Katrahura e mbifaturimeve
Mbifaturimet nga OSSHE është një problematikë me të cilën po përballen qytetarët në disa qytete të vendit. Në sportelet e "Kujdesit ndaj Klientit" në Lezhë adresohen çdo dite dhjetëra ankesa dhe sipas raportimeve,OSHEE ka vështirësi për dhënien e përgjigjeve. "Qytetarët thonë së kanë kontaktuar me faturistët, të cilët u kanë deklaruar se në skedarët e tyre kanë të regjistruar numrat realë të sahateve, por ato janë ndryshuar në qendër duke sjellë për pasojë mbifaturimet", raporton korrespondenti i "ABC News" në Lezhë. Ky shqetësim pritet të shoqërohet me protesta në Lezhë dhe disa qytete, pasi zyrat e OSHEE nuk po u japin zgjidhje ankesave. Një vit më parë ministri i Energjisë Damian Gjiknuri tha se ligji i ri për energjinë elektrike do t’i jepte fund abuzimeve me mbifaturimet. “Projektligji ka i qëllim krijimin e një kuadri ligjor në këtë sektor, në objektiv, krijimin e një tregu konkurrues, furnizimin e qëndrueshëm dhe të sigurt me energji elektrike klientëve, mbron konsumatorin si dhe minimizon kostot e shërbimit të furnizimit”, pati deklaruar Gjiknuri në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese vitin e kaluar. Sipas tij, deri në vitin 2017, problemi me mbifaturimet duhet të marrë fund.
Add new comment