Zani i ndërgjegjes refuzon heshtjen
Këto vitet e fundit në Republikën e Rusisë ka fillue nji lëvizje mbarëpopullore që synon inkurajimin për nji diskutim të krimeve komuniste gjatë periudhës ma të keqe të historisë ruse, vitet e satrapit aziatik, J.V.Stalin. Lëvizja ka përqafue nji “Projekt” për nderimin e kujtimit të viktimave.
Ky “Projekt” ka marrë emnin “Adresa e fundit”, disponon mjete modeste, e përbahet nga vullnetarë, aktivistë, gazetarë, profesorë, artistë, studentë që kanë marrë përsipër si mision me zgjue opinionin publik rus nga letargjia e harresës, ngritjen e ndërgjegjes qytetare, e ringjalljen e kujtesës për viktimat e stalinizmit, sidomos ata të pastrimit masiv, kriminel dhe të padënuem të viteve 1937-38 (të njohun në histori si “terrori i madh”).
Besohet se vetëm në qytetin Shën Petersburg (ish-Leningrad) gjatë atyne viteve janë ekzekutue rreth 48.000 viktima të pafajshme me gjyq, shumica pa gjyq. Numri i përgjithshëm i viktimave për 16 muejt e “spastrimit të madh” arrin shumën 740.000 qytetarë të ish-Bashkimit Sovjetik.
Me gjithë enormitetin e kësaj masakre, nuk duhet harrue “dënimi me vdekje nga uria” e viteve 1927- 28, sidomos në Ukrainë. Numri i viktimave fshatare e familjet e tyne arrin në 7-8 milionë qytetarë të pafajshëm., Trashëgimi stalinian ka qenë jashtë çdo proporcioni, nji monstruozitet që dënon sistemin dhe shërbyeset e tij, anëtare të PK(b)të BS. Fatkeqësisht, ky sistem u përqafue nga komunistët shqiptarë…!
Ndërmarrja thellësisht njerëzore e “Projektit”, “Adresa e fundit” që fisnikëron popullin rus ashtë relativisht e thjeshtë. Në banesën e fundit ku ka jetue viktima, vendoset nji pllakë e vogël me emnin, datëlindjen, datën e arrestimit, ekzekutimit ose daljes nga gulagu për ata që mbijetuen.
Në shumë raste ky akt kujtimi që vendoset në murin ose derën e shtëpisë së fundit të viktimës ngjall shpresën se popullsia rreth e rrotull banesës do të fillojë “dialogun” mbi të kaluemen kriminale, dhe do të mësojë ma shumë për këtë periudhë përbindëshe që u mbajt sekret për shumicën e popullsisë së thjeshtë.
Kështu, sensi i ndërgjegjes qytetare të popullsive vendëse do të ngrihet, sensibilizohet dhe eventualisht mobilizohet për veprim. Qëllimi i fundit? Kurrë ma diktaturë, çfarëdo ngjyre qoftë! Kjo nismë fisnike ka përballue rezistencë të madhe.
Shumica e popullsisë ruse nuk e ndien veten të qetë, qoftë nga kujtimet e frikës së madhe të së kaluemes, qoftë për arsye se kanë “përkrahë” regjimin e terrorit stalinian, bashkudhëtarë me dhunë ose me dëshirë, dhe ndiehen të turpnuem që kanë mbajtë heshtjen gjatë ditëve kur ishte moralisht imperative me ngritë zanin e protestës.
Shoqënia ruse, gjithashtu, ashtë jotolerante kur bie fjala për “lavdinë e ish-Bashkimit Sovjetik”. “Na kemi fitue ‘Luftën e Madhe Patriotike’ kundër nazizmit. Nuk ashtë nevoja të pakësojmë lavdinë e kësaj lufte me tregimin e abuzimeve të atyne viteve…” Nji logjikë e këtillë perverse shihet edhe te disa shqiptarë në interpretimin e LANCL. Unë i quej “hijet e zeza”.
“Qëllimi i jonë,” deklaron nji nga organizatorët, Sergei Porkhomenko, “nuk ashtë me mbulue të gjithë vendin me pllaka përkujtimore, por me bashkue të gjithë popullsinë”. Ai filloi këtë lëvizje mbasi kishte vizitue Gjermaninë ku luftohet pa mëshirë nazizmi dhe regjimi i tij në çdo vend, çdo ditë e ma shumë. Simbas tij, kjo nismë nuk pati përkrahjen fillestare sepse filloi në nji kohë kur Rusia ishte në vitet e kaosit për arsye ekonomike, pabarazisë frikësuese në mes vorfënisë dhe pasurive marramendëse të korrupsionit masiv dhe nga nji sens depresioni që mbuloi vendin mbas prishjes dhe evolucionit të Perandorisë sovjetike.
Ne përgjithësi, “…edhe sot shoqënia ruse jeton në nji atmosferë apatie dhe me mentalitetin e atyne që kanë humbë individualitetin e tyne si pjesëtarë të ish-perandorisë”: shkruente rishtas gazetarja Sabrina Tavernese, në “The New York Times”. Vetë Presidenti i Republikës së Rusisë, V. Putin, deklaronte: “…shkatërrimi i perandorisë sovjetike ka qenë tragjedia ma e madhe e shekullit XX”.
