"Hate Speech” nuk është aspak “Free Speech”
“Gjuha e urrejtjes” është një dukuri publike në Shqipëri e në Ballkan. Ajo sundon shtypin, median, multimedian, botimet, madje edhe një pjesë të letërsisë dhe arteve. “Hate speech” ka një fuqi të palimit “in media res” për arsye historike- kulturore dhe politike-civile. Kushtetuta e Shqipërisë, megjithëse nuk e ka të mirëpërcaktuar termin “hate speech”, përfshin brenda principeve të saj themelore nevojën për të respektuar të drejtat e njeriut dhe liritë e tij, bashkëjetesën fetare dhe respektin për minoritetet. Demonizimi i “tjetrit”, kryesisht fqinjit, është një prej burimeve të “hate speech”. Midis popujve të këtij rajoni ka pasur luftë dhe paqe, por luftë 100-vjeçare si në Europë nuk ka pasur. Nuk ka pasur as doktrina të urrejtjes gjenetike, si “Final Solution” i “Mein Kampf”, por merita e Perëndimit është se e ka ekzorcuar kujtimin e këtyre luftërave dhe e ka shuar urrejtjen.
RREGULLIMI LIGJOR
Ligji për shtypin ka vetëm një nen me përcaktimin: “Shtypi është i lirë. Liria e shtypit mbrohet me ligj”. Ndërsa rregullorja për transmetuesit është ndryshuar shpesh dhe ligji i ri mbi Median Audiovizive hyri në fuqi në prill të vitit 2013. Ndër parimet e saj themelore theksohet: “Prodhimet audiovizive duhet të përputhen në mënyrë të paanshme me të drejtën për informim, të drejtën për respektim të bindjeve politike dhe fetare, të drejtën për respektimin e personalitetit të njeriut, dinjitetit dhe të drejtave dhe lirive të tjera fondamentale të njeriut”. Përveç kësaj, ato duhet të udhëhiqen nga “moslejimi i atyre prodhimeve që nxisin intolerancën mes qytetarëve” dhe nga “respektimi i fqinjësisë së mirë mes njerëzve”.
Dispozita të ngjashme janë përsëritur në mënyrë të vazhdueshme në të gjithë ligjin, duke i aplikuar ato në kushtet e marrjes së licencës, te transmetuesi publik dhe komercial, etj. Për më tepër, në një nga nenet e ligjit thuhet: “Shërbimet audiovizive nuk duhet të përmbajnë nxitje të urrejtjes me bazë etnike, gjinore, fetare apo dhe kombësie”. Afërsisht dy vitet e fundit praktika ka treguar se rregullatori (AMA) ka operuar ndjeshëm në zbatim të ligjit, duke ushtruar kontrollin e tij vëzhgues dhe jo vetëm ndaj një tregu audioviziv të çorganizuar dhe pa rregulla loje, ku gjuha e urrejtjes ndërkrahinore, gjinore, gjuha e përbuzjes ndaj profesionit, orientimit seksual, përkatësia fetare etj. janë bazat mbi të cilat mbështetet më së tepërmi diskriminimi dhe gjuha e urrejtjes.
RASTET
Nëse sjellim ndër mend shfaqjet televizive në një nga mbrëmjet e debateve televizive shqiptare në media, është për t’u përmendur, rasti i një deputeti, i cili kish deklaruar se homoseksualiteti është një sëmundje. Rasti i dytë është po me një deputet të parlamentit shqiptar, i cili shprehu mosaprovimin e tij ndaj komunitetit LGBT në një intervistë kur u pyet për paradën e përvitshme të këtij grupimi njerëzish. Ai u shpreh qartazi me këtë shprehje, “ata duhet të rrihen”. Por, një gjë duhet ta kemi të qartë se, vetërregullimi është një proces që pavarësisht nga përpjekjet e shumta, sërish ai mbetet në fillimet e tij. Përpjekjet për të formësuar profesionin e gazetarit në gjendjen aktuale ku ajo ndodhet kanë filluar vetëm pas ndryshimit të regjimit në vitin 1991.
Sot organizmi i profesionit të gazetarit është shumë i dobët. Si rezultat i kësaj ekziston një debat i nxehtë mbi çështjet e etikës në media, por ende nuk ka asnjë trupë vetërregulluese tek ata që të mund të veprojë mbi akte të veçanta shkeljeje apo tendencash të tilla.
