PD, kjo parti e shitur

Postuar në 02 Nëntor, 2015 13:17
Besnik Gjongecaj

Si dëborë e parakohshme, heshtja mbuloi krejt peizazhin politik dhe universitar të vendit menjëherë sapo dekreti i Presidentit të Republikës mbi ligjin e arsimit të lartë u rrëzua nga Parlamenti dhe ky i fundit miratoi ligjin pa marrë parasysh asnjë vërejtje të bërë nga shoqëria dhe një pjesë e politikës shqiptare. Debati ngriu menjëherë nën një acar që askush nuk mundi ta shpjegojë. Heshtën analistët, autoritetet e universiteteve publike dhe sigurisht, heshtën edhe ata të universiteteve private; heshtën studentët që tuboheshin para dyerve të zyrave qeveritare, heshti Presidenti, heshtën parlamentarët, politikanët e të gjitha sorollopeve; heshtën të heshturit: profesorët. Botimi i ligjit në Fletoren Zyrtare ngriu kallkan debatet e nxehta që vetëm pak ditë më parë dukeshin sikur nuk do të kishte të ftohtë siberian që t’i shuante. Kishte një gjë të çuditshme në këtë kallkanizim të beftë. Që bëhej edhe më e çuditshme, sepse ndodhte në Shqipëri. Në vendin ku jetojnë njerëz gjaknxehtë, që nuk heqin dorë kollaj, madje edhe nga kauza që nuk kanë qenë kurrë të tilla. Madje edhe nga kauza të zbrazëta, pa substancë, bosh.

* * *

Nëse do të shkruanim kronikën e ngjarjeve para rrëzimit të dekretit të Presidentit, pra, para miratimit të ligjit të arsimit të lartë, ajo do të dilte një katrahurë e vërtetë. Thënie, kundërthënie, referenca, krahasime, dëshmi, poza, melankoli të gënjeshtërta, keqardhje jargavitëse për studentë të varfër njëherë e përgjithmonë nga deputetë të pasuruar me shpejtësi, premtime të pambajtura, akuza, kundërakuza; një katrahurë që mbartte pothuajse të gjitha format e gjykimit apo të ekzibicionit të shpikura në nahijen ku jetojnë shqiptarët, e cila mund të karakterizohej si një nga organizimet më cinike të çorganizimit ku, megjithatë, pas një analize të lodhshme, në qendër të katrahurës mund të dalloje katër grupe aktive në debat dhe një bosht në të cilin u ankorua kritika. Presidenti i Republikës mund të quhet edhe si lideri i debatit, i cili formuloi në fund të tij një dekret.

Një grup i organizuar pedagogësh, brenda të cilit nuk e merrte vesh qeni të zotin, bënin sa më shumë zhurmë për të mos thënë asgjë ose thoshin pikërisht atë që nuk do të duhej, duke u vetëzbuluar si të përzgjedhur nga politika. Deputetë të opozitës, ku përfshiheshin edhe ish-kryeministri i vendit, ish-ministra Arsimi, që në Parlament mbajtën ose fjalimin e gabuar ose atë më pak të përshtatshëm: fjalimin e akullt, pa zemër. Në grupin e katërt u përfshinë ata që nuk kanë asgjë në dorë veç sinqeritetit, të cilët zhvilluan një debat spontan: pedagogë, studentë të paorganizuar, universitarë me iniciativë publike. Pavarësisht origjinës, interesave të grupeve që morën pjesë, pra, pavarësisht katrahurës që u cilësua si debat, mund të dalloje një bosht botëkuptimor: ligji i arsimit të lartë bie në konflikt, në shumë pjesë të tij, me Kushtetutën e vendit dhe me jurisprudencën e saj, ashtu si edhe me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut. Një bosht i tillë botëkuptimor dallohej veçanërisht në dekretin e Presidentit, por edhe në një pjesë të fjalimeve të politikanëve të opozitës në Parlament. Madje, edhe jashtë Parlamentit: atëherë kur kryetari zyrtar i PD-së u shpreh se ligji është fashist dhe se ai angazhohej ta ankimonte atë në Gjykatën Kushtetuese sapo të përfundonte procesi parlamentar i shqyrtimit dhe miratimit të tij. Kështu, krijimi i agjencive ndërmjetëse që rregullojnë jetën universitare, por që ndërtohen si zgjatime të qeverisë, cenimi i autonomisë institucionale dhe i lirisë akademike si produkt i saj, mungesa e sigurisë juridike në çështjen e tarifimit të studentëve, ishin, në fakt, ashtu siç u interpretuan, pjesët që vinin në kundërshtim jo vetëm me Kushtetutën e vendit dhe juridiksionin e saj, me parimet më esenciale të formuluara nga Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut, por edhe me procese që vendosin standarde të përbashkëta (ai i Bolonjës p.sh.).

