Mëk - mëk për vaksinën: Unë Lyp vetëm në Perëndim, jo në Rusi dhe Kinë

Postuar në 23 Shkurt, 2021 12:20

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur dje pyetjeve të gazetarëve për blerjen e vaksinës ruse apo kineze kundër CoVid-19 për të cilat ka një debat nëse duhen përfshirë në process apo jo. Z. Rama ka zgjedhur të justifikohet në përgjigjen e vet duke fajësuar deri diku mosnjohjen e situatës nga mediat që raportojnë.

Ai ka deklaruar se për këto vaksina nuk ka kurrfarë paragjykimi, por se ato nuk gjenden në tezga ku mund të shkosh e të blesh lirisht. Z. Rama la lënë të kuptohet se edhe për këto vaksina është i vështirë sigurimi i tyre për shkak të prodhimit të kufizuar.

Mirëpo kjo lloj përgjigjeje është inkoherente me aktet dhe qëndrimet e qeverisë së drejtuar nga z. Rama për këtë çështje. Ka bërë kryeministri demarshe pranë prodhuesve përkatës për këto vaksina? Ka kërkuar diçka, ka lypur në Rusi apo Kinë, meqenëse është kryelypës për Shqipërinë? Pak ditë më parë ministri i Jashtëm rus, Lavrov deklaronte se edhe Princi Albert II i Monakos kërkoi personalisht doza vaksinimi për popullsinë e principatës së tij. E ka bërë një gjë të tillë zoti Rama? Mesa duket Jo. Ndaj edhe pretendimet e zotërisë nuk përputhen veçse me aspiratat propagandistike të tij.

Së pari të hedhim një sy në Serbi, vendi që dallon nga të tjerë. Aktualisht në Serbi janë vaksinuar 1.2 milionë e popullsisë, ndërkohë që 400 000 kanë marrë dozën e dytë dhe në dispozicion janë katër vaksina: Sinopharm e Kinës, Pfizer, AstraZeneca dhe së fundmi 50 000 doza Sputnik V. Ky është një realitet që na tregon se ndonëse lista e vendeve në pritje të vaksinës është shumë e madhe, marrja e tyre varet në masë të madhe nga aftësia për të negociuuar. Dhe Shqipëria është një vend ku 1 milion doza do të mbyllnin de facto pandeminë, ose do ndërprisnin zinxhirin transmetues.

Në muajin dhjetor, z. Rama do ta quante provokim ofertën e ambasadës së Rusisë në Tiranë për vaksinën Sputnik V. Citojmë z. Rama më 29 dhjetor 2020:

Unë kam menduar se ka qenë një meme. Mendova se ishte një meme sepse për një shtet serioz është e papërshtatshme të bëjë provokime të tilla. Kur them provokim nuk po i paraprij ndonjë demarshi ndaj shtetit rus, por ky është provokim qesharak dhe nuk është mirë që një shtet serioz si Rusia të bëjë këto provokime. Ambasada në Tiranë nuk mund të sillet sikur është seksion i Portokallisë apo konkurrent i Portokallisë.

Nuk shoh arsye që Ambasada e Rusisë të përfshihet në aspektin e memeve. Ne jemi të fokusuar te vaksinat e Pfizer, AstraZeneca-s dhe Modernës. Me këto kompani jemi në komunikim dhe shtete europiane janë të drejtuara drejt këtyre kompanive.

Nuk kemi asnjë arsye të paragjykojmë vaksinën kineze apo ruse, por për momentin duke parë dhe të tjerët, ne jemi të fokusuar në këto drejtime. Nëse do lindë nevoja apo do e shohim të arsyeshme, padiskutim që do shikojmë edhe alternativat e tjera. Postimi i Ambasadës ruse nga ana ime shihet si i papërshtatshëm

Pra z. Rama e ka cilësuar me paragjykim tregun global të vaksinave, meqenëse na thotë se është orientuar drejt vaksinave perëndimore. Por a i duhet Shqipërisë kjo lojë gjeopolitike vaksinash të cilën sot kryeministri mohon se e ndjek? Nëse shohim shifrat, sigurisht që jo. Nga 29 dhjetor deri sot më 23 shkurt, pandemia e CoVid-19 në Shqipëri ka arritur kulmin e vet duke vendosur në prag krize sistemin shëndetësor. Në nivel juridik, qeveria e z. Rama ka autorizuar Ministrinë e Shëndetësisë, përmes një akti normativ të datës 31 dhjetor 2020 për:

…zhvillimin e negociatave me prodhuesit e vaksinës anticovid-19, të cilët janë të certifikuar nga Departamenti Amerikan i Ushqimit dhe Barnave (FDA) dhe/ose Agjencia Evropiane e Barnave  (EMA), për  furnizimin e Republikës së Shqipërisë me këtë vaksinë

Pra sot Ministria e Shendëtesisë ka mundësi zyrtare të blejë vaksinën kineze apo ruse, vetëm nëse këto certifikohen nga agjencitë e BE-së dhe SHBA-së. Duke përjashtuar këtu p.sh certifikimin e agjenciave nacionale të vendeve të BE-së, si p.sh Spallanzani në Itali. Pra nëse Italia sot operon p.sh me vaksinën ruse dhe merr të drejtën ta prodhojë atë, qeveria e z. Rama do të duhet të ndryshojë aktin normativ për ta blerë atë. Sa serioze është një qeveri e tillë, një kryeministër që gënjen publikisht për gjëra të tilla?

Teksa kemi këtë akt normativ, raundi i parë i vaksinimit u bë me 960 doza të ardhura privaitisht me avion, kur kushtet e ruajtjes së vaksinës Pfizer kërkonin frigoriferë të posaçëm. Pra njëherë kemi kërkesa maksimaliste sigurie, një herë tjetër i marrim me çanta privatisht. 

Është e qartë se kryeministri po shtyn ditët me llafe derisa të nisë dërgesa e paketës së akorduar Shqipërisë nga nisma CoVax. Deri atëherë vaksina do të jetë propagandë dhe asgjë më shumë. Bllokimi i vaksinës ruse dhe kineze në emër të politikës është një akt kriminal që ngjau në Europën demokratike, kur që nga muaji gusht e deri në muajin shkurt, nuk u bë asnjë përpjekje për ta testuar dhe vlerësuar atë. Ndërkohë mijëra kanë vdekur, mijëra. Dhe një ndër këta padronë të veckël jetësh njerëzore është edhe ky Edi Rama, i cili kërkon të ruajë monopol shtetëror mbi blerjen e vaksinës, që është asgjë më shumë sesa një barnë imunizuese në kuptim të ligjit tonë dhe nuk lejon që në negociata të hyjnë privatë.

E bëri këtë gjë edhe në fillim të pandemisë kur nuk lejonte spitalet private të kryenin tamponed he testime sereologjike, mandej e lëshoi duke lejuar të lulëzojë një lloj tregu I zi në këtë drejtim që mund të çudisë mbarë Europën. Sot ky kërkon flamurin e suksesit, kur është simbol i dështimit për shkak të politikave që ndoqi. Atëherë kur duhej të ishte antikonformist, u soll si më konservatori i korrektesës politike për arsye që kushedi çfarë psikike i ushqen.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.