Kristaq Mitro: “Në vitin 1985 u realizua një film artistik për Enver Hoxhën”
Kinostudio ka realizuar një film artistik mbi Enver Hoxhën në vitin 1985. Ky fakt është bërë publik nga regjizori Kristaq Mitro në rubrikën “Emocione” të shoë “E diell” në “Top Channel”. Mitro ka rrëfyer se filmi u realizua bashkë me regjizorin tjetër Ibrahim Muço dhe skenaristin Vath Koreshi.
“Ne po realizonim premierën e filmit “Duaje emrin tënd” më 6 prill në Pogradec dhe po na nxitonin për të bërë premierën. Siç duket në Tiranë po përgatiteshin për atë çfarë po ndodhte. Një ditë takoj Vath Koreshin në rrugë, e më thotë se na ka thirrur në zyrë drejtori. Përse na ka thirrur, e pyeta. As unë nuk e di, më tha. Më duket se dinte diçka, por nuk e tha duke e lënë të na e thoshte drejtori. Kur shkuam në drejtori, na thanë se ishim zgjedhur të bënim një film artistik për Enver Hoxhën. Vathi ishte një njeri shumë komunikues. Nisëm nga puna, Vathi si skenarist dhe unë me Ibrahimin si regjisorë. Na u vendosën dy drejtorë dhe një grup pune në dispozicion në mënyrë që filmi të përfundonte brenda afatit. Pasi realizuam skenarin nisëm punën. Xhepa luante rolin e regjisorit të filmit, pasi filmi ishte konceptuar si një film brenda filmit. Enver Hoxha ishte gjithnjë në kronikë, por mënyra sesi ishte ndërtuar ai, ishte gjithnjë i pranishëm, dukej sikur çdo moment po xhirohej. Gjithçka ishte xhiruar në atë mënyrë sa edhe operatori Agim Shuka dukej sikur po xhironte në momentin kur ndodhi vdekja dhe ishte aty para arkivolit. Filmi do të realizohej brenda 11 prillit të vitit 1986 dhe do të shfaqej ashtu siç ishte zakon për herë të parë për kolektivin. Erdhën për ta parë filmin Nexhmije Hoxha dhe Ramiz Alia. Pasi mbaroi filmi u ngjitëm lart në drejtori dhe ndërkohë pasi u thanë disa fjalë për përmirësime që duheshin në film, Nexhmija doli nga dera në një mënyrë që dukej si e revoltuar. Më kujtohet si tani ikja e saj duke ecur në këmbë në oborrin e Kinostudios deri sa u fut në makinë. Të nesërmen do të vinin vërejtjet me shkrim të cilat do t’i korrigjonim në film, por kjo nuk do ta ndryshonte fatin e filmit, pasi ai nuk u shfaq kurrë për publikun”, tha Mitro.
"Shqip"
Add new comment