Kur do të marrin fund këto marifete të shëmtuara?

Postuar në 17 Janar, 2022 23:20
Skerdilajd Zaimi

 

Erdogan e tha me gojë, Shqipërinë do ta ndihmojë

Ky është vargu i një kënge(!!!) që u shfaq sot për të nderuar(?) presidentin turk Reccep Tayyip Erdogan në Tiranë. Një grup burrash të një grupi nga Mallakastra siç raportohet, veshur me ato që mund të quhen sajime të veshjeve folklorike ia morën një kënge në mes të qytetit për të dëshmuar edhe njëherë mikpritjen shqiptare. Apo jo?

Krraba në duart e solistit është dekori më sublim i vërtetësisë së këngës së dalë nga shpirti i popullit tonë, që ia solli vetes marifetin t’i këndojë edhe një spitali. Atij të Fierit.

Kushdo që ka dy pare mend në kokë, që ka pak dinjitet dhe që kupton sadopak nga kjo dynja, e ka fare të qartë se çfarë shfaqje e shëmtuar është kjo e kësaj kënge. Ajo nuk përfaqëson Mallakastrën, as Labërinë, as polifoninë. Ajo përfaqëson klinikën kombëtare ku është shtruar me sëmundje kronike dinjiteti i një shoqërie që nuk po orientohet dot. Që nuk po do të shkëputet nga komplekse të tilla; një shoqëri të cilës i duhet kaq pak për ta braktisur veten, atë Vete të cilën e ngre në piedestal për virtyte nga më heroiket.

Po për çfarë shërben kjo jargavitje e folklorizuar? Vallë i ka mbushur mendjen Erdoganit për marrëveshjen e shtatë që u nënshkrua sot? Kush e kërkon atë xhanëm? Askush me gjasë. Atë e kërkon shpirti ynë i servit, mënyra jonë bizantine, levantine për të sajdisur Tjetrin, që vetëm respekt nuk mund të ketë.

Ndoshta ahengu në këtë formë, është një mënyrë e vendeve pa dinjitet e me simbole artificiale, që të kompensojnë diçka nga serioziteti i një protokolli real shtetëror. Që kurrë nuk mori formën e duhur në këtë vend, pa adresë, pa gjeografi, e që e ka horizontin në funksion të busullës së kapitenit Sparrow. Me dallimin se atë e drejton xhepi.

Në Shqipëri po rritet një brez tjetër, që nuk ka më lidhje organike apo shpirtërore, apo edhe estetike me polifoninë. Ajo i përket një areali që nuk ekziston më, ndaj edhe me të po luajnë me gjithafarë marifetesh dhe “gjetjesh artistike”. Në këtë kuptim, do të ishte e udhës dhe dinjitoze që vlerat simbolike që ende kanë një kuptim identitar në këtë vend të mos lejohet të instrumentalizohen kaq shëmtuar sepse Miku ikën e vjen, por raporti që mbetet me atë që na e shesin për trashëgimi, tëhuajësohet kaq shumë, ose në rastin më të keq, mund të interpretohet përmes referencave të shtrembërta si kjo kënga e Erdoganit. Që është polifoni vetëm në sensin teknik, por jo tjetër.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.