Kufiri që na ndan dhe modeli që na bashkon

Postuar në 01 Gusht, 2017 12:19

Para pak javësh kryeministri Rama mohoi se kishte qenë në Greqi me pushime, madje kërkoi nga ministrat të ndjekin shembullin e tij dhe të pushojnë në Shqipëri. Nuk u kuptua nëse kjo ishte një ftesë për të shpenzuar paratë brenda vendit dhe kontribuar për ekonominë tonë, apo një notë spontane patriotizmi dhe krenarie që përputhet me frymën dhe disponimin antigrek të kthyer në modë qeverisjeje vitet e fundit. Në Ballkan paritetet kanë çuar në përplasje dhe situata absurde që burojnë nga tipologji të ngjashme të njerëzve që popullojnë këtë rajon të shartuar genetikisht dhe kulturalisht mes Lindjes dhe Perëndimit. 

Edi Ramën e njohin në Greqi, kryesisht mosha mbi të 60-ve që vazhdon të punojë për mirëqënien e fëmijëve të mësuar me paratë e prindërve dhe salltanete të gjetura gati. Brezi i vjetër i "neoaristokratëve" vazhdon ta gdhijë ditë e natë në recespsionet e hoteleve  të ndërtuara në vitet 80, periudhë që shënoi pikën e kthesës për industrinë e turizmit në Greqi dhe pasurimin e shtresës së mesme të grekëve.

Për të moshuarit e këtij brezi shoqëria e vetme janë televizori, turistët që vijnë dhe ndonjë grua shqiptare që është e punësuar për pastrimim e dhomave të hotelit. Kur u thua se je nga Shqipëria apo Tirana kërkojnë të dijnë se si po shkojnë punët nën qeverisjen e Edi Ramës, pyesin a do t'i prishë ndërtimet kaotike në Ksamil, shohin me simpati autoritarizmin e tij, pasi siç thonë në Ballkan ndonjëherë kjo është mënyra më e mirë për të ecur përpara. Tipologjia e pushtetit sipas tyre ka të bëjë edhe me origjinën e atij që udhëheq vendin dhe në këtë pikë edhe pyetja nëse Edi Rama është me origjinë vllahe, greke apo shqiptare merr kuptim.  

Xhelozitë ballkanike vërehen që në pikën e doganën së Qafëbotës ku duhet të kalosh skajin fundor të Shqipërisë së Jugut për të kaluar në Greqi. Rradha në palën greke është më e gjatë dhe përpunimi bëhet me ritme më të ngadalta për arsye objektive dhe subjektive. Është vetëm një sportel për hyrje daljen e shtetasve  dhe konfuzioni bëhet akoma dhe më i madh kur shqiptarët zbresin nga makinat pa respektuar radhën duke u grumbulluar familjarisht në sportelin e vetëm të doganës. Diçka e ngjashme me grumbullimet në dyqanet e bukës në vitet në 90 kur shitja bëhej nga dritaret me hekura. Pamvarësisht heqjes së regjimit të vizave dhe lëvizjes Shengen mbetet ankthi nëse ndonjë polic allasoj do kapet pas ndonjë detaji që i duket shkelje, gënjeshtër ose hile shqiptarësh. 

Nevoja e ka dashur në të kaluarën që emigrantët t'i përdorin edhe këto "paudhësi"  pa qeder për të kaluar kufirin. Nëse shoqërohesh nga një femër e pashme, ndalesa në sportel mund të jetë më e gjatë se të tjerët. Gjithsesi në doganë nuk ka bllokim dhe rruga drejt Igumenicës, qyteti i parë pas kufirit kalon përmes një panorame kodrinash të sistemuara me plantacione agrumesh ose vreshtash dhe një vije të kaltër bregdetare që shfrytëzohet për kamping nga turistët e ardhur kryesisht nga Europa Veriore. 
Nëse ke çadër plazhi mund të ndalesh dhe ta ngulësh në rërë pa dyshimin se do të ndalojë dikush që e ka marrë me qira. Pjesa më e madhe e vijës bregdetare është plazh publik, ndërsa një pjesë e vogël është plazh privat. Diferenca me plazhet shqiptare është e madhe, qe nga pastërtia deri te largësia nga impjantet e rritjes së peshkut.

Ndonëse ligji në Shqipëri parashikon që  20% e hapësirës së plazheve të dhëna me qira  të lihen për plazh publik, kjo zor se respektohet, madje këmbëngulja për të vendosur çadrën mund të përfundojë me sherr dhe kërcënime të fortësh. Igumenica është një qytet i vogël me lidhje të hershme me Shqipërinë dhe shqiptarët. E ndesh në emrat e tabelave të dyqaneve që pavarësisht se kanë marrë trajtën e gjuhës greke, disa prej tyre ruajnë kuptimin e mbiemave të shqipes. Duket absurde, por në dasma këndohen edhe këngë folklorike shqiptare dhe kërcehet edhe  vallja e Osman Takës. Njerëzit në këto anë e gjejnë më kollaj gjuhën e komunikimit,  ndryshe nga politika e podiumeve dhe televizorit. Askush nga grekët që takon nuk interesohet se ku do i kalojë pushimet Edi Rama, nëse do kalojë nga Greqia ose jo.

Diskutimi kryesor është a ka ngjashmëri qeverisja e e Edi Ramës me modelin Cipras, i cili po bën përpjekje për të formalizuar ekonominë greke që vazhdon të vuajë evazionin e madh fiskal. Taksa e pronës për hotelerinë është  rritur dhe një hotel me 2 ose 3 yjë në Igumenicë duhet të paguajë në 8 mijë euro në vit, pamvarësisht të ardhurave që ka.  Në këto kushte vështirë se në hotel mund të marrësh faturë pasi biznesi nuk mund të mbijetojë nëse deklaron të ardhurat reale. Pagesat me karta elektronike janë bërë të detyrueshme për të ulur qarkullimin dhe transaksionet me para cash, por në masë të madhe kjo nismë nuk zbatohet.

Monedha 500 euroshe është hequr nga qarkullimi por sërish ekonomia vijon të përballet me një evazion të lartë. Turizmi gjeneron të ardhura të mëdha por shmangia nga detyrimet mbetet problem për aq kohë sa barra fiskale është e lartë. Në këtë pikë ngjashmëritë me Shqipërinë nuk mungojnë dhe modelet e qeverisjes janë përafërta, zgjidhjet që parashtrohen janë taksa të larta dhe klientë preferencialë të pushtetit. Dallimi është se grekët ndryshe nga shqiptarët nuk janë mësuar të jetojnë me pak dhe nuk e qendërzojnë debatin se ku do i kalojë pushimet kryeministri, por sa thellë po i fut duart në xhepat e qytetarëve. 

lmitro

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.