Loja e rrezikshme e Boris Johnson

Postuar në 20 Mars, 2021 19:17
Serhii Plokhy - Harvard University

 

Vendimi i Boris Johnson për të rritur kapacitetin bërthamor britanik me më shumë se 40%, nga 180 në 260 koka bërthamore “Trident”, mund të interpretohet lehtësisht si një manovër e frymëzuar nga politikat e brendshme, me bazë në dashurinë e gjatë të partisë Konservatore me fuqinë bërthamore dhe politikat e fundit të Brexit. Por ky vendim ka një domethënie më të gjerë. Ai reflekton ndryshimin e shpejtë të mjedisit ndërkombëtar bërthamor dhe priret ta përkeqësojë atë.

Bota hyri në një erë të re të rrezikshme më 2 gusht 2019. Në atë ditë, fuqitë kryesore bërthamore të planetit, SHBA dhe Rusia deklaruan tërheqjen nga traktati i Armëve Bërthamore me Rreze të Mesme, nënshkruar nga Ronald Regan dhe Mikhail Gorbaçov në vitin 1987. Traktati ishte marrëveshja e fundit për kontrollin e armëve e Luftës së Ftohtë që mbetej në fuqi. Ne tani jemi zyrtarisht në fillim të një gare të pakontrolluar armësh bërthamore.

Se çfarë do të thotë kjo, u bë e qartë më 8 gusht, më pak se një javë pas braktisjes së marrëveshjes Regan-Gorbaçov.

Reaktori i një rakete të komanduar bërthamore ruse, me emrin e koduar Burevestnik, shpërtheu në detin Barenc, duke vrarë pesë shkencëtarë rusë dhe oficerë marine si dhe duke kontaminuar atmosferën dhe ujërat në rajonin e Arkangjelskut në Rusi.

Shënjestra finale e Burevestnik, siç e demonstroi përmes një videoje publike një vit më parë presidenti Putin, është SHBA. Sot, ne jemi kthyer pas në një situatë që i ngjan periudhës që i parapriu krizës kubane të raketave, kur nuk kishte marrëveshje për kontrollin reciprok të armëve dhe kur shumë vende, mes tyre Mbretëria e Bashkuar, konkuronin për të kaluar njëri-tjerin me shpenziemt në ndërtimin e arsenaleve bërthamore.

Ishte vetëm çështje fati dhe frika nga konfrontimi bërthamor i John Kennedy dhe Nikita Hrushov që shpëtoi botën nga lufta bërthamore në tetor të vitit 1962. Shoku i asaj krize çoi dy superfuqitë në negociimin e një numër marrëveshjesh të kontrollit të armëve, nisur që nga Traktati i Ndalimit të Pjesshëm të Testeve Bërthamore te marrëveshjet e kontrollit dhe kufizimit të armëve. SHSR, ose Shkatërrimi i Sigurtë Reciprok, një koncept i asociuar në imagjinatën publike me “Makinën e fundit të botës” të dr. Strangelove, i mbajti për mrekulli fuqitë bërthamore të çmobilizuara, duke ruajtur atë që Çurçilli e quante “balanca e terrorit”.

Por përpjekjet për ta ndryshuar atë balancë, siç ishte nisma “Lufta e Yjeve” e Ronald Reagan, që kërcënonte të rriste sigurinë e SHBA përtej sigurisë së rivalit të vet sovjetik, e çoi botën sërish në prag të konfrontimit nuklear. Ne ende po mësojmë sot për atë periudhë. Në shtator 1983 rreziku ishte shumë afër ku sistemi sovjetik i paralajmërimit të sulmeve raketor keqfunksionoi, duke dhënë alarm për sulm bërthamor. Rezultoi se drita e diellit duke kaluar përmes reve të lartësive të mëdha mbi Dakotën e Veriut, çoi në keqfunksionim të sistemit sovjetik. Besohet se koloneli Stanislav Petrov, që ishte atë ditë në detyrë, shpëtoi botën nga katastrofa bërthamore. Rastisi që ai e dinte se sistemi i paralajmërimit nuk ishte i besueshëm dhe refuzoi të kalonte lajmin e “një sulmi bërthamor” të SHBA komandantëve të tij, që besonin tek ai sistem.

