Qeveria nuk i ka ulur pagat! Është më keq se kaq

Postuar në 29 Gusht, 2015 19:18
Dritan Shano

Qeverisë i ka ngelur Qeverisja në dorë. Të dhënat më të fundit të INSTAT thjesht konfirmojnë këtë. Që të mos ngatërrojmë mollët me dardhët. Qeveria nuk i ka ulur pagat. Ajo thjesht e ka mbajtur nivelin e tyre pa ndryshuar. Dhe nuk i ka axhustuar ato me inflacionin. Domethënë, ai që merrte një rrogë 50.000 lekë, vazhdon të marrë rrogë 50.000 lekë. Nuk është se merr në dorë më pak, të themi 48.500 lekë. Ajo që ka ndodhur është më keq se kjo, sepse është më e thellë, më e pandreqshme dhe do të vazhdojë më afatgjatë. Natyrisht, përveçse kur Qeveria të heqë dorë nga politikat e saj ekonomike, fiskale dhe rregullatore që e kanë zhytur ekonominë shqiptare në depresion të thellë, në më pak se dy vjet që kur ka marrë pushtetin.

Për shkak të politikave fiskale dhe (jo) zhvillimore të qeverisë socialiste gjatë viteve 2013-2015, shqiptarët me rrogë 50.000 lekë sot blejnë nga 1.1 deri në 6.6 për qind më pak mallra dhe shërbime sesa blinin një vit më parë. Pra, rroga e tyre reale është 46.700 lekë. Ose më saktë, nëse ata blinin me rrogën e tyre 100 vezë, tani ata arrijnë të blejnë 93 deri në 98 vezë. Banka e Shqipërisë, me ndershmërinë e saj, e ka raportuar këtë gjë që në fillim të këtij viti, dhe tashmë edhe INSTAT pashmangshmërisht është i detyruar ta thotë të njëjtën gjë. INSTAT raporton se paga reale në sektorin publik është ulur me 1.1 për qind, ndërsa në atë privat me 6.6 për qind. Ky është niveli me sa janë varfëruar shqiptarët drejtpërdrejt për shkak të politikave dhe performancës qeveritare, që nuk kryen investime publike, që sheh se si eksportet rrudhen çdo tremujor, dhe se si shqiptarët ikin nga sytë këmbët.

Për më tepër, Qeveria nuk parashikon të ruajë nivelin e fuqisë blerëse të shqiptarëve për periudhën 2016–2018, sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 695, datë 31 korrik 2015, i cili rishikon në tkurrje të gjitha parashikimet makrofiskale. Njëherësh të gjithë pensionistët (rreth 450.000 shqiptarë), nuk do të kenë rritje pensionesh gjatë të njëjtës periudhë. Me këtë qeverisje është e sigurt që në 3 vitet që vijnë shqiptarët, të rinj dhe pensionistë, do të jenë të detyruar të shtrëngojnë rripin edhe më. Në sektorin publik dhe atë privat. Për vullnet të Qeverisë ata nuk kanë të drejtë të jetojnë. Vetëm të mbijetojnë!
"Panorama"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.