Dështimi i Bashës noterizon Berishën si palë në marrëveshjen e 18 majit

Postuar në 04 Korrik, 2017 22:34

Sot u bë publike se dy garuesit për kreun e PD-së, Eduard Selami dhe Astrit Patozi, kanë zhvilluar një takim me Sali Berishën. Ndonëse nuk jepen të dhëna për bisedimet e zhvilluara, është e thjeshtë të kuptohet se takimet kanë patur në vëmendje zhvillimet e fundit në PD, për të cilat duket se Berisha po del si garant. 

Mjafton ky fakt vetëm për t’u bindur se Lulzim Basha ka dështuar në krijimin e një fryme të re në parti, për instalimin e tij si drejtuesi real i saj, që çon në fitore, por edhe merr përgjegjësi. Basha sot po rregullon veten për mandatin e dytë si kryetar me një kredi të re te Sali Berisha dhe kështu ai ka humbur edhe bastin e madh të një opozite që duhet të dijë të afrohet me brezin e ri. Kjo nuk ka sesi të ndodhë kur në skenë luan sërish Berisha dhe Basha pranon të jetë i përkëdheluri.

Takimet e sotme na japin të kuptojmë edhe një tjetër gjë: Basha e ka të pasigurtë të ardhmen politike të vet, por pse jo edhe rikonfirmimin në detyrën aktuale. Dështimi i tij elektoral nuk kapërdihet dot përveçse duke pranuar garën e vërtetë e në rastin më të mirë thjesht duke ikur. Ndërhyrja e Berishës në këtë formë, është një veprim në kushtet e emergjencës, por ai aktualizohet si profilaktik për investimin e tij personal, Lulzim Bashën dhe jo PD-në. Një mentor i mençur dhe largpamës do të duhet të dilte e të deklarohej për zgjedhje të lira në parti, jo të jepte garanci për dikë që nuk e bën dot detyrën që ka marrë. Kështu do të konfirmonte se autoriteti i tij nuk buron vetëm nga forca e viteve të gjata në pushtet, por edhe nga një kredo që nuk konsumohet.

Berisha po bën tjetër gjë. Ai po i jep një dorë beniaminit të tij, përmes të cilit ka mundësi të negociojë edhe me pushtetin. Është e qartë se në kushtet e tanishme, Marrëveshja e 18 majit, me katandisjen e Bashës, është zhvendosur në fakt drejt një partneri të ri, faktik, për Edi Ramën: Sali Berishën. Pasi emri Lulzim Basha nuk thotë më gjë për politikën, atë që vendos realisht. Mbetet për t'u parë nëse do të funksionojë edhe pse grupi parlamentar i PD-së është diçka e kurdisur nga Basha. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.