Ajo çfarë po dëshmojmë sot është karakterizuar nga disa autorë si mbërritja e një “ere të dytë bërthamore”. Por ne jetojmë në një botë shumë më të rrezikshme dhe të paparashikueshme sesa ajo që ishim gjatë Luftës së Ftohtë. Ka patur një përhapje të paprecedentë të armëve bërthamore,  me më shumë shtete të afta për të ndërtuar një bombë që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Deri edhe regjimet e varfra, por që kanë vullnet si ai që sundon Korenë e Veriut, mund të kërcënojë një superfuqi me luftë bërthamore. Dy rivalë, India dhe Pakistani, kanë kapacitete bërthamore dhe posedimi prej Iranit i teknlogjisë bërthamore është shkak për shqetësim të madh, jo vetëm për shtetin e padeklaruar bërthamor të Izraelit, por gjithashtu edhe për fuqinë hegjemone rajonale, Arabinë Saudite që është fuqi jo nukleare.

Lufta kibernetike e bën situatën e tanishme edhe më të rrezikshme sesa ajo e fillimit të viteve ’60 të shekullit të 20-të, pasi mundëson që një fuqi e vetme të marrë kontrollin e arsenalit të një fuqie tjetër pa asnjë të shtënë.

Ndërsa ne përballemi me sfida të reja, na mungon frika e luftës bërthamore që u zhvillua të brezat paraardhës të liderëve politikë dhe shoqërive. Kennedy dhe Hrushov e konsideronin luftën bërthamore të pafitueshme. Me zhbërjen e traktateve të vjetra, rinovimin e garës bërthamore dhe zhvillimin e teknologjive të reja që bëjnë të mundur ekzekutimin e goditjeve skajshmërisht të sakta,  kjo tashmë po ndryshon. Këta faktorë kanë uur barrierën psikologjike për përdorimin e armëve bërthamore dhe kanë rikrijuar iluzionin e erës së para bombës me hidrogjen se luftërat me përdorim të kufizuar të armëve bërthamore, mund të zhvillohen dhe fitohen. Kjo nga ana e vet ushqen një garë të re armësh bërthamore në të cilën SHBA dhe Rusia e kanë filluar tashmë duke braktisur kufizimet e kohës së Luftës së Ftohtë.

Që këtej edhe rëndësia e vërtetë e njoftimit të Johnson, që hap derën për Mbretërinë e Bashkuar dhe vende të tjera që t’I bashkohen kësaj gare.  Edhe nëse qeveria vendos që të mos e kufizojë veten në heqjen e kufirit për kokat bërthamore "Trident" dhe në fakt i merr të 80 kokat në një kohë të shkurtër, balanca globale bërthamore vështirë se do të ndryshojë. Pavarësisht të gjitha ndryshimeve në botë që nga Lufta e Ftohtë, sot ka vetëm dy superfuqi bërthamore: Rusia me rreth 4300 koka dhe SHBA me një arsenal prej 3800 kokash.  80 koka të tjera “Trident” nuk do të bëjnë ndonjë diferencë, as do tra bëjnë ato Mbretërinë e Bashkuar më të sigurtë nëse më e keqja afrohet.

Por duke vendor të rrisë kufirin, MB-ja – vendi i tretë në botë që zhvillon kapacitetin e vet bërthamor – po dërgon një sinjal të gabuar: riarmatimin.

Kur bota duhet të drejtohet drejt tavolinës së negociatave për t’i dhënë frymë të re bisedimeve për kontrollin e armëve që pushuan së ekzistuari me përfundimin e Luftës së Ftohtë. Nuk është një detyrë e lehtë pasi tani negociatat do të duhet të shkojnë përtej dy superfuqive që do të përfshijnë pjesën tjetër të “pronarëve” bërthamorë – së pari dhe kryesisht, Kinën. Mbretëria e Bashkua mund të luajë një rol të rëndësishëm në ndalimin e një gare të re bërthamore, në vend se ta rifillojë atë.   

Burimi: The Guardian

Përkthimi: Skerdilajd Zaimi 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.