Martin Scorsese: Kinemaja e vërtetë po katandiset në “përmbajtje”

Postuar në 17 Shkurt, 2021 14:37

Në një shkrim-homazh për legjendën e filmit, Federico Fellini, që do të jetë në faqet e “Harper’s Magazine”, në numrin e marsit, Martin Scorsese ankohet për zhvlerësimin e kinemasë.

"Pesëmbëdhjetë vjet më parë, termi "përmbajtje" (content) dëgjohej vetëm kur njerëzit diskutonin për kinemanë në nivel serioz dhe përdorej për të treguar kontrastin me "formën"”, shkruan ai. "Pastaj, gradualisht, kjo fjalë filloi të përdorej gjithnjë e më shumë nga njerëzit që morën përsipër kompanitë mediatike, shumica e të cilëve nuk dinin asgjë për historinë e formës së artit”.

Para se të hyjë në evolucionin e Fellini-t dhe marrëdhëniet e tij me regjisorin, Scorsese shtron një pyetje që nxjerr në pah një problem të epokës dixhitale: "Nëse ajo që ne do të shohim tani e tutje sugjerohet "nga algoritmet bazuar në atë që kemi parë tashmë, dhe sugjerimet bazohen vetëm mbi temën ose zhanrin, atëherë çfarë i bën kjo artit të kinemasë?"

Eseja të kujton një opinion të botuar në “New York Times” në nëntor 2019, në të cilin Scorcesse shpjegoi pse filmat e Marvel janë më shumë si park argëtimi sesa si kinema. Ai e sheh industrinë aktuale si "jo mikpritëse për artin", edhe duke qenë vetë një producent që sapo ka përfunduar një film për Netflix.

Lëvdatat e tij për Fellinin lihen paksa në hije nga rëndësia që ai I jep në shkrim faktit që industria hezituese e filmit po dështon në kulturën tonë.

"Ai ishte një artist i cili kishte arritur të shprehte ankthin e epokës bërthamore, ndjesinë se asgjë me të vërtetë nuk kishte më rëndësi sepse gjithçka dhe të gjithë mund të asgjësoheshin në çdo moment", shkruan Scorsese duke përshkruar "La Dolce Vita" të Fellini. "Ne e ndiem këtë tronditje, por gjithashtu ndiem edhe dashurinë dehëse të Fellinit për artin e kinemasë - dhe, rrjedhimisht, për vetë jetën."

Në kritikat e tij, Scorsese bën thirrje për rehabilitimin e industrisë, edhe pse ai e di se biznesi i filmit "tani është biznesi masiv i argëtimit vizual".

Gjithçka ka ndryshuar - kinemaja dhe rëndësia që ajo ka në kulturën tonë. Sigurisht, nuk është për t'u habitur që artistë të tillë si Godard, Bergman, Kubrick dhe Fellini, të cilët dikur mbretëruan mbi këtë formë madhështore të artit si perëndi, përfundimisht do të tërhiqeshin në hije me kalimin e kohës", shkruan Scorsese. "Por në këtë pikë, ne nuk mund të marrim asgjë si të mirëqenë. Ne nuk mund të varemi nga biznesi i filmit, siç është ai, për t'u kujdesur për kinemanë ... Ata që e njohin kinemanë dhe historinë e saj duhet të ndajnë dashurinë dhe njohuritë tona me sa më shumë njerëz të jetë e mundur. Dhe ne duhet ta bëjmë të qartë për pronarët e ligjshëm aktualë të këtyre filmave, se ata vlejnë shumë, shumë më tepër sesa një pronë e thjeshtë që shfrytëzohet dhe lihet mënjanë. Ata janë ndër thesaret më të mëdha të kulturës sonë dhe duhet të trajtohen si të tilla".

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.