Gjykimi bivalent “i zgjedhësve” dhe “të zgjedhurve” shqiptarë

Postuar në 16 Maj, 2023 21:32
Jak Simoni

 

Realitetit fals, të krijuar nga mediat për të maskuar realitetin e vërtetë në të cilin gjenden shqiptarët, i korrespondon një realitet politik po ashtu i inskenuar. Momenti kulmor i këtij inskenimi janë votimet. Duke ditur mënyrën, me origjinë të hershme primitive, bivalente (me dy mundësi të vetme) të menduarit e të gjykuarit të shqiptarëve,  vihet në skenë një ofertë gjoja e polarizuar me dy formacione  politike të majtë dhe të djathë, ku, në fakt, po të shikohen politikat e mëparshme të tyre, fare mirë mund tu ndërrohen etiketat. Për ato pak shqiptarë që kanë  mbetur në Shqipëri, të cilët mund mos jenë pjesë e këtyre formacioneve, e administratës apo që nuk blihen, nuk ka një mundësi të tretë. Bazuar tek kjo mënyrë mendimi, në këtë inskenim mungon çdo lloj oferte e ndërmjetme apo e re.

Po të bëhet një krahasim me ngjyrat, mungojnë tërësisht ngjyrat e ndërmjetme. Thuajse në të tëra bashkitë mundësitë për zgjedhjen e kryetarit ishin vetëm dy e, siç po shohim, çdo diskutim fillon e mbaron po tek kryetarët. Për këshillat bashkiake akoma nuk po flitet. Dhe po mos të  numërohen fare, ashtu si në katër vitet e shkuara, asgjë nuk do ndryshojë në vendimmarrjet e ardhshme. Aq sa vend kanë në media këto dy ditë do të kenë në  vendimmarrjet e ardhshme.

Ja vlen për një inskenim të tillë të harxhohen miliona euro për infrastrukturën zgjedhore, fushatën, posterat, transmetime televizive maratonë etj.? Në fund të fundit çfarë bëjnë kryetaret e bashkive: shkulin pemë, mbjellin pemë, prishin trotuare për të ndërruar format e betonuara me më moderne, zbukurojnë fasadat, dekorojnë për festa, ndriçojnë rrugë ku nuk ka trotuare e kalatë ku  gjatë natës kalojnë vetëm qentë e macet. Në fund të fundit nuk bëjmë gjë tjetër, veçse kontribuojnë në misionin modern të ndotjes së ambientit.

Ndoshta do ishte  mirë një rishikim i kompetencave në shembullin  e reformës territoriale që u bë shumë vite më parë. Para saj kryetarët e komunave ishin njëlloj si beu i fshatit jo me kalë por me foristradë. T’u reduktohen kompetencat. Në këtë mënyrë do ruhej më shumë ambienti e do evitoheshin “emocionet e mëdha” elektorale ndërmjet dy legjislaturave. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.