1-Burimet kryesore të lajmeve në hapësirën shqiptare online janë websitet e gazetave dhe të televizioneve kryesore, disa portale lajmesh si dhe websitet individuale, që nuk lidhen me ndonjë media klasike, por që janë produkte autentike web-i. Gjatë viteve të fundit një kanal i rëndësishëm informimi po bëhen edhe rrjetet sociale dhe blogosfera. Problematika e etikës dhe e gjuhës së urrejtjes në websitet shqiptare të lajmeve është e gjerë dhe e larmishme. Rastet më të shumta lidhen me paragjykimet dhe urrejtjen që ka për bazë përkatësinë, orientimin apo bindjet politike të tjetrit.
Por, askush më shumë se konflikti politik i shtirur gjatë gjithë periudhës së tranzicionit në Shqipëri, mes forcave politike nuk ka qenë konflikti më i mprehtë në shoqërinë shqiptare. Gjuha e dhunshme e tyre dhe ngarkesa e urrejtjes ndaj kundërshtarëve politikë ka influencuar në gjuhën e përditshme të shqiptarëve dhe ka dhunuar profesionin e gazetarit. Por përveç kësaj, nuk kanë munguar në masë edhe shkrimet e gazetarëve apo komentet e lexuesve, ku janë të pranishme stereotipat dhe paragjykimet për shkak të përkatësisë etnike, fetare, racore, gjinore, seksuale dhe madje edhe krahinore apo sociale.
2-Pas gjuhës me ngarkesë urrejtjeje politike, në hapësirën shqiptare mediatike përdorimin më të madh e ka gjuha negative me bazë stereotipat apo paragjykimet etnike. Nga kjo gjuhë nuk kanë shpëtuar edhe website të mediave të mëdha dhe serioze.
Kështu, në një kronikë të transmetuar në një nga televizionet tona mbi prejardhjen e një sportisti të njohur të lindur në Himarë, por që jeton në Greqi, në janar të vitit 2012, gazetari insiston duke e provokuar me pyetje lidhur me rrënjët e tij. Pas hedhjes në rrjet të kësaj kronike televizive, e cila për hir të së vërtetës nuk ishte ndërtuar profesionalisht bazuar mbi Kodin e Etikës së gazetarisë, pati një bum komentesh në website-in e televizionit me përmbajtje urrejtjeje ndëretnike dhe racore. Por, nuk do të ishte vetëm kjo kronikë. Ka pasur dhe raste të tjera programesh televizive, ku fokusi kryesor i një të intervistuari sillej rrotull deklarimit të origjinës etnike, përkatësisë racore, orientimit të ndryshëm seksual dhe ky jo pa një qëllim të caktuar, pavarësisht se kjo lloj deklarate nuk ka pse të ketë vlerë dhe rëndësi publike.
Shpeshherë këto raste shërbejnë më së shumti nisur nga një qëllim diskretitimi ndaj të ndryshmit se sa për të ndërgjegjësuar opinionin publik ndaj të drejtave që ai gëzon si gjithë të tjerët. Një model stereotipi ky, i cili shfaqet dukshëm në të gjitha mediat televizive, pa eliminuar edhe mediat me licencë kombëtare.
3-Probleme të tjera që ndeshen në raportimet apo debatet televizive dhe që lidhen me gjuhën negative apo paragjykimet ndëretnike janë edhe përdorimi i argumentit nacionalist në shërbim të argumentit politik, lidhja me etninë e një komuniteti i çdo lloj zhvillimi që ndodh në këtë komunitet, portretizimi kolektiv në vend të atij të grupit apo atij individual, trajtimi i subjektit me karakter nacionalist njëlloj si sensacionet e kronikës së zezë apo si skupet e politikës, mungesa e njohurive të një pjese të reporterëve, përdorimi i gjuhës letrare me ngarkesë të dukshme të emocioneve negative, etj.
Edhe stereotipat dhe paragjykimet racore nuk mungojnë, por prania e tyre në hapësirën e mediave televizive shqiptare është tepër sporadike dhe periferike, kryesisht ajo është e rëndë në faqet e tyre on-line në rubrikën e komenteve. Nuk do shumë vëmendje të kuptosh një gjuhë të pastër raciste ndaj komunitetit me ngjyrë në Shqipëri nga një komentues i shkrimit. Dhe ndoshta po ta mendosh me një mendje të mprehtë, duket qartë se shkrimi është zgjedhur për t’u botuar pikërisht për të krijuar hapësirë për këto lloj komentesh.
4- Një problematikë e pranishme në mediat televizive, sidomos të lajmeve, është edhe ajo që ka të bëjë me paragjykimet me bazë fetare. Në Shqipëri ekzistojnë katër komunitete fetare kryesore: myslimanët, bektashinjtë, të krishterët ortodoksë dhe katolikët. Dikur para viteve ’90, mes nesh ka jetuar edhe një komunitet hebrenjsh rreth 200 të tillë, të cilët u larguan në eksodin e fundit të vitit ’91. Në vend historikisht kanë ekzistuar marrëdhënie ndërfetare të mbizotëruara nga toleranca dhe mirëkuptimi.
