Boja e legalizimeve, Lezha një shembull që demaskon shfaqjet e kryeministrit
Ka kohë që propaganda përdoret për të mbuluar “pisllëqet” e pushtetit edhe në çështje që janë konsideruar si arritje madhore të kësaj qeverie. Vetë kryeministri shëtit fshat më fshat me një mikrofon në dorë duke u vënë festen hallexhinjve që marrin në dorë nga një tapi legalizimi të shoqëruar me limonadat elektorale të kryetarit të Aleancës për Shqipërinë Europiane. Me hapjen e platformës televizive personale ERTV, Edi Rama është kujdesur që në publik të dalë vetëm retorika e tij për çka po bën qeveria. Që nga koha kur e pranoi vetë në një takim në Shkodër se drejtorët po i nxjerrin bojën qeverisë, kryeministri ka mbytur ekranet me propagandën e legalizimeve falas dhe qeverisë që po bën shtet.
Por e vërteta dhe ajo çfarë po ndodh në terren përtej tama tameve dhe bam bumeve të takimeve me regji, drejtorët e qeverisë vazhdojnë të bëjnë kërdinë. Një prej shembujve është Drejtori i Agjencisë Rajonale të Legalizimeve në Lezhë, i cili është kallëzuar penalisht për shpërdorim detyre nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Auditi i KLSH
Në përfundim auditimit të kryer për vitet 2014-2016 është konstatuar se në këtë periudhë nga Agjencia Rajonale e Legalizimeve në Lezhë janë kryer legazime në zona të ndaluara dhe janë kryer një sër shkeljesh të tjera. Kështu sipas raportit drejtori Pashk Luka dhe zyrtarët e tjëra kanë lejuar ndërtime pa dokumentacion afër rrugëve kryesore, lumenjëve apo kanaleve kulluese. Në shumë raste janë kryer procedurat e legalizimit pa arkëtuar taksën e infrastrukturës, po ashtu është miratuar sipërfaqja e parcelës ndërtimore në llojin e pasurisë “Truall”, duke ndryshuar zërin kadastral.
Në raportin e KLSH thuhet se ka objekte informale, të cilat nuk plotësojnë kriteret ligjore për legalizim, ndërsa në shumë dosje nuk ekziston dokumentacioni i cili provon periudhën në të cilën është ngritur ndërtimi informal. Dëmi ekonomik që i është shkaktuar shtetit sipas KLSH llogaritet në vlerën e 5,9 milionë lekëve, ndërsa shkeljet e disiplinës financiare në vlerën e 14,3 milion lekëve.
Add new comment