Parajsat e vërteta janë parajsat, që kanë humbur

Postuar në 28 Shkurt, 2023 22:14
Kristina Galonopulu

 

Është autori, të cilit i detyrohemi jo vetëm poetikën absolute të kohës -  si shëruese, hakmarrëse, varrmihëse, ruajtëse e mësonjëse - por edhe përkufizimet më të përkora për dashurinë, vdekjen dhe shkatërrimin, që sjell zvetënimi i kohës.

Marsel Prust, i cili lindi në 10 qershor 1871, përfshihet në radhën e atyre ushtarëve të letërsisë, që duhet së pari t’i refuzojnë shumë herë, që të bëhen flamurtarë dhe burim referimi kohë më pas, kryesisht falë pezmit dhe besimit në vetvete dhe manisë së tyre me letërsinë.

Të gjithë sot, madje dhe ata që nuk e njohin tërësinë e veprës së tij letrare, i përulen forcës së kujtesës njerëzore, ashtu siç përshkruhet në opusin e tij “Në kërkim të kohës së humbur”. 

Pak njerëzve u kujtohet, që Prusti u refuzua fillimisht nga Andre Gide, “gjenerali” i redaktorëve të kolosit botues “Nouvelle Revue Française”, për t’i kërkuar falje një vit më pas.

Dhe si mund të ndodhte ndryshe, përderisa Prusti, veçanërisht në këtë vepër, përfshiu krejt magjinë e përshkrimit dhe të vëzhgimit.

Përpos kësaj, personaliteti i veçantë i Prustit - i mbyllur, i vetmuar, i brishtë - jep përmes veprës së tij përkufizimet më të matura për dashurinë - herë të ngrohta, herë cinike, por të gjitha të sinqerta - të cilat mund të shërbejnë si hartë për pjesën më të rëndësishme, por edhe më të vështirë të jetës njerëzore, dashurinë. 

1. Dashuria është shembulli më tregues, se sa pak rëndësi ka realiteti për ne.

2. Në një ndarje, ai që nuk është në të vërtetë i dashuruar, është ai, që do të thotë dhe fjalët më të ëmbla.

3. Le t’ua lëmë gratë e bukura burrave që s’kanë shumë fantazi.

4. Parajsat e vërteta janë parajsat, që kanë humbur.

5. Dëshira për diçka, e bën gjithçka të lulëzojë. Zotërimi i kësaj diçkaje, e bën gjithçka të vyshket e të bjerret.

6. Mbërrin kaq herët çasti që s’ ekziston më asgjë, që të presim.

7. Gënjeshtrat janë të domosdoshme për njeriun. Janë - ndoshta - njësoj të rëndësishme me kërkimin e epshit dhe për më tepër, diktohen nga ky kërkim.

8. Njerëzit mund të kenë shumë pasione të ndryshme. I vërteti është ai, për hir të të cilit, çdokush është i gatshëm të braktisë të tjerët.

9. Na lini të jemi mirënjohës ndaj njerëzve, që na bënë të lumtur. Janë kopshtarët tërheqës, që i bëjnë zemrat tona të lulëzojnë.

10. Koha, ajo që ndryshon njerëzit, nuk tjetërson imazhin, që kemi për ta.

11. Njerëzit që s’ janë të dashuruar, nuk arrijnë ta kuptojnë se si një burrë i mençur, mund të vuajë në të vërtetë për një grua të zakonshme. Është si të befasohesh, që kolera i zë të gjithë. Ky bacillus* i parëndësishëm..”

*Lloj bakteri, që prodhon fara

Burimi: lifo.gr

Përktheu: Eleana Zhako

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.