Madje, vetë procesin e miratimit të ligjit, ish-kryeministri i vendit e quajti korruptiv, sepse zbuloi publikisht përpjekjen e disa universiteteve private për të blerë qëndrimin pro të opozitës në procesin e miratimit të ligjit. U duk pra, fare qartë, që PD-ja ishte së pari kundër ligjit të përgatitur nga qeveria dhe së dyti, PD-ja, duke vendosur në qendër të kritikës konfliktin që pjesë të ligjit krijonin me Kushtetutën, e bëri të qartë se luftën politike do ta finalizonte me dërgimin e ligjit në Gjykatën Kushtetuese. Aq më shumë pasi jurisprudenca e saj, veçanërisht ajo e krijuar në vitin 2008 (vendimi nr. 9 etj.), krijonte besimin se Gjykata Kushtetuese do ta rrëzonte atë. Natyrshëm, prandaj, çështja nëse ligji do të çohej apo jo në Gjykatën Kushtetuese u shndërrua në test esencial për PD-në, sinqeritetin e saj ndaj shqiptarëve; një test që, në fund të fundit, do të zbulonte përmbajtjen politike të kësaj partie.

* * *

Edhe sot e kësaj dite PD-ja nuk e ka ankimuar Ligjin në Gjykatën Kushtetuese dhe po e bën gjithmonë e më të qartë se ky ankimim nuk do të ndodhë. Duke zbuluar padashur se, së pari, ishte ajo që kishte organizuar të gjithë katrahurën para miratimit të ligjit, përfshi jo vetëm grupin e organizuar të pedagogëve, jo vetëm deputetët marioneta, por, tragjikisht, edhe Presidentin e Republikës; dhe së dyti, PD-ja zbuloi në krejt lakuriqësinë perverse se misioni i saj nuk ka qenë kurrë reforma universitare, por e kundërta, sundimi politik i universiteteve. Ligji që nuk po ankimohet e plotëson më së miri këtë ambicie totalitariste të PD-së së sotme, sepse ai është ndërtuar i tillë që e bën qeverisjen politike jo vetëm pjesëmarrëse, por edhe sunduese në qeverisjen universitare. Kjo gjë rrit shanset për abuzim nga qeveritarët e sotëm, sigurisht, por në të njëjtën kohë lë gati një terren universitar të përçudnuar, gati për t’u abuzuar politikisht menjëherë sapo ëndrra e kthimit të PD-së në pushtet të bëhet e vërtetë.

* * *

Të gjitha përpjekjet për të karakterizuar heqjen dorë të PD-së nga ankimimi i ligjit të arsimit të lartë në Gjykatën Kushtetuese ekzaktësisht në kohën kur shansi i rrëzimit të tij kishte një probabilitet të lartë, përfundojnë te fjala “shitje”. Të heqësh dorë nga një betejë politike në kohën kur je pranë fitores nuk do të mund të karakterizohej ndryshe. Por, ndryshe nga një ndeshje futbolli, PD-ja nuk ka shitur vetëm procesin politik, madje as vetëm universitetet, interesat e tyre. Është bërë kristal e qartë se këtë radhë PD-ja ka shitur veten. PD-ja, të paktën që sot e tutje, nuk u takon më demokratëve. Ajo ka përfunduar së qenë një mbrojtëse e interesave të shqiptarëve. Një mbrojtëse e interesave të universitarëve aq më shumë. PD-ja është shitur diku. Ose dikush e ka blerë atë. Duke shënuar aktin më pervers në historinë politike të tranzicionit të këtij vendi. Duke shtuar në spektrin e tij ngjyrën më të zezë që ka pasur ndonjëherë.

