FMN: Qeveria të bëjë transparencë për koncesionet
Ky vit shënon fundin e dy kontratave koncesionare shumë të diskutuara: ajo e pullave fiskale dhe koncesioni i markimit të karburanteve.
Që prej 1 janarit të vitit 2025, prodhimi dhe shpërndarja e pullave fiskale do të realizohet nga shteti.
Po ashtu, ky vit shënon edhe fundin e koncesionit të markimit të karburanteve, të cilin qeveria e zgjati edhe me një vit me një VKM të gushtit të kaluar.
FMN, e cila ka paralajmëruar disa herë për rreziqet që paraqesin kontratat koncesionare, i rikthehet sërish kërkesës për transparencë nga ana e qeverisë shqiptare.
Në përfundim të një vizite që një ekip i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka zhvilluar në Shqipëri gjatë 9-12 korrikut 2024, qeverisë shqiptare i bëhet thirrje të reflektojë në raportet vjetore efektivitetin e këtyre kontratave.
“Ne mirëpresim miratimin e Strategjisë së Menaxhimit të Financave Publike dhe bëjmë thirrje për funksionalizimin e plotë të një kuadri të forcuar të menaxhimit të investimeve publike, si dhe përparim të mëtejshëm në reformat e partneritetit publik-privat (PPP). Në këtë drejtim, plotësimi dhe nxjerrja e raporteve vjetore 2022 dhe 2023 për PPP-të dhe koncesionet janë të mirëseardhura dhe ne inkurajojmë publikimin në kohë të raporteve të ardhshme. Deklarata pilot e pavarur e rrezikut fiskal është një hap kyç në forcimin e menaxhimit të rrezikut fiskal. Për më tepër, progresi konkret në rritjen e qeverisjes dhe mbikëqyrjes së ndërmarrjeve shtetërore vazhdon të jetë vendimtar për ruajtjen e qëndrueshmërisë fiskale”, thuhet në deklaratën e FMN.
Fondi Monetar Ndërkombëtar konstaton se rritja e ekonomisë me 3.5 për qind në vitin 2023, mbi parashikimet e vetë fondit, është përcaktuar nga konsumi privat elastik, me fuqi të dukshme në aktivitetin e turizmit dhe të ndërtimit.
Rreziqe të tjera sipas FMN për ekonominë shqiptare mbeten kriza të mundshme në sektorin energjetik dhe ndryshimi i papritur i kursit të këmbimit.
Rreziqet janë përgjithësisht të balancuara. Aktiviteti turistik më i fortë se sa pritej është një rrezik i rëndësishëm pozitiv. Tensionet e rritura gjeopolitike përfaqësojnë një erë të madhe potenciale, ndërkohë që ekonomia mbetet e ndjeshme ndaj rreziqeve të goditjeve të sektorit energjetik të lidhura me motin dhe një ndryshimi të papritur të kursit të këmbimit. Në afat të mesëm, progresi në reformat sipas planit të ri të rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor mund të nxisë rritjen potenciale, ndërkohë që tendencat demografike përfaqësojnë një rrezik kyç të rënies.
Add new comment