Z.Putin nuk konsideron si fitore historike për të gjithë popujt e ish-B.S. ramjen e diktaturës ma të urryeme në historinë e të gjitha kohëve dhe në të gjitha vendet dhe fillimin e nji jetë të re për nji botë të re, relativisht të lirë për afër 300 milionë qenie njerëzore.
Nji mentalitet i këtillë e ban atë nji shkelës me dhunë të vullnetit të popullit rus, dhe të 15 republikave të-ish B.S., sot të pavaruna. “Adresa e fundit” shikohet edhe si përpjekje e individit me kundërshtue histerinë nacionaliste të kolektivit rus me anë të tregimeve të krimeve të së kaluemes jo të largët, simbas dëshmive të viktimave që e kanë përjetue. Familjarët e viktimave paguejnë afërsisht 50 dollarë për nji pllakë të vogël që në përgjithësi ashtë mjaft e thjeshtë.
Vetëm viktimat e konfirmueme me dokumentacion kanë të drejtën e pllakës përkujtimore që vendoset në derën/murin e ndërtesës. Kjo veprimtari kryhet nga vullnetarë ish-të përndjekun. Shpeshherë, ngjan që ish-të ekzekutuemët kanë qenë denoncue nga shokët, fqinjtë, ose të panjohunit që për motivet ma të ulëta, kanë përfitue objektet e pajisjet shtëpiake të konfiskueme nga “shteti”: nji pallto dimni, nji palë rroba, këmisha, kravata, nji sahat dore, këpuce ose nji karrige…
Nji informator me emnin “televizioni” sepse raportonte çdo ditë nji fatkeq në Polici, mori nji apartament dhe nji racion bukë ma shumë gjatë viteve të luftës. Tjerë informatorë morën të holla. Viktimat e “televizionit” kanë qenë 127 intelektualë të arrestuem. Zbulimi e demaskimi i krimeve staliniste nuk ashtë nji subjekt që kënaq të gjithë popullsinë ruse; përkundrazi, shumë persona preferojnë me mbajtë heshtjen: le të vdesë e kaluemja me harresë!
Ajo që kambëngulin aktivistët e “Adresa e fundit” ashtë denoncimi i heshtjes, zbulimi i të gjithë krimeve sepse”… janë pjesë e asaj që na jemi, janë pjesë e pandame e historisë sonë” thotë nji aktiviste. Me luftue grupet që kundërshtojnë “Projektin” që kanë mbështetjen jo të hapët të Qeverisë, ashtë në vetëvete nji luftë me mbrojtë identitetin e rezistencës antikomuniste, për të gjithë viktimet; ashtë nji përpjekje me detyrue Qeverinë me thye heshtjen që vret, e me ndërmarrë shqyrtimin e krimeve staliniane.
Të ashtuquejtunat “ditët e mira me Stalinin” janë ndërtue faktikisht mbi kufomat e miliona qytetarëve, mbi gjakun e derdhun nga ata që kundërshtuen “të Keqen”, përgjigjen ish-të persekutuemit që punojnë me evitue vdekjen e tyne të dytë: harresën…
Natyrisht, për shumë familjarë pllaka e kujtimit shërben edhe si pllakë vorri, sepse shumica e viktimave nuk kanë pasë varrim dinjitoz, dhe gjurmët e kufomës tyne i ka zhdukë koha, ose dora e pamëshirëshme e kriminelit. Me këtë rast, bashkë me vendosjen e pllakës “Adresa e fundit” disa familje ruse të persekutueme shtrojnë tryezë për miq e të afërm me rikujtue drekën e ngushëllimeve në kohët normale, e në shoqënitë e qytetnueme.
“Në kujtim të atyne që vdiqën pa faj!” ashtë përshëndetja e zakonshme. Dhe “ka qenë nji burrë/grue me talent” për ata që janë shque në jetën e tyne publike. Shumë të tjerë vizitojnë, shikojnë, luten e largohen me lotë në sy. Vdekja nuk lejon kthim! Gjatë nji ceremonie të këtillë, nji zonjë 66-vjeçare mbante katër karafile në kujtim të babës të dënuem pa faj.
“Mbas luftës baba ankohej për mospërfilljen e jetës së miliona të rinjëve rusë që u masakruen gjatë luftës. Ai fliste për sakrificat e panevojshme për vdekjet ‘pa kuptim’. Ishin urdhnat e Stalinit me sulmue kur nuk kishte asnji kuptim!” Por ajo që vret zemrën e kësaj plake janë thanjet e njerëzve të thjeshtë, pa arsim, pa kulturë, të shnjerëzuem nga propaganda komuniste e që përsërisin: “Asnji krim nga ata që fliten, nuk ka ngja!”.
