Të mos e harrojmë heshtjen e PS-së për aferat e Zdromsit

Postuar në 06 Maj, 2024 22:48

Erjon Veliaj, kryebashkiak i Tiranës, ka deklaruar sot në një intervistë se ai nuk ka fare frikë dhe as droje nga SPAK. Se e bën gjumin të qetë, sepse ai ka patur gjithë kohës shqetësimin e interesit publik dhe se askush nuk mund të dalë të thotë se Erjon Veliaj “më ka kërkuar këtë apo atë gjë”. Është padyshim një ndër ato spazmat e sëmundjes së tij të përjetshme të maskimit të vetes deri në pikën e mosnjohjes. 

Deklarata e tij ka ardhur ndërkohë që Rithemelimi, ka njoftuar se pas 1200 faqeve dokumente padi, ka bërë gati një padi të re. Një lëvizje paradoksale kur merr parasysh se Rithemelimi sulmon SPAK nga mëngjesi në darkë, por që në çdo rast konfirmon se presioni mbi Prokurorinë e Posaçme është maksimal. Aq sa po duket se po i imponohet prioriteti i punës, duke pasuruar ta zëmë dosjen “5D” me elementë të rinj që lidhen me Zdromsin.

Në të gjithë këtë lëmsh në suazën e të cilit është pranuar se ka abuzime me inceratorin e Tiranës dhe se me kompaninë e drejtorëve janë bërë gabime që kushtojnë sipas raportimeve të deritanishme 23 milion euro, nuk ka asnjë reagim politik nga Partia Socialiste. Një heshtje që nuk lë vend shumë për interpretim sepse megjithë alibinë zyrtare të moskomentimit të punës së drejtësisë, kjo parti ka edhe një përgjegjësi ndaj qytetarëve për ata që zgjedh.

Largimi nga detyra i Erjon Veliajt është një imperativ që lidhet me ristabilizimin e një besimi minimal se diçka funksionon në këtë vend përtej negociiimit dhe shantazhit. Se promovimi vjen edhe më përgjegjësinë dhe përgjegjshmërinë. Qëndrimi në detyrë nuk ka të bëjë me rezultanten e mbështetjes në media apo nga media, por me një raport moral që nuk është teorik dhe as utopik. Është standard ri-energjetizues për politikën që po minon tashmë çdo opsion për kohezion me një pjesë të shëndetshme të shoqërisë.

Vallë korrupsioni i Bashkisë dhe drejtorëve është vetëm punë e SPAK dhe perceptim i njerëzve që nuk janë pjesë e PS-së? Asnjë njeri në PS nuk ka dyshime se ka diçka që nuk shkon? Se ka abuzime të mëdha?

Askush në PS nuk mendon se Zdromsi ka konsumuar shumë energji edhe të asaj partie, se ka marrë detyra dhe promovim pa asnjë meritë reale?

Heshtja dhe cinizmi që manifestohen tani nga socialistët e mandatit të tretë, është padyshim tregues pushteti dhe arrogance, por është e sigurtë se nesër, kur gjërat të ndryshojnë, kjo sjellje ka për t’u rikapitalizuar nga të tjerë me një arrogancë shumë herë më agresive. Dhe kur socialistët e pasuruar me analistët e tyre që lehin sot dhe nesër do të kuisin për të drejta dhe demokraci, do të jetë normale të thuhet apo të dëgjojmë: Grushta dhe pështyma surratit këtyre veremlinjve që morën në qafë një vend të tërë! Fundja është një fjali që origjinon nga kultura dhe partia e tyre. 

Ose merruani lekët një më një, të paguajnë edhe për daljen nga shtëpia. Konflikti civil nuk do shumë të mahiset, ai nis fillimisht nga smira, përçmimi, urrejtja, arroganca dhe përjashtimi. Dhe nuk sjell asnjëherë progres. Por nëse ka një përgjegjësi për këtë nesër, kjo është e qartë se lidhet me një parti. Që sot hesht, fshihet dhe mbron kështu një individ që është epitaf i çdo lloj morali politik, premisë për një stabilitet minimal.

s.zaimi

Comments

Submitted by Dori (not verified) on

Nuk ka paradoks. Padite paralajmerohen, behen publike dhe dergohen ne SPAK. Qellimi eshte venia e tij nen presionin e fakteve the opinionit publik. I vene para fakteve uleritese, SPAK ose duhet te veproje ose do te diskretitohet perfundimisht, gje qe nuk u leverdis aspak si regjimit ashtu edhe nderkombetareve qe e mbeshtesin. Keshtu ai eshte i denuar te veproje. Pikerisht ketu eshte fushebeteja politike e tanishme. Nese vepron me shume se c'i duhet pushtetit, mund te hap shtegun e rrezikshem per t'i bere udhe efektit domino. Rama ka leshuar shume te tjere, por leshimi i Velijat ka kete rrezik per te.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.