Perëndimorët që po pushtojnë mediat sociale kineze
Në Kinë nuk janë të paktë influencuesit e huaj që po fitojnë përditë e më shumë fansa në paltformat sociale. Kur francezi Antoine Bunel postoi për herë të parë materiale për gatimin rrjetin Weibo në 2015, ai nuk e mendonte se do të kthehej në njëfarë mënyre në yll.
Ai ka grumbulluar mbi një milion fansa përmes videove dhe recetave të tij të gatimit në gjuhën mandarine në Weibo, platformat video Douyin dhe Bilibili, aplikacionin për gatim Xiachufang dhe kanale të tjera.
Por ai është vetëm njëri prej shumë influencuesve të huaj në Kinë, popullariteti i të cilit rivalizon ose madje eklipson arritjen e homologëve vendas, raporton South China Morning Post.
Duke synuar audiencat kineze, ata përdorin platformat video për të krijuar personalitetin e një të huaji që ia del shumë mirë me kulturën kineze. Disa ndajnë këshilla për gatimin; të tjerët përdorin platformat e tyre dixhitale për të mësuar ose promovuar shkëmbime kulturore.
Postimet e Bunel përqendrohen te kuzhina europiane dhe krahasimet mes ushqimit kinez dhe atij perëndimor.
Një recetë për bukën franceze pa vaj dhe sheqer që Bunel postoi në Xiachufang dy vjet më parë për t'u dhënë shikuesve një alternativë ndaj aditivëve që gjenden rëndom në bukën e supermarketeve u pa nga një milion njerëz.
"Receta juaj është e vetmja që më bëri të heq makinën me të cilën bëj bukë dhe të përdor një furrë për të bërë bukën avash-avash", shkroi një komentues.
Markat e duan imazhin e shëndetshëm të Bunel si burrë familjar me një grua kineze dhe dy djem. Ai refuzon të bashkëpunojë me marka që ndotin mjedisin ose që shesin ushqime të shpejta dhe pije të ëmbla. Sponsorët paguajnë për shfaqjen e produkteve të ushqimit, enëve të kuzhinës dhe pajisjeve elektrike në videot e tij të gatimit.
Ai dhe e shoqja kanë krijuar një kompani, për të menaxhuar këtë lloj biznesi. Ai nuk e thotë sa fiton, por mendohet se merr rreth 400 mijë yuan për një reklamë.
Britaniku William August është një rast i ngjashëm. Me 1.1 milionë ndjekës në platformën Bilibili ai njihet si influencuesi më popullor në këtë platformë. Sponsorët paguajnë për çdo video të tij 60 000- 150 000 yuan, ose 9 300-23 000 dollarë.
Me një kinezçe të rrjedhshme, ai prezanton kulturën britanike, jep leksione në anglisht dhe këshilla praktike se si t'i përgjigjesh ngacmimit nga kolegët e laoëai.
Një profil krejt tjetër ka David Evans, profesor i kimisë me doktoraturë Oksfordi, i punësuar nga Universiteti i Teknologjisë Kimike të Pekinit. Evans ka 9 milionë ndjekës në platformën e vidoeve të shkurtra Kuaishou, ku kryen eksperimente kimike me mini-shpërthime, tymues dhe reagime të tjera kimike vizuale mahnitëse, të cilat I shoqëron me komente në gjuhën mandarine.
Ai nisi t’i publikonte eksperimentet e tij në internet në vitin 2018 pasi ndihmësi i tij sugjeroi t'i filmonte dhe t'i nxirrte në Kuaishou. Rreth 300 milionë përdorues aktivë që ka ky rrjet janë kryesisht nga qytete të nivelit të tretë ose të katërt si Guilin, Jilin dhe Tangshan.
Falë Kuaishou, aksionet e të cilit janë trefishuar që nga debutimi në bursën e Hong Kongut, shumë fermerë, barinj dhe praktikues të kulturës tradicionale kanë shpëtuar nga varfëria e zoonave të thella të Kinës dhe janë bërë yje të internetit duke u treguar banorëve të qyteteve të mëdha mënyrën e tyre rurale të jetesës.
Rrjeti Kuaishou e ka emëruar Evans zëdhënësin e tij për shkencën popullore vitin e kaluar. Në janar, ai ishte i vetmi i huaj midis 10 marrësve të çmimit vjetor Modern Citizens të Pekinit, i cili organizohet nga qeveria lokale. Shtatorin e kaluar, ai ishte i vetmi i huaj nga shtatë shkencëtarë që u takuan me Presidentin kinez Xi Jinping për konsultime mbi mënyrën se si duhet të promovojnë shkencën në shkolla.
Evans thotë se Kuaishou e ndihmon atë t’u drejtohet studentëve dhe prindërve në nevojë që kurrë nuk e imagjinonin se fëmijët e tyre mund të kishin interes për shkencën.
Jim Fields është një tjetër i huaj që ka fituar ndjekës në hapësirën virtual kineze. Kanali i tij GreaterChinaTech në Bilibili ka grumbulluar mbi 1 milion klikime që kur filloi në janar. Ai thotë se kinezët i vlerësojnë të huajt që bëjnë përpjekje për të mësuar gjuhën dhe kulturën e tyre.
“Të flasësh kinezisht është vetëm një kërkesë themelore për influencuesit e huaj. Ata duhet të kenë një aftësi ose njohuri ose ekspertizë të veçantë - si unë, një djalë nga Silicon Valley që përcjell pikëpamjen time për ekosistemin teknologjik të Kinës", thotë ai.
Add new comment