Ky ashtë grushti i fundit…! Këto janë “hijet e zeza”. * * * Heshtja e sotme edhe në Shqipëri ka korruptue fitoren morale të popullit tonë deri në nji pikë sa me ba të pamundun njohjen e natyrës represive të nji rregjimi, të pamundun me projektue jetën për të ardhmen. Edhe Muzeumi ruejtës i vuejtjeve universale dhe historisë së nji kombi nuk mjafton me ngjallë ndjenjën e dhimbjes për viktimat e terrorit, të nji bote të paimagjinueshme ku kemi jetue.
Me kalimin e kohës, dhe me kalimin e nji breznie që jetoi tragjedinë kombëtare e njerëzore, përgjegjsia për transferimin e eksperiencës dhe mësimeve të marruna nga kjo brezni tek ajo që vjen, do të mbetet barrë e arsimtarëve të të gjitha niveleve të shkollave tona. Roli kryesor që luen Muzeumi në arritjen e nji qëllimi të përbashkët – kujtesa e së kaluemes dhe formulimi i së ardhmes – mund të ketë sukses vetëm me përpjekje kundër diskriminacionit të çdo natyre qoftë, dhe dënimi i tij, si dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut, e demokracia.
Karakteristika dalluese e ngjarjeve të vitit 1989 në Gjermani ashtë fakti se ata që rrëzuen Murin e Berlinit nuk kishin asnji dëshirë me e rindërtue. Komunizmi kishte humbë apelin e tij “mesianik” (sic!) që gënjeu miliona njerëz qëllim mirë. E kur masat e popujve të zgjuem sulmuen “Bastille”-t e terrorit të kuq, nuk doli njeri – as edhe nji njeri i vetëm! – të kundërshtojë, aq ma pak të sakrifikohet në altarin e nji perëndie false dhe kriminale…!
Pyetja e përherëshme që na ka lanë fenomeni “Holokaust”, pyetja mbi cilësitë e natyrës njerëzore dhe subjekti i marrëdhanjeve në mes të nji Perëndie plot mëshirë dhe së “Keqes” që vizitoi botën tonë dendsohen kur bie fjala tek “i pafajshmi”. Cilësia që predominoi viktimat shqiptare të komunizmit ka qenë “pafajsia”. Mungesa e mbrojtjes së tyne nga cilido dhe si do që të ishte e mundun ashtë faktori shqetësues…
Nuk ashtë ma nji problem shifrash sado të mëdha që të jenë ato; ashtë natyra e vetë aktit vrasës që dominon mendimin tonë – dhe dialogun në mes nesh. Ashtë pothuejse e pamundun me fillue nji jetë të re që ka kuptim! Shkrimtari italian, Primo Levi, nuk e duroi torturën e jetës mbas kampit nazist; e ndjeu veten “fajtor”.
Bani vetëvrasje, si akti final i rebelimit që nuk qetësohet. “Nuk mund të shikojmë përpara ne se nuk hjedhim sytë mbi të kaluemen, për sa kohë që nuk kemi kuptue si u bamë kështu, përderisa të kuptojmë se kemi humbe kuptimin e jetës, të qenies gjallë….” (Rosenbaum) J.V.Stalini konsideronte disa grupe ethnike që jetojshin mbrenda perandorisë sovjetike “si të pabesueshëm gjenetikisht – anmiq të klasës, për arsye të kombësisë së tyne” (N.Ferguson), prandej duhen eliminue… nji atmosferë që e kemi përjetue gjatë pushtimit serbo-jugosllav të Kosovës (1912-1999). Në vitin 1947, në bisedë me Milovan Gjilas, nënpresident i Jugosllavisë titiste, Stalini deklaroi: “Shqiptarët janë si Çuvakët tonë, qen besnikë…!”, jo njerz me dinjitet, prandej edhe i çfarosi. Shpeshherë më shkon mendja te Stalini i jonë liliputian, “nji bretkocë që deshi të fryhet si kau”.
A kishte Enver Hoxha urrejtje për “malokët” e Gegët e Veriut? Dyshoj shumë! Megjithatë, që nga viti 1997 deri në vitin 2005, me tri qeveritë e para socialiste (trashëgimtare të PPSH-së), mbas ramjes së komunizmit në Shqipëri nuk ka pasë qoftë edhe nji “malok” nga Gegët e Veriut të Shqipërisë. As që bahet fjalë për seksionin ma të persekutuem të shoqënisë shqiptare, popullsinë katolike, që u mjanue krejtësisht sikur të ishin fëmijtë e njerkës e jo të Nanës Shqipëri. Kështu nuk ndërtohet Shqipëria, atdheu i përbashkët i të gjithë qytetarëve.
Kjo gjendje shumë shqetësuese arrihet vetëm kur harrohet e kaluemja kriminale, harrohen viktimat e së kaluemes sonë kriminale. Kjo ashtë nji rrugë pa krye! Gjatë nji vizite në Shtetet e Bashkueme të ish-kryeministrit Ilir Meta, unë e pyeta publikisht: “Si ashtë e mundun që nuk ka në Qeveri nji ministër nga Veriu?”. Ai qeshi me qesëndi, dhe u përgjegj: “Kemi, kemi, ja ku kemi Arben Imamin… Ka nënën nga Shkodra” (sic!) Unë heshta!
Panorama
Add new comment