Ky nuk është Viktimë pavarësisht qurrave të gazetarëve dhe megallomanisë së avokatit
Sot publikohet në mediat e qeverisë një reagim i avokatit të ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, Emral Yzeiraj. Në zakonin tonë kombëtar për t’i bërë moral gjithë dynjasë, z. Yzeiraj bën një parashtrim të gjatë të asaj që ndodhi në komisionin parlamentar, ku sipas tij Beqajn, pra klientin e tij, e trajtuan në mënyrë çnjerëzore dhe iu shkelën të drejtat e njeriut.
Zoti Yzeiraj ecën më tej kur me pozën e profetit thotë se “historia nuk do ta harrojë këtë precedent të rrezikshëm” apo se “ky komision mbetet një shembull i qartë sesi arrogance dhe frika përballë të vërtetës mund të shkatërrojnë procesin demokratik”. Ai vazhdon duke nënvizuar kërkesat e së ardhmes sonë për të mbyllur mesazhin e tij gati elegjiak për paaftësinë e PD-së që e ka çuditur, me një thirrje që mediat të monitorojnë procesin ndaj z. Beqaj në gjykatë.
Ju falenderojmë për mbështetjen!
Për çfarë falenderon ky avokat që ka marrë rolin e drejtorit të marrëdhënieve me publikun të ish-ministrit të Shëndetësisë, akuzuar për batërdi me fondet publike?
Pse duhet ta shohë dikush praninë e medias si mbështetje dhe jo punë të sajën, të shkëputur nga rënkimi prej padrejtësive që na i qenka bërë Ilir Beqajt? Një arsye mund të jetë mënyra sesi e sheh ky avokati këtë çështje, tjetra mund të jetë punë demagogjie që e kanë në gjak sorollopi i të majtëve, tjetra se nuk përjashtohet që në argalisjen që u bë në Komision të ketë patur gazetarë e gazetare – me nder tyre – që kanë shprehur solidaritetin për viktimën e saposhpikur me emrin Ilir Beqaj.
Uaaa, sa turp! Uaaa me pranga! Uaaa aashtu e uaaa kështu, dhe ja sesi gratë e medias shpojnë shpritin e ndjeshmërive me keqardhjen humane që kaq shumë i karakterizon. Kush punon në media e di se përpara se të ketë të bëjë me njerëz të gazetarisë ka të bëjë me gra apo shokë të dikujt. Ndaj edhe ky avokati cilëson mbështetje një prani që është detyrim ndaj zbardhjes së hajdutërive të mundshme të klientit të tij.
I cili sot na qenka viktimë, na duhet të kërkojmë ndjesë, madje-madje të shkojmë ta takojmë në qeli. T’i çojmë mesazhe: mbahu Ilir! Suksese në jetë Ilir!
Nuk ka faj avdalli Beqaj që kapardisej kur ishte ministër, faji është i joni, që jemi ca kalbësira të gjithë.
s.zaimi
Add new comment