Centralet bërthamore në Bullgari/ Spostohet Rusia, SHBA merr rolin e furnizuesit

Postuar në 19 Mars, 2024 18:30

Rusia po humbet kontrollin mbi rrjetin energjetik të Bullgarisë dhe vendin e saj mund ta zërë Amerika.

Bullgaria, e cila ndërtoi stacionin e saj të vetëm bërthamor me mbështetjen e Bashkimit Sovjetik pothuajse 60 vjet më parë, tani po pret mbështetjen e SHBA-ve, falë dërgesave të të cilave shpreson të kthehet ndër vendet e para të ish-Traktatit të Varshavës që i japin fund varësisë prej dekadash nga Rusia.

Tsanko Bachiiski, kryetari i Agjencisë Rregullatore Bërthamore të Bullgarisë, njoftoi javën e kaluar se karburanti bërthamor i prodhuar nga firma amerikane Westinghouse, do të dërgohet nga Suedia në muajin e ardhshëm dhe vihet në funksion që nga maji në njësinë pesë të Stacionit të Energjisë Bërthamore Kozloduy.

Kjo lëvizje përfaqëson një hap simbolik për Bullgarinë, e cila ka mbajtur prej kohësh lidhje të ngushta me Rusinë politikisht dhe ekonomikisht. Kjo mund të nënkuptojë njëkohësisht humbje të të ardhurave për Moskën, e cila është mbështetur pjesërisht në tregtinë e saj shumë-miliardë dollarëshe në karburantin bërthamor për të financuar mbi dy vjet luftë në Ukrainë.

Rregullatorët bullgarë thonë se nuk parashikojnë probleme të mëdha për kalimin nga furnizimi rus në atë amerikan. Megjithatë, ky hap është vetëm i pari në një seri lëvizjesh që do t’i hiqnin Moskës kontrollin mbi sigurinë energjetike të Bullgarisë.

Bullgaria nuk është e vetmja që mbështetjet te Rusia për karburant bërthamor. Republika Çeke, Sllovakia, Hungaria dhe Finlanda kanë mbajtur të gjitha importet ruse të karburantit bërthamor që nga fillimi i luftës në Ukrainë, pavarësisht përpjekjeve për t’i shpëtuar varësisë nga nafta dhe gazi i Moskës.

Bellona, një institut kërkimor, vlerëson se vendet e BE-së në fakt i dyfishuan blerjet e karburantit bërthamor rus vitin e kaluar, duke paguar një total prej 686 milionë euro, krahasuar me 280 milionë euro një vit më parë. Një flotë prej 19 reaktorësh uji të projektuar nga sovjetikët, të njohur me akronimin rus VVER, të ndërtuar në Evropën Qendrore dhe Lindore gjatë shekullit të kaluar, është arsyeja e rritjes së kërkesës.

Westinghouse, firma amerikane që do të furnizojë Bullgarinë, po punon paralelisht për të ndërtuar atje dy reaktorë të rinj me një kosto prej rreth 14 miliardë dollarë.

Në SHBA, kompanitë vendase po punojnë për të rihapur minierat e uraniumit të mbyllura më parë për shkak të kërkesës në rënie, duke sjellë një rigjallërim të mundësive bërthamore.

Por ndërkohë që Bullgaria po përpiqet të shkëputet nga Rusia, fqinji i saj, Hungaria, nuk ka plane të tilla.

Firma shtetërore ruse e energjisë bërthamore Rosatom po punon për të zgjeruar stacionin e energjisë bërthamore të Hungarisë Paks II dhe do ta nisë ndërtimin në vitin 2025. Kryeministri hungarez Viktor Orbán, i cili ka kundërshtuar vazhdimisht presionin perëndimor dhe ka mbajtur marrëdhënie miqësore me Kremlinin, është zotuar të vërë veton ndaj sanksioneve mbi sektorin bërthamor civil të Rusisë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.