Thjesht nuk bëhet dot kryetar i PD-së
Lulzim Basha ka zgjedhur atë që di të bëjë më mirë: të falet te Sali Berisha. Gazeta zyrtare e PD-së hapet sot me një titull: "Askush i tepërt", shoqëruar me foton e Sali Berishës. Flitet në shkrim për vija të kuqe që nuk duhen kaluar, ndërkohë që në një editorial të kryeredaktorit Bledi Kasmi përshkruhen herozimat dhe aktet e Berishës, si model durimi për ata që nuk janë dakord me kryetarin. Mirëpo krahasimi me opozitarizmin e vitit 1997 nuk qëndron, sepse asokohe Shqipëria rrëshqiti në konflikt të armatosur. Argumentet mjerane që sillen pas një dështimi nga vota të Lulzim Bashës përcjellin vetëm një direktivë përmes së cilës Basha si kryetar i ngrirë shpreson të shkrijë me mbështetjen e Berishës.
I cili ndërsehet si imazh dhe si presion ndaj atyre që sot kërkojnë zbatimin e rregullave. Dhe zbatimi i rregullave që nis nga dorëheqja e kryetarit të humbur, është garanci më e madhe se ajo që kryeredaktori i RD-së na sugjeron se po mendon Berisha. Pa folur këtu për faktin se mes Bashës dhe Berishës ka tani një pakt të mbyllur në të cilin Lulzimi i vyshkur nga humbja qëndron në pozitat e nevojtarit. Dhe pa u shtyrë më tej, është edhe pushteti ai që ka një dorë në këtë që po ndodh, për të ruajtur një status quo që do ta kthejë PD-në në një fole private.
Sigurisht që Basha po mendon se koha do të zgjidhë shumë gjëra dhe këtë ndoshta e ka si këshillë kryesore të Berishës, por Shqipëria nuk është më ajo e së shkuarës. Basha po bën sot prapakthehu kur nëse para zgjedhjeve dhe pas marrëveshjes me Edi Ramën trashte zërin duke deklaruar se ishte ai kryetari, sot ka futur bishtin ndër shalë e po i qahet shefit të vet. Përndryshe si ta kuptojmë këtë faktorizim të Sali Berishës?
Situata do të ishte shumë e thjeshtë nëse kryetari do të dorëhiqej dhe të rikandidonte; ngrirja e kompetencave është veçse preludi i mbylljes së PD në gjirizin e interesave të ngushta për të cilat ajo do paguajë faturën e vet. Faturë e cila ka nisur që sot dhe kjo është se, sido që të shkojë, Lulzim Basha nuk bëhet dot kryetar i kësaj partie, pasi lidershipi është edhe vokacion, jo vetëm emërim dhe fat.
Add new comment