Franca kërkon kontroll prindëror mbi pajisjet e gjigantëve të teknologjisë
Franca do t’u kërkojë prodhuesve të smartfonëve dhe kompjuterëve si Apple, Samsung dhe Huawei që t'u japin prindërve mundësinë për të kufizuar aksesin e fëmijëve të tyre në internet. Deputetët francezë e kanë prezantuar një ligj të tillë disa ditë më parë.
“Përballë rreziqeve të teknologjisë, ne do të ndryshojmë ligjin në mënyrë që kontrollet prindërore të instalohen si parazgjedhje në të gjithë telefonat inteligjentë, kompjuterët dhe tabletët e përdorur nga fëmijët tanë”, shkroi Macron në Twitter.
Projektligji u hartua nga Bruno Studer, një deputet i partisë së Macron, La République en Marche.
Ndërsa zgjedhjet presidenciale të Francës 2022 po afrohen, deri tani ka pasur pasiguri nëse ligji do të miratohet përpara se Asambleja Kombëtare të ndalojë punën legjislative në fund të shkurtit. Por mbështetja nga vetë Macron ka të ngjarë ta përshpejtojë procesin, pasi axhenda e parlamentit përcaktohet kryesisht nga qeveria.
“Fëmijët deri në moshën shtatë vjeçare shumë shpesh përballen me përmbajtje të dëmshme dhe të dhunshme në internet dhe sistemet aktuale të kontrollit prindëror shpesh janë shumë të komplikuara për t'u vendosur”, thuhet në preambulën e tekstit, të cilit i referohet Politico.eu.
Me anë të ligjit të ri, Franca u kërkon prodhuesve të produkteve të tilla si laptopët, tabletët, telefonat inteligjentë etj. të instalojnë paraprakisht një sistem të kontrollit prindëror dhe të pyesin përdoruesit nëse duan ta aktivizojnë atë kur pajisja të ndizet për herë të parë. Ndërsa pajisjet si iPhone i Apple tashmë ofrojnë opsione të kontrollit prindëror, ato mund të detyrohen të ndryshojnë parametrat e tyre pasi qeveria të detajojë kërkesat. Ky draft mund t'i raportohet Komisionit Evropian në mënyrë që Brukseli të vlerësojë pajtueshmërinë e tij me rregullat e tregut të brendshëm.
Add new comment