqinjet veriore mbi popullsine e Veriut te Shqiperise.Ju duket sikur ia kane bere nje popullsie tjeter...
Ja nje pyetje tabu,por qe ua cjerr maskat gjithe hipokriteve dhe krahinoreve qe duan te duken edhe si mendjehapur dhe kozmopolite,pale: si ka mundesi qe politikanet,intelektualet,analistet dhe gazetaret,shkrimtaret dhe historianet,intelektualet ne pergjithesi nga Veriu te jene kaq te ashper me serbet,kurse te tillet nga Jugu te jene me te moderuar?!!
Le te marrim te mireqene se
Le te marrim te mireqene se keto qe thoni Ju, jane te gjitha te verteta. Ne cilen cilesi personale tuajen do te duhet t'i lexonim? Te historianit, te komentuesit?
Po te lexoni me vemendje, do te vini re se nuk eshte tallur kush me ndjenjat antiserbe, as eshte perpjekur kush te beje kozmpopolitin, por eshte vene ne dukje-ose eshte bere nje perpjekje - se per ceshtje kaq komplekse sic jane vendimet politike, e te cilat z. Berisha i njeh shume mire, eshte e udhes qe politikanet te ruajne nje distance. Sepse qysh tani dikush do t'i marre per te verteta dhe dikush jo. Eshte politikani ai qe polarizon, jo vertetesia e atyre qe thote. Qe ne fillim eshte thene se eshte gje e mire qe z. Berisha shpreh qendrimet per historine, por ai nuk me duket se eshte shume korrekt dhe qendron ne kufijte e historise kur cileson prova te pakundershtueshme ato qe jane ende pjese debatit.
www.dorianrada@yahoo.com
Edhe njehere,pavaresisht se kush eshte zoti Berisha,ato qe ju ia keni cituar jane te sakta.Edhe gjerat e sakta mund te behen pjese e debatit por,kjo nuk e cenon vertetesine e tyre.
Berisha,mendoj qe eshte akuzuar ca si shume,e me shume se cilido tjeter per polarizim.Me vjen keq per ju te ResPublica-s,qe keni rene ne kurthin e propagandes socialiste,sepse ketu e ka burimin edhe nami i keq i Berishes si polarizues dhe percares.Me vjen keq,sepse eshte kaq e dukshme kjo propagande dhe kurthi i saj.Ka 27 vite kjo propagande.Regjimi komunist ishte thellesisht krahinor.Nje pjese e popullsise ishte mesuar me pushtetin,ndersa tjetra me nenshtrimin.U permbys regjimi,erdhen demokrate ne pushtet, dhe kjo u pa si nje revansh krahinor...
Jo vetem qe u pa dhe u perjetua, por edhe u propagandua si i tille.Duke pare efektin e frytshem te kesaj propagande,socialistet u kapen fort pas saj,dhe nuk e kane leshuar edhe sot e kesaj dite.Kur,ne te vertete,vetem Berisha dhe ca te tjere ishin nga Veriu ne pushtetin e ri;shumica e administrates shteterore ishte me origjine nga jugu.Keshtu ka qene gjithe keto 27 vite.Nje nga veriu te emerohej ne nje post te larte ne kohen e Berishes,behej nami... krahinorizem, krahinorizem!Nje gje te thoshte ,dhe thote,Berisha,behej nami: polarizues,percares veri-jug!
Eshte me te vertete e cuditshme se ne c'shkalle eshte shkerbyythyr truri i shqiptareve nga propaganda komunisto-socialiste!
Sipas kesaj propagande dhe mentalitetit te krijuar prej saj tashme,regjimi (edhe krahinor) komunist ishte regjim perbashkues... kurse "regjimi berishist" dhe vete Berisha, ishin percares,pikerisht pse i dha te drejten per t'u marre me politike dhe per te qeverisur edhe krahines tjeter,megjithese me efekt modest...!!!
Mekatet e Berishes,sado te medha te kene qene dhe te jene,nuk mund ta relativizojne kete fakt.Ashtu sic nuk mund te bejne te pavertete ato qe ai thote per daten e clirimit dhe ndihmen qe fuqite e medha i paten dhene Serbise.
(Ne cilesine e komentuesit po shkruaj.Ate tabune e krahinorizmit per te cilen komentova dhe qe eshte edhe burimi ,mbase i pavetedijshem, i akuzes per polarizim ndaj Berishes,eshte mire qe te merret me seriozitet,sepse mund te kete efekt pozitiv sa i perket taktit...!Sepse ja,shkruan nje analist,shkruan nje tjeter, edhe nje tjeter akoma dhe ca te tjere pastaj... te gjithe me te njejten akuze per polarizim a percarje ndaj Berishes;krejt duke harruar nje detaj te vogel: se kane te njejten origjine krahinore!Keshtu pra,me pak takt,mund te shmanget ky detaj i vogel por, vecanerisht helmatises)
Zoteri, lexoni mire ate qe
Zoteri, lexoni mire ate qe shkruajme. Nuk po themi qe Berisha eshte polarizues, por POLITIKANI. Edhe kur Edi Rama ben spotet publicitare te vetat me historine dhe kur performon per popullin veteran, sepse me shume se kaq nuk eshte pare te beje, ai serish eshte polarizues pse ushtron disa kredenciale qe presupozohet se na perfaqesojne te gjithe.
Add new comment