Censusi në Kinë/Indicie për tkurrjen më të madhe të popullsisë në 50 vjet

Postuar në 01 Maj, 2021 11:22

Rreth pesë muaj pas censusit, Kina nuk ka ende rezultatet zyrtare. Zvarritja e afatit të publikimit të të dhënave ka shkaktuar një efekt domino që përfshin, për shembull, statistikat zyrtare të lindjeve, thelbësore për azhurnimin e programeve të shëndetit dhe asistencës. Janë të shumtë ata që e motivojnë këtë vonesë me kohën që i duhet qeverisë kineze për përshtatjen e planeve zyrtare me të dhënat e reja.

Dje Zyra Kombëtare e Statistikave mohoi rënien e popullsisë, një lëvizje që u duk e nxitur nga një shkrim i londinezes "Financial Times", sipas të cilës Pekini po përgatitet të komunikojë një shifër më pak se 1.4 miliardë, rënia më e madhe krahasuar me 50 vitet e fundit.

Kina ngul këmbë se popullsia është rritur përgjatë vitit të fundit. "Sipas vlerësimeve tona, në vitin 2020 popullsia jonë ka vazhduar rritjen", thotë Zyra Kombëtare e Statistikave në Kinë, duke shtuar se të dhëna të tjera do të publikohen shumë shpejt.

Por kjo mund të cilësohet një deklaratë e paqartë, pasi ajo nuk tregon nëse të dhënat e mundshme të regjistrimit të vitit 2020 i referohen dekadës apo vitit të mëparshëm. Në censusin e 2010-s, Republika Popullore e Kinës kishte 1.34 miliardë banorë, numër që sipas statistikave zyrtare ka shkuar në 1.40 miliardë në 2019. Deklaratat duket se më shumë kanë për qëllim të qetësojnë opinionin lidhur me kërcënimin që paraqet rënia demografike për zhvillimin e ardhshëm ekonomik, pavarësisht se të dhënat e disponueshme deri më tani mbi lindjet tregojnë një regres të konsiderueshëm. Për shembull, nga të dhënat e Ministrisë së Sigurisë Publike, vihet re një rënie e nivelit të lindjeve prej 15 për qind në 2020 krahasuar me 2019, me vetëm 10.035 milionë lindje të reja.

Një shifër që jo vetëm nxjerr në pah vështirësitë që hasin familjet në planifikimin dhe sjelljen në jetë të fëmijëve, por edhe dështimin e politikave zyrtare demografike, të cilat kanë kaluar gjatë pesë vitet e fundit nga detyrimi për të mos bërë më shumë se një fëmijë, te liberalizimi thelbësor.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.