Por, interneti dhe media televizive, dhe duke qenë se i gëzohemi ligjit të pakuptimtë për kuptueshmërinë e tij të shumë gjerë fort, “Shtypi është i lirë” është krijuar një hapësirë edhe për individë, që kanë bindje apo qëllime ekstremiste apo fundamentaliste fetare. Raste të rënda të pranisë së gjuhës së ekstremizmit dhe fundamentalizmit në këtë fushë janë shfaqur sidomos në faqet apo forumet e disa websit-eve me numër të paktë vizitorësh, por dukshëm fyese kjo gjuhë ka qenë gjatë këtyre viteve të fundit dhe në shfaqjet televizive të mbrëmjes, as më shumë e as më pak, por në një televizion me licencë kombëtare. Grupi etnik që denigrohej kanë qenë pikërisht hebrenjtë dhe jo vetëm, së fundmi edhe sirianët, nisur nga paragjykimet e stisura të dy-tre pseudohistorianëve. Natyrisht, shfaqje të tilla në hapësirën televizive janë të rralla, por gjithsesi ato ekzistojnë dhe meqë vazhdojnë prej vitesh të jenë të pranishëm, mund të shpresojnë që dikur të rrisin audiencën e tyre.
5- Nuk mund të rrimë pa përmendur se shpeshherë ndër raportime televizive apo diskurse mediatike të ftuarish, mbrëmjeve gjenden gjithashtu edhe stereotipa dhe paragjykime për shkak të përkatësisë gjinore.
Psh., në një emision televiziv me titullin “Femrat drejtuese? Më të këqija se meshkujt”, moderatori është përpjekur shpeshherë të moderojë këndshëm peshën e gjinisë, por gjatë emisionit gjuha e tij antifemërore së brendshmi, e ka tradhtuar. Por sigurisht numri më i madh i raportimeve problematike i takon kategorisë së politikës. Siç e theksuam edhe më sipër, gjuha e urrejtjes politike është ajo që ndeshet në orë të gjata transmetimi pa as më të voglën censurë. Kjo shpjegohet me shkallën e lartë të konfliktualitetit në politikën shqiptare, me gjuhën e rëndë, të vrazhdë dhe me ngarkesë urrejtjeje të përdorur nga lidershipi politik i vendit, gjuhë, e cila përmes shkrimeve perifrazimeve, citimeve apo komenteve ka depërtuar edhe në mediat on-line. Zgjidhja në këtë rast do të ishte filtrimi së pari i gjuhës së politikanëve, duke i kontrolluar në procesin e postproduksionit shfaqjet e tyre televizive. Media i drejtohet një publiku më të gjerë se sa publiku i politikanëve në foltoret e tyre, për këtë arsye përgjegjësia e tyre është e madhe, qoftë edhe kur citohen personazhe të politikës.
Në ndërmjetësimin e saj mes politikanëve dhe publikut, media duhet të kryejë një funksion amortizues dhe zbutës të gjuhës së urrejtjes politike dhe jo të bëjë amplifikimin e saj.
A janë edhe pronarët e mediave përgjegjës për gjuhën e urrejtjes? Së pari, duhet të biem të gjithë dakord se janë pronarët e mediave ata, të cilët mund të konsiderohen përgjegjës për gjuhën e urrejtjes në mediat e tyre, edhe nëse kjo gjuhë shihet në komentet e seksionit për publikun. Sepse sipas Kodit të Etikës, ata mund të kenë lejuar publikimin e nxitjes së kësaj kategorie gjuhe. Duhet të sjellim në vëmendje se nisur nga një vendim i fundit kontroversal i Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, portalet e lajmeve janë gjithashtu përgjegjëse për marrjen e masave për të parandaluar publikimin e komenteve negative “që shkelin vijën e kuqë të kritikës dhe prekin kufijtë e fyerjes dhe gjuhës së urrejtjes”.
E dyta, ata që kontrollojnë median duhet të jenë të vetëdijshëm se gjuha e urrejtjes shkel dinjitetin e anëtarëve të grupit të targetuar dhe nëse ajo publikisht nxit dhunën, media që e ka publikuar atë shkel gjithashtu të drejtën e sigurisë së këtij grupi. Kjo është edhe arsyeja përse pronarët e mediave, sigurisht janë përgjegjës për marrjen e të gjitha masave për të parandaluar gjuhën e urrejtjes në median e tyre dhe përgjegjës për të dënuar drejtuesit editorialë/gazetarët të cilët hapin, nxisin, promovojnë apo justifikojnë urrejtjen me çfarëdo baze diskriminuese.
"Gazeta Shqiptare"
Add new comment