* * *

Brenda konstatimit se PD-ja është shitur ka shumë pyetje për t’u bërë. Pse u shit p.sh., ose kush e bleu, ç’hall i madh e shtyu atë parti që doli nga dhembja e thellë e këtij populli të shesë veten; pastaj, me çfarë çmimi, në ç’rrethana. Ata më të stërviturit në tregun e pistë të politikës së këtij vendi mund të vazhdojnë të hyjnë në detaje nga më të çuditshmet. Si p.sh., ç’u përfitua në këmbim, pra, u shit me para apo me klering; ose, ç’kurs këmbimi kishte monedha politike në kohën e shitjes, pra, sa deputetë mund të bliheshin me shumën që partia shiti veten ose sa kryetarë bashkie, sa ambasadorë, sa ambicie familjarësh. Por le t’i lëmë analistët e ferrit të merren me errësirën dhe të shtrojmë pyetjen më esenciale, së cilës nuk do të mund t’i shpëtosh kurrë pa e bërë dhe prandaj, edhe pa iu përgjigjur: a mund të shitet një parti? Ose, që është e njëjta gjë: a është PD-ja e sotme, potencialisht, një parti që mund të shitet?

* * *

Shitja, në kuptimin klasik të saj, ndodh vetëm kur një malli i ndërrohen pronarët. Në këtë pikëpamje, që të ndodhë shitja e një partie, ajo duhet të ketë një pronar, së pari, dhe duhet të trajtohet prej tij si një mjet fitimi, pra si mall, së dyti. Politikisht, votuesit e një partie mund të konsiderohen aksionerë, pra edhe pronarët e saj. Ky është rasti i çdo partie demokratike. Përmes votës së tyre ata zgjedhin administratorët, që në rastin politik quhen lidershipi i partisë. Lidershipi ka një mandat të qartë në mbrojtje të interesave politike të partisë dhe mosrespektimi i tij i kushton humbjen e pozitës politike në zgjedhjet e radhës ose, edhe pa i arritur ato kur konstatohen shkelje të rënda të këtij mandati. Në këto kushte, partia nuk mund të shndërrohet në mall (nuk mund të ndërrohet një grup votuesish me një grup tjetër), ashtu sikundër lidershipi i zgjedhur me votim të lirë dhe transparent nuk mund të quhet në asnjë moment pronar i saj. Shitja bëhet e pamundur, në të gjitha kuptimet.

PD-ja ka kohë që nuk funksionon kështu, në asnjë pikëpamje. Tragjikisht, PD-ja nuk e investoi kapitalin politik të fituar në fillim të viteve ’90 për forcimin e demokracisë brenda vetes, por për të kundërtën, për ngritjen dhe forcimin e kultit të individit të z. Berisha. Kjo sjellje politike i ka kushtuar shumë shtrenjtë PD-së dhe mund të kualifikohet si një shkak esencial në prapambetjen politike të saj, ashtu si edhe një nga pengesat më të mëdha në tranzicionin e Shqipërisë. Çimentimi i kultit të individit e çoi PD-në deri në një ngurtësim të ngjashëm me atë të një partie-shtet, çka e shkëputi lidershipin e saj nga votuesit dhe akoma më shumë, transferoi te një individ i vetëm atë kult që do të duhej ta kishte partia si një e tërë, anëtarësia, votuesit e saj në përgjithësi. Spontanisht, PD-ja rrëshqiti drejt një partie që komandohej nga një njeri, me një mandat të përvetësuar. Një mandat që, pak a shumë, e shndërroi z. Berisha nga lider të një partie normale demokratike, në autoritarin e saj. Në kushte të tilla, tinëzisht, lindi mundësia e shndërrimit të partisë në mall, ashtu sikundër edhe e liderit të saj në pronar.

* * *

Janë të gjitha shenjat që kryetari zyrtar i PD-së, pavarësisht aktrimit, është një i “ngarkuar me punë” në drejtimin e partisë. Pronari ashtë po ai që ka qenë, sepse është kulti i individit ai që vazhdon të sundojë PD-në, duke zëvendësuar të gjithë mekanizmat e tjerë moralë, politikë dhe ligjorë. E gjitha kjo, në ditët e sotme, konfirmohet të paktën nga dy fakte: mjegullimi i humbjes skandaloze të zgjedhjeve lokale, duke i rrethuar ato ose me heshtje ose me analiza të pasinqerta, së pari, dhe së dyti, krijimi i një kryesie jo politike të PD-së, me njerëz që kanë përgjegjësi në nivel teknik, për sektorë të caktuar, por jo për zgjidhjet politike në nivel vendi. Çka e bën atë, kryesinë, lehtësisht të komandueshme. Sapo është identifikuar edhe prova e fundit: ndërprerja e betejës politike mbi ligjin për arsimin e lartë në interes të një pale tjetër! Pa pyetur askënd. Në kundërshtim me interesin e PD-së, votuesve të saj, shqiptarëve.

"Shqip"

Comments

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.