Sporti komod i opozitarit
Të bësh opozitarin në Shqipëri duhet të jetë punë e lehtë. Në çdo kohë e ke të lehtë të ndërtosh imazhin e një qeverie që vetëm vjedh dhe plaçkit, për shkak se kjo gjë i afrohet shumë të vërtetës. Në çdo kohë e ke të lehtë të shfaqesh si i mençur e të kapësh gabime përditë, të propozosh korrigjime etj., pra të bësh zhurmë opozitare.
E mbani mend Ilir Beqajn në opozitë kur dilte me disa letra në dorë dhe na llogariste sesa na binte të gjithëve barra e borxhit publik? Mund ta kërkojë kushdo në internet e të gjejë sesi këmbana e alarmit të Beqajt dukej atë botë si çanga e mencës së jetimëve.
Po t'i besojmë shifrave të qeverisë për nivelin e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) kemi arritur në shifrën relative të borxhit publik 58.9% të PBB-së, e cila është shumë afër kufirit ligjor 60%. Por edhe PBB-ja është në realitet më e ulët sesa e ka parashikuar qeveria, edhe borxhi është më i madh, sepse në të nuk pasqyrohen faturat e papaguara që shteti u detyrohet ndërtuesve për punë të kryera në infrastrukturë. Këto të fundit janë sa 1% e PBB-së
shprehej z. Beqja në një intervistë të vitit 2012. Sipas tij kufiri i borxhit duhet të çimentohej në Kushtetutë.
Vitet ikën, Beqaj bëri si djalë i mirë që na ka shumë xhan, u bë ministër dhe autorizoi ca koncesione. Nuk e zuri më në gojë borxhin, e harroi edhe Kushtetutën, bëri sikur nuk kuptonte kur FMN ta zëmë thoshtes e PPP-të i shtojnë barrën borxhit. I cili tani ka shkuar thonë 80%, por nuk duket më problem. Beqaj tashmë jashtë portofolit të ministrit sillet vërdallë me propozime si ai për shkurtimin e pagave dhe pensioneve, të cilat kur ja kundërshtojnë, ngre supet dhe mbrohet qashtër: Opinion është.
Vendin e Beqajt tani e ka zënë Gazmend Bardhi. Edhe ky e ka të lehtë punën sepse përballë ka qeverinë e krimit dhe të mafies. E për ta denoncuar këtë qeveri ke material boll. Sot Bardhi ka marrë ca fjalë të Borselinos dhe deklaron se lufta kundër mafies është e vetmja rrugë që të rikthehet normaliteti. Por si ta lidhësh këtë denoncim me zotimin se një gjë e tillë do të kthehet në politikë qeverisëse kur PD-së t’i vijë radha për të qeverisur? Askush nuk e di, por shumëkudh dyshon se Bardhi apo Basha kanë vokacionin apo vullnetin për të luftuar Mafien.
PD-ja e ka tezë të vetën qeverisjen e Duarve të Pastra, me dallimin se duart e saj janë bërë pis me lloj - lloj marrëveshjes, në një prej të cilave dërgohet krushk tani edhe Gaz Bardhi. Është një stafetë mashtrimi dhe demagogjie që dy partitë kryesore ia lënë njëra-tjetrës, kur sapo ikin nga pushteti denoncojnë Shqipërinë e mjerë, a thua nuk ishin vetë në pushtet për ca kohë. Kaluam kështu nga zhurmëmadhja paketë antimafie e Lulzim Bashës në statuset e Gazmend Bardhit në Facebook, të cilat japin vetëm projektlajmin se zotëria ndoshta do të bëhet ministër i Drejtësisë nëse partia e tij vjen në pushtet. Mund të jetë edhe lajm i mirë, por që nuk ka të bëjë me Borselinon dhe antimafien. Këtë e dimë të gjithë dhe për arsye se strukturat partiake në Shqipëri janë në fakt përfaqësi të krimit dhe korrupsionit. E brenda tyre nuk lejohen aksidentet morale. Ja shihni rastin e z. Beqaj, u përpoq për mëmëdhenë por nuk e lanë.
Add new comment