Lufta speciale midis regjimeve komuniste shqiptaro-jugosllave

Postuar në 20 Shkurt, 2020 17:25
Qerim Lita

 

Siç është e njohur botërisht, Rezoluta e Informbyrosë (1 korrik 1948), ishte shkak për prishjen e marrëdhënieve, deri atëherë vëllazërore, midis dy regjimeve komuniste jugosllave-shqiptare. Ngjarjes i parapriu letra e Stalinit dërguar të gjithë krerëve të vendeve komuniste, përfshi edhe Enver Hoxhës, përmes së cilës ai e padiste Partinë Komuniste të Jugosllavisë (PKJ-në) dhe udhëheqjen e saj në krye me J. B. Titon, si “antisovjetike, oportuniste dhe revizioniste”. Pas këtij qëndrimi u rreshtua edhe Enver Hoxha, i cili në tetor të vitit 1948 para aktivit partiak të Tiranës dhe drejtuesve të Armatës e sulmoi ashpër udhëheqjen jugosllave, e cila, siç do të shprehet ai: ka zhvilluar një politikë të ashpër dhe shpifëse kundër Bashkimit Sovjetik, atdheut të socializmit dhe udhëheqjes së vërtetë të bllokut socialist në botë…”. Është me rëndësi të thuhet se vetëm një vit më parë Hoxha pa asnjë rezervë e mbronte “miqësinë”, “vëllazërinë” dhe “aleancën” me Jugosllavinë e Titos. Në fjalimin e mbajtur më 5 tetor të vitit 1947, duke e vlerësuar lart “Marrëveshjen për miqësi dhe ndihmës së ndërsjellët” midis RFP të Jugosllavisë dhe RP të Shqipërisë, të nënshkruar më 9 korrik të vitit 1946, Hoxha ndër të tjerave shprehet: “…Paramendoni se çfarë fati do të kishte populli ynë i vogël pa Jugosllavinë demokratike e mike. Kombi i vogël shqiptar nuk do ta gëzonte lirinë të cilën sot e gëzon, por se do të përjetonte ditë të zeza dhe fat të errët. Në këtë mënyrë duhet vlerësuar miqësia, vëllazëria dhe aleanca që neve na lidh me Jugosllavinë e Titos. A thua shteti ynë i vogël, i varfër, nëse do të ishte i rrethuar me shtete siç është Greqia, do të mund t’i mbronte frutet nga gjaku i derdhur në luftë për vendosjen e rregullimit të vet të sotshëm demokratik, njërin ndër më të përparuarit, a thua vendi ynë i vogël do të mund të çohej në këmbë dhe në mënyrë të ndershëm e të lirë do ta ndërtonte jetën e re? Kjo do të ishte shumë e vështirë, do të ishte e pamundur. Ja, përse miqësia me popujt e Jugosllavisë është e ngushtë dhe aq e mirëseardhur për popullin tonë”.

Po në këtë mënyrë shprehet edhe në fjalimin e mbajtur me rastin e vitit të Ri, 1948: “Ne me vëllazërim bashkimin e pathyeshëm që e kemi lidhur me popujt heroik të Jugosllavisë së mareshalit Tito, e kemi garantuar lirinë, pavarësinë dhe sovranitetin e popullit tonë dhe të mbarë popujve tjerë të Ballkanit, vëllazërim bashkim i cili vendit tonë ia ka siguruar ndihmën e pakursyer vëllazërore, si gjatë kohës së luftës, po ashtu edhe sot në ndërtimin e gjithanshëm të jetës sonë të re”.

Ndërkohë, në plenumin VIII të PKSH-së, i cili u mbajt në mars të vitit 1948, Hoxha e sulmoi Nako Spiron, Mehmet Shehun e disa të tjerë për “shtrembërimin e linjës partiake”. Edhe më i drejtpërdrejtë ishte në ekspozenë e mbajtur më 11 maj 1948 para Kuvendit Popullor: “…Populli i ynë për çdo ditë do ta përforcojë dhe çimentojë vëllazërinë, miqësinë dhe lidhjet tepër të çmueshme me popujt vëllezër të Jugosllavisë së Titos, me të cilët luftoi krah për krahu për ta fituar lirinë, me të cilët punon krah për krahu për ndërtimin e jetesës më të mirë….

Pa dyshim se ndërprerja e marrëdhënieve midis dy regjimeve komuniste shkonte në dëm të popullsisë shqiptare në përgjithësi e të shqiptarëve nën pushtimin jugosllav në veçanti. Udhëheqja komuniste jugosllave e shfrytëzoi këtë moment për kryerjen e një presioni të vrazhdë politik e ideologjik kundër shqiptarëve. Byroja Politike vlerësonte se rreziku më i madh për depërtimin e informbyroistëve vjen nga Shqipëria, për shkak se, siç vihej në dukje: “..informbyroistët ndërkombëtarë (konkretisht ata shqiptarë) kanë gjasa më të mëdha për të depërtuar, duke e shfrytëzuar momentin nacional dhe fetar në baza shoviniste… dhe pjesëmarrja e tyre në shërbim të okupatorit kundër Luftës Nacionalçlirimtare…. Në emër të luftës kundër IB-së, përkatësisht “përmbysjes së traditës balliste” në Kosovë e në trevat tjera etnike shqiptare, u krijua një aparat gjigant i sigurimit shtetëror – UDB-a, të cilit iu dha për detyrë ta dhunojë dhe terrorizojë popullsinë shqiptare si “element jolojal” ndaj Jugosllavisë. Kjo dhunë dhe torturë erdhi në shprehje veçmas në brezin kufitar, ku udhëheqja komuniste jugosllave hapi disa qendra të UDB-së, si në Ulqin, Tuz, Guci, Gjakovë, Prizren, Dibër, Strugë, Resnjë etj. Me këto qendra udhëhiqnin njerëzit më të besueshëm të Aleksandër Rankoviqit, siç ishin: Mile Cvetkoviq, Vllado Katulin, Mile Lekiq, Gjuro Maksimoviq, Dobraçin Zogoviq, Gjoko Mihajlloviq, Gjoko Pejoviq, Vllado Popoviq, Mustafa Lleshi etj.

Ndërkohë, udhëheqja komuniste jugosllave në Shkup formoi një dhomë të posaçme, e cila kishte për detyrë ta përcjellë situatën politike në shtetet fqinje, e në mënyrë të veçantë në shtetin shqiptar, si dhe të zhvillojë agjitacion dhe propagandë me qëllim të demaskimit të politikës së këtyre shteteve dhe afirmimin e politikës së shtetit të tyre. Kjo dhomë mbikëqyrej prej anëtarit të KQ të PKJ-së, Kërste Cërvenkovski, ndërsa anëtarë tjerë ishin: Mito Haxhi Vasilev, Koço Bituljano, Ilija Topallovski, Pero Korobar, Mihajllo Keremedxhiev, Mitre Inadevski dhe Bllagoja Popovski. Në kuadër të dhomës funksiononin sektorë të veçantë, si: Sektori për Shqipëri, Sektori për Bullgari, Sektori për Greqi dhe Sektori për Shtetet Perëndimore, duke përfshirë këtu edhe ato përtej Oqeanit Atlantik. Sektori për Shqipëri së shpejti hartoi planin e vet për veprim, i cili ndahej në dy pjesë: pjesa e brendshme dhe ajo e jashtme. Pjesa e brendshme përfshinte gjithsej 10 pika:

1. Përveç shokut, i cili është përgjegjës para dhomës për Sektorin e Shqipërisë, të kërkohet edhe një person tjetër, i cili e njeh mirë gjuhën shqipe. Ky person duhet të jetë profesional dhe të dijë për ekzistimin e dhomës në fjalë.

  1. Të bëhet përzgjedhja e personave të cilët e njohin gjuhën shqipe. Ky grup njerëzish nuk duhet të ketë njohuri për funksionimin e dhomës, ndërsa do të jenë të ngarkuar në përkthimin e materialeve nga gjuha shqipe në maqedonisht dhe anasjelltas, t’i përcjellin emisionet në gjuhën shqipe, të shkruajnë komente për gazetën shqipe dhe për emisionet e radios në gjuhën shqipe etj.
  2. Që të zgjerohet agjitacioni dhe propaganda në mesin e pakicës shqiptare në RPM dhe në mesin e maqedonasve të cilët jetojnë në RP Shqipërisë dhe për vetë Shqipërinë është e nevojshme:
  3. a) të sigurohet përcjellja e rregullt e emisioneve të Radio Tiranës dhe shtypi shqiptar, nga e cila dhomë do të njoftohet me ngjarjet në Shqipëri dhe në bazë të asaj t’i jepet materiali konkret redaksisë së gazetës shqipe dhe emisioneve shqipe të radios;
  4. b) të përcillet zhvillimi i pakicës nacionale shqiptare në RPM si tërësi dhe në vendbanime të caktuara;
  5. c) të propagandohet barazia e pakicës shqiptare me popullin maqedonas, si dhe të gjitha përfitimet nga LNÇ-ja, të cilat i gëzon pakica shqiptare;

ç) të jepen nëpërmjet radios dhe shtypit rezultatet e arritura në ndërtimin e përbashkët të socializmit te ne, për rekonstruimin e bujqësisë në fshat. Njëkohësisht të krahasohet me zhvillimin në Shqipëri;

  1. d) të popullarizohen shkollat e pakicës shqiptare, ngritja kulturore dhe e përgjithshme e pakicës shqiptare;
  2. dh) për të gjitha çështjet e radhitura më lartë të shkruhen komente dhe të publikohen nëpërmjet radios dhe shtypit.
  3. Nga dhoma të vendoset kontrolli i plotë në redaksinë e gazetës shqipe dhe në redaksinë e emisioneve në gjuhën shqipe të radios.
  4. Të botohen libra dhe broshura në gjuhën shqipe lidhur me problemet aktuale.
  5. Menjëherë të shkohet në grumbullimin e adresave të maqedonasve të cilët jetojnë në Shqipëri dhe në shtetet e tjera.
  6. Të studiohet historiati i popullatës shqiptare në RPM: prejardhja e tyre, rrethanat që i kanë detyruar të vendosen në territoret tona, sjellja e maqedonasve ndaj shqiptarëve në të kaluarën, sjellja e shqiptarëve të cilët janë te ne ndaj maqedonasve dhe regjimeve antipopullore etj.
  7. Të shkohet në gjetjen e luftëtarëve shqiptarë të cilët kanë rënë dëshmorë në luftën e përbashkët me popullin maqedonas kundër okupatorit. Luftëtarët e tillë të popullarizohen në mesin e popullit tonë dhe atij shqiptar. Të jepen nëpërmjet shtypit disa raste nga lufta e përbashkët e shqiptarëve dhe maqedonasve kundër okupatorit të përbashkët.
  8. Të emërohen rrugët me emrat e luftëtarëve të rënë shqiptarë, si për shembull Tom Shumski etj.
  9. Dhoma të ketë informacion të përditshëm prej sektorit për ngjarjet në Shqipëri. Për këtë qëllim duhet të shtypet një buletin pesëmbëdhjetëditësh. Nëpërmjet këtyre informatave dhe buletinit duhet të jetë e informuar dhoma për ngjarjet në RP të Shqipërisë, ndërsa nëpërmjet dhomës edhe KQ i PKM-së. Kjo duhet të arrihet nëpërmjet përcjelljes së rregullt të Radio Tiranës dhe shtypit shqiptar”.

Pjesa e jashtme e planit përfshinte këto pika:

1. Të grumbullohet literaturë e cila do të nevojitet për studimin e historisë së popullit shqiptar, zhvillimin e tij në kohërat e kaluara historike, lufta për pavarësi etj.

  1. Studimi i LNÇ-së së popullit shqiptar, ndihma e PKJ-së në kohën e luftës dhe ndihma ekonomike, politike dhe kadrovike e RFPJ-së për RP të Shqipërisë.
  2. Të studiohet struktura shoqërore-ekonomike dhe politike e RP të Shqipërisë.
  3. Të studiohen biografitë e udhëheqësve shqiptarë, qëndrimi i mëhershëm i tyre ndaj PKJ-së dhe qëndrimi i tashëm pas Rezolutës së Informbyrosë. Të zbulohen masat që i ndërmarrin dhe do t’i ndërmarrin kundër partisë dhe vendit tonë. Të përcillet me vëmendje çdo qëndrim i tyre, qoftë për çështje të karakterit të brendshëm ose të jashtëm.
  4. Të shkohet në gjetjen e maqedonasve të cilët banojnë në Shqipëri, në radhë të parë atje ku ka vendbanime të tëra. Të studiohet zhvillimi i vendosjes së tyre dhe rrethanat e jetesës.
  5. Menjëherë të shkohet në dërgimin e letrave popullatës maqedonase në Shqipëri, nëpërmjet të cilave do të njoftohen me gjendjen e vërtetë te ne”.

Duke u mbështetur në planin e mësipërm, gazeta e atëhershme në gjuhën shqipe, “Flaka e Vëllazërimit”, e cila dilte një herë në dhjetë ditë, filloi të botojë shkrime e artikuj me karakter ideologjik-komunist, përmes të cilave njollosej politika e “Ballit Kombëtar” dhe e komiteteve shqiptare në botën perëndimore. Në të gjitha ato shkrime dhe komente ose nuk figuronte emri i autorit ose qëndronin vetëm inicialet e kryeredaktorit të atëhershëm të gazetës: M.P. (Murteza Peza). Një artikull të tillë kjo gazetë e botoi më 8 nëntor 1949. Artikullshkruesi “anonim” ishte porositur prej padronëve të tij që “Balli Kombëtar” të shantazhohej në disa drejtime, madje të paraqitej para lexuesve si organizatë profashiste, si vëllavrasëse gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndërsa pas Informbyrosë, si aleate e Frontit Popullor Shqiptar etj. Vetë titulli i tekstit “Veprat e Ballit Kombëtar gjatë kohës së okupacionit dhe mbas çlirimit e sidomos tashti në shërbim të Enver Hoxhës”, i përfshinte të gjitha mendimet e parapara nga ana e “pushtetit popullor” për demaskimin e kësaj organizate kombëtare. Sipas artikullshkruesit, kjo organizatë i kishte shërbyer okupatorit jo vetëm për ta luftuar LNÇ-në shqiptare, por “edhe kundër lëvizjes çlirimtare të popujve të tjerë të Ballkanit, sidomos popullit maqedonas dhe popullit të Kosmetit (Kosovës – Q.L.)”. Në vazhdim, etiketohej udhëheqja më e lartë e organizatës, si Mit’hat Frashëri, Ali Këlcyra etj., si dhe nacionalistët e këtyre trevave: Xhem Gostivari, Mefail Zajazi, Xhevat Kallajxhiu, Murat Labënishti, Faik Dobovjani, Nazmi Tateshi, Aqif Reçani, Shemsi Hatipi, Ali Maliqi, Fiqiri Dine, Miftar Kaloshi, Riza Drini e shumë të tjerë.

Ndërkohë edhe udhëheqja komuniste shqiptare, në emër të luftës kundër “qeverisë beogradase”, e cila sipas Tiranës zyrtare ishte “shndërruar në shtab agjenturesk dhe të spiunazhit fashist në shërbim të imperializmit anglo-amerikan”, përkatësisht “në aradhe të zgjatur të taborit imperialist kundër taborit socialist”, në brezin kufitar me RFPJ-në hapi disa qendra të Shërbimit Informativ Shtetëror, me detyrë speciale, që të zhvillojnë fushatë propagandistike infrombyroiste. Në kuadër të këtij shërbimi u krijuan të ashtuquajtura “brigadave vullnetare” ose, siç emërtoheshin asaj kohe, “brigada speciale”, detyra e të cilave ishte sigurimi i brezit kufitar, përndjekja e grupeve “armiqësore” shqiptare, bllokimi i fshatrave për kontroll me qëllim të zbulimit të materialit propagandistik nga, siç thuhej, “qarqet imperialiste anglo-amerikane”, “monarkofashistët grek” dhe “klika tradhtare e Beogradit në krye me Titon”. Këtyre brigadave u ishte dhënë e drejta e kontrollimit ndaj personave “të dyshimtë”, të cilët më pas dërgoheshin nëpër llogore, përkatësisht kampe të përqendrimit, të krijuara enkas për vendosjen e kësaj shtrese të popullsisë, e cila konsiderohej si “armiqësore”. Një kamp i tillë ekzistonte në afërsi të drejtpërdrejtë të Tepelenës me 3.000 të internuar, të cilët jetonin nën kushte shumë të rënda.

Përveç kësaj, në fshatin Pollozhan, rrethi i Peshkopisë, gjendej grupi i oficerëve sovjetikë, me të cilët mbanin kontakte organet e sigurimit shtetëror shqiptar, si dhe persona të tjerë të ngarkuar në linjën e shërbimit informativ. Duhet të vëmë në dukje edhe faktin se në zonat kufitare me Jugosllavinë, krahas organit të sigurimit shtetëror, udhëheqja komuniste shqiptare angazhoi edhe disa funksionarë të lartë partiakë e shtetërorë. Ndër ta duhet veçuar Haxhi Lleshin, i cili si mik dhe informator i dikurshëm i UDB-së jugosllave, kryente vizita të shpeshta në brezin kufitar kah Dibra e Madhe, ku fjalën kryesore e kishte axha i tij, Aqifi, i cili asaj kohe ishte deputet federativ i RFP të Jugosllavisë, dhe djali i këtij të fundit, Mustafa, apo siç njihej në popull, Staf Lleshi, toger dhe kryeshef i UDB-së për brezin kufitar Ohër- Strugë-Dibër-Gostivar-Tetovë. Në një letër të datës 29 qershor 1949 Haxhi Lleshi e porosiste axhën e tij, që së bashku me komunistë tjerë jugosllavë ta formojë një parti komuniste, e cil ado ta shpëtonte “popullin jugosllav nga klika e Titos”. Letra e cila gjendet në Arkivin e Jugosllavisë, fondi KQ i PKJ-së, kishte këtë përmbajtje:

Nevojitet të agjitosh dhe të zhvillosh luftë kundër asaj klike, për miqësinë me Bashkimin Sovjetik dhe vendet e tjera demokratike, të cilët luftojnë kundër klikës së Titos. Zhvillo luftë dhe formo një parti komuniste së bashku me shokët e tjerë jashtëpartiakë për ta shpëtuar popullin jugosllav nga klika e Titos e cila me siguri se e çon popullin në vdekje nga imperialistët anglezë e amerikanë. Organizohuni dhe bashkohuni me të gjithë komunistët, jashtëpartiakët dhe popullin, uleni dhe drejtojeni në rrugën e vërtetë ku shkon klasa punëtore e tërë botës. Ata shokë të cilët punojnë e të cilët zhvillojnë luftë kundër klikës së Titos duhet të sqarojnë se si zhvillohet lufta kundër trockistëve dhe agjentëve të imperializmit. Unë të lutem që me të gjithë shokët tuaj të shkruani raport për tërë atë që do t’i parashtroj në disa pika: të na dërgoni sa më parë të dhëna për disponimin e ushtrisë, situatën politike dhe ekonomike, çfarë flasin dhe çfarë lloj propagande udhëheqin trockistët kundër RP të Shqipërisë dhe kundër ndërtimit të socializmit te ne. Mos u frikësoni, por zhvilloni luftë sikurse më parë që keni zhvilluar kundër fashistëve. Bëni, përkatësisht krijoni, material propagandistik kundër Titos, i cili duhet të jetë i vëllimshëm, real, konkret, që të mund të zhvillojmë luftë kundër tyre dhe t’u dëshmojmë në vepër. Së pari shikoni të kryeni propagandë në popull, sepse e dini se lufta zhvillohet ashtu sikurse zhvillohej kundër Hitlerit dhe Duçes”.

Si rrjedhoj e aktivitetit të Shërbimit Informativ Shqiptar dhe atij sovjetik, por edhe të Haxhi Lleshit dhe të drejtuesve tjerë komunistë shqiptarë, në trevat shqiptare nën pushtimin jugosllav u krijuan grupe dhe organizata ilegale marksiste-leniniste. Në Maqedoninë Perëndimore një organizatë e tillë udhëhiqej nga Sali Lisi, që në atë kohë ishte njëri ndër udhëheqësit më të lartë partiakë e shtetërorë shqiptar në RP të Maqedonisë, si dhe Ahmet Pere, përgjegjës i arsimit në Gostivar. Kjo organizatë, përmes këshilltarit të atëhershëm të Legatës Shqiptare në Beograd, Riza Hoxha, u lidh edhe me Shërbimin Informativ Shqiptar (ShISh). Në Arkivin e Jugosllavisë në Beograd gjendet letra e këtij shërbimi dedikuar Sali Lisit dhe grupit të tij me këtë përmbajtje:

Sikurse u kemi shkruar në letrën e mëhershme ju duhet ta verifikoni shumë mirë qëndrimin e të gjithë shokëve, të cilët gjenden atje. Duhet të jeni shumë të kujdesshëm, sepse mund të haseni te ndonjë element provokator të UDB-së e më pas t’u dështoj e tërë veprimtaria e juaj. Kur ta verifikoni dhe ta kuptoni qëndrimin e disa shokëve më të mirë, elemente të besueshëm e të fortë, të cilët janë kundër klikës së Titos, duhet t’i lidheni në ‘treshe’, e të cilët duhet të jenë të lidhur drejtpërdrejti me ju. Kur do të rritet numri i atyre të cilët kanë qëndrim të mirë, ju duhet të formoni më shumë ‘treshe’, ndërsa njerëzit më të mirë nga këto treshe t’i mbani me ju që të formojnë ‘treshe’ të reja. Personat që do t’i merrni në ‘treshe’ duhet të jenë të sigurt dhe të studiuar mirë nga ana e juaj, mirëpo duhet të punoni në atë mënyrë, që juve nuk duhet t’u njohin të gjithë si udhëheqës kryesorë. Duhet të keni kujdes që ‘treshet’ të mos e njohin njëra tjetrën, e gjithashtu edhe përgjegjësit nuk duhet të njihen njëri me tjetrin, prandaj duhet të takoheni individualisht me secilin dhe në vende të ndryshme. Udhëheqësve të grupeve ‘tresheve’ ju duhet t’u përcaktoni detyra të ndryshme, kështu që të mos kenë mundësi të takohen as edhe gjatë veprimtarisë së tyre. Ju do u jepni udhëzime se si të punojnë me ‘treshet’ nëse ndonjëri zbulohet, si person i cili është kundër regjimit të Titos, mos u takoni me të, por kontaktin me të ta mbani përmes personit të tretë. Nëse paraqiten raste të tilla dhe nëse UDB-ja fillon ta përcjell, në atë rast ai shok duhet të emigrojë menjëherë.

‘Treshet’ duhet të aktivizohen në luftë kundër regjimit të Titos, duke propaganduar te personi me të cilin vendosin lidhje për tradhtinë e qartë të klikës së Titos, me qëllim të zgjerimit të radhëve tuaja. ‘Treshet’ në rrethet e tyre duhet të punojnë fshehtas. Materialin që ne do ua dërgojmë duhet ta fshehni në vend të sigurt. Materiali propagandistik duhet të shpërndahet nga një dorë në dorë tjetër dhe asnjë ekzemplar nuk guxon të bjer në duart e UDB-së. Krijimi dhe zgjerimi i ‘tresheve’ nëpër fshatrat e rretheve tuaja dhe në qytet, sikurse edhe në fshatrat tjera të Maqedonisë, duhet të bëhen pas punës suaj të mirë. Gjithashtu duhet të jeni të kujdesshëm që çdo lëvizje e juaj të jetë e maskuar dhe e llogaritur, qëndrimi, jeta dhe puna e juaj private nuk duhet të përjetoj as çfarë ndryshimi të dukshëm me çka UDB-ja do të dyshonte. Shokëve duhet t’u përcaktoni parullat e identifikimit. Këto parulla përgatitni me kohë dhe kur të dyshoni, të njëjtat ndryshoni.

Përveç veprimtarisë së agjitacionit, të cilën e kemi theksuar më lartë, vëmendje të madhe duhet t’i kushtoni, si dhe shokët më të mirë t’i ngarkoni për grumbullimin e informatave më të ndryshme politike, ushtarake, ekonomike e të tjera, si dhe për aktivitetin e UDB-së kundër popullit, Partisë, BRSS-së, por edhe të demokracive tjera popullore. Për të pasur qasje të qartë për situatën e atjeshme, duhet të na dërgoni raporte të cilat do t’i shkruani sipas pikave, të cilat do i parashtrojmë më poshtë. Ato, njëkohësisht janë edhe obligimet tuaja konkrete për veprimtari.

Lidhur me situatën politike. Hartoni listë për të gjithë personat e burgosur, të internuar apo të likuiduar, fshehtazi apo përmes gjyqeve nga dita e shpalljes së Rezolutës së IB-së. Ajo listë duhet të jetë: Emri dhe mbiemri, data, vendi dhe shkaku i burgosjes, funksioni që e ka pas në pushtet dhe në Parti, ku gjendet tash. Torturat që i kryejnë UDB-ashët. Emrat e atyre që janë torturuar, emrat e atyre të cilët kanë ngelur invalidë etj. Emrat e oficerëve të UDB-së në vendin tuaj dhe në qytetet tjera. Emrat e anëtarëve të Komitetit të Partisë. Emrat e anëtarëve të Këshillave Ekzekutive Popullore. Për secilin nga ata shkruani biografi, që të mund të shihet qartë se cilët janë ata njerëz që janë më aktivët në zbatimin e linjës së Titos, fjalimet e tyre nëpër konferenca dhe mbledhje të Partisë dhe informata më të ndryshme për ta. Çfarë roli ata kanë në Parti. Grumbulloni emrat e atyre të cilët kanë bashkëpunuar me reaksionin gjatë kohës së luftës dhe tash, ndërsa janë në radhët e Partisë dhe nëpër funksione më të ndryshme të pushtetit. Me një vëmendje të madhe grumbulloni parullat të cilat qarkullojnë nëpër popull pa marrë parasysh se a janë pro apo kundër BRSS-së apo taborit socialist. Si i komenton populli marrëdhëniet e tyre me Amerikën, Anglinë, Italinë, Gjermaninë Perëndimore etj. Populli dhe anëtarët e Partisë si e komentojnë ndërprerjen e marrëdhënieve me BRSS-në dhe taborin socialist, deklaratat antisovjetike e antimarksiste të udhëheqjes së tanishme etj. Hartojeni listën e shqiptarëve të arratisur, të cilët gjenden atje si dhe aktivitetin e tyre, cilët nga ata i përdor UDB-ja kundër vendit tonë.”.

Është me interes të theksohet se të dyja regjimet (Shqipëria dhe Jugosllavia) e sulmonin njëra-tjetrën se cili prej tyre bashkëpunon më shumë me forcat nacionaliste shqiptare. Këtë e shohim në një artikull të “Flakës së Vëllazërimit”, që në fakt ishte përgjigje ndaj një shkrimi të Mehmet Shehut në shtypin komunist shqiptar, i cili e kritikonte Titon, se po përdor metoda terroriste kundër Shqipërisë. Artikullshkruesi me inicialet M.P., pasi në mënyrë të detajuar e përshkruan rolin e KQ të PKJ-së për formimin e PKSH-së, i drejtohet Mehmet Shehut dhe Enver Hoxhës si më poshtë: “…Atyre tashti ju vjen keq pse shoku Tempo nuk u pajtua me kompromisin e turpshëm që banë njerëzit e Enver Hoxhës me Ballin Kombëtar në Mukje, kur në të vërtetë ata luftën e popullit shqiptar qenë gati ta lëshojnë në duart e Ballit dhe reaksionarëve më të zinj. Ndoshta për këtë mendon Mehmet Shehu se Tito ka dashtun të jetë zotnues i Ballkanit, pse ai me përfaqësuesit e vetë i mësonte komunistët shqiptar se si të luftojnë pa kompromis kundër okupatorit dhe shërbëtorit të tij, ashtu si e kërkon një luftë vërtetë revolucionare, e cila përmbys të vjetrën dhe vendos të renë”.

Ndërkohë, Ministria e Punëve të Jashtme e RFP të Jugosllavisë, përmes një note verbale, të datës 15 korrik të vitit 1949, e akuzonte Qeverinë e RP të Shqipërisë, se përmes një grupi “dezertorësh”, shtetas jugosllavë, jo vetëm se zhvillon fushatë propaganduese kundër RFPJ-së “porse në kohë të fundit ka filluar t’i nxisë dhe dërgojë në kryerjen e aksioneve të armatosura e terroriste në territorin e RFPJ-së”.

Ministria e Punëve të Jashtme – theksohej në notë – proteston ashpër te Qeveria e RP të Shqipërisë për shkak të organizimit dhe armatosjes së grupit diversant nga radhët e dezertorëve jugosllavë me qëllim të kryerjes së aksionit të armatosur në territorin e RFPJ-së dhe kërkon vendosmërisht që Qeveria e RP të Shqipërisë të ndërmarrë masa të duhura për ta penguar veprimtarinë e tillë e të ngjashme, që përpiqen ta kryejnë këta tradhtarë me dijeninë dhe me nxitjen e pushtetit shqiptar…”.

Menjëherë pas kësaj, në emër të Qeverisë së RP të Shqipërisë reagoi Legata Shqiptare në Beograd, përmbajtja e së cilës ishte kjo: “Legata e Republikës Popullore të Shqipërisë në Beograd, në emër të qeverisë së saj, kategorikisht e hedh poshtë notën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës Federative Popullore të Jugosllavisë nr. 410870 nga data15 korrik 1949, pasi përmbajtja e saj fare nuk ka të bëjë me të vërtetën. Ajo është ofenduese, shpifëse dhe e stilizuar me paramendim, për qëllime tendencioze. Përmbajtja e saj në mënyrë të dukshme përmban qëllime provokuese dhe përbën vazhdimin e provokimeve të shumta të cilat janë kryer dhe po kryhen edhe më tej nga ana e organeve jugosllave kundër integritetit territorial të Republikës Popullore të Shqipërisë”.

Nuk vonoi shumë dhe Tirana zyrtare akuzoi Beogradin se, përmes Gani bej Kryeziut, i cili asaj kohe e vuante dënimin në burgun e Mitrovicës së Sremit, se gjoja ka organizuar një komitet me qëllim të bashkëpunimit të ngushtë me Komitetin “Shqipëria e Lirë”, i cili kohë më parë qe formuar në Paris, e me të cilin udhëhiqte Mit’hat Frashëri: “…Në gusht të këtij viti – thuhet në reagimin e Tiranës zyrtare – Qeveria jugosllave në territorin e saj ka organizuar një komitet politik dhe ushtarak në krye me spiunin e njohur të servis intiligjenc Gani bej Kryeziun. Qëllimi i atij komiteti të bejlerëve dhe fashistëve është të bashkëpunoj me komitetin reaksionar ‘Shqipëria e Lirë’, të cilin njëkohësisht e kanë formuar imperialistët anglo-amerikan në Paris, për ta organizuar reaksionin shqiptar në emigrim, të grumbulloj të shiturit nga Kosova e Metohia (Rrafshi i Dukagjinit – Q, L.) dhe të nis luftën e armatosur kundër RP të Shqipërisë. Mbi bazën e fakteve që i posedon Qeveria shqiptare del se oficerët e shërbimeve të spiunazhit anglez e amerikan, si p.sh. nënkolonelët A. Herber dhe Maklin, bashkëpunojnë me shtabin e përgjithshëm jugosllