BE dhe Kili, negociata të vështira për litiumin
BE-ja synon të bëhet lider botëror në prodhimin e baterive për industrinë e saj të fuqishme të makinave, por Kili mendon ndryshe.
Evropa dhe Kili pritet të nënshkruajnë një pakt tregtar të përmirësuar, deri në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm, por ka një mosmarrëveshje lidhur me rezervat masive të litiumit në shtresat e kripës në Atacama, që BE-së mund të duhet t’i prekë.
Kili ka ambiciet e veta strategjike si mbajtës i rezervave më të mëdha të litiumit në botë dhe nuk pranon të kthehet thjesht në “minierë”, që do t’u shërbejë industrive ndërkombëtare, të cilat do të marrin vlerën e shtuar të biznesit të baterive. Santiago po bën presion për të ndërtuar ekosistemin e tij prodhues të nxjerrjes së litiumit, pjesërisht duke e shitur atë me çmime preferenciale tek bizneset me bazë në Kili. Kjo po hap një problem me BE-në, e cila këmbëngul se partnerët tregtarë nuk duhet të bëjnë dallime midis blerësve vendas dhe atyre të huaj.
Sipas diplomatëve, të cituar nga Politico.eu, bisedimet midis Kilit dhe BE-së po ecnin mirë në drejtim të azhornimit të një marrëveshjeje tregtare të përfunduar 18 vjet më parë. Por të dy kampet ende nuk kanë rënë dakord për materialet e papërpunuara. Një diplomat kilian tha se BE, e cila po përpiqet të shkëputet nga varësia ekonomike e SHBA-ve dhe Kinës, po bën kërkesa që mund të pengojnë vetë synimet e brendshme të Kilit.
"Synimi i Kilit është të sigurojë një regjim të vlerës së shtuar për mallrat dhe shërbimet që rrjedhin nga litiumi, në mënyrë që ne jo vetëm të eksportojmë lëndën e parë, por që të kemi aftësinë të prodhojmë diçka me të", tha ai. Por kërkesat e BE "mund të interpretohen sikur kufizojnë hapësirën tonë për zhvillimin e politikave publike në sektorë që janë kyç për ekonominë tonë", shtoi ai.
Në të vërtetë, në projekt-marrëveshjen tregtare të shkruar nga Brukseli, partnerëve tregtarë do t'u ndalohet të shesin energji dhe lëndë të parë me një çmim më të ulët në tregun e brendshëm. Kili dhe BE "nuk do të imponojnë një çmim më të lartë për eksportet e mallrave të energjisë ose lëndëve të para tek pala tjetër sesa çmimi i caktuar për mallra të tilla, kur janë të destinuar për tregun e brendshëm", thuhet në draftin e BE, në kapitullin e energjisë dhe lëndëve të para.
Një zëdhënës i Komisionit Evropian nuk pranoi të komentonte mbi pozicionin negociues të BE në këtë pikë. "Dispozitat për lëndët e para të tilla si litiumi janë ende në negocim e sipër, kështu që është e parakohshme të komentosh se si do të jetë marrëveshja e rishikuar", tha zyrtari i Komisionit në një deklaratë.
Në strategjinë e tij të re të lëndëve të para të hartuar në shtator, Komisioni Evropian e shtoi litiumin në listën e lëndëve të para kritike për të cilat ekziston rreziku i ndërprerjes së furnizimit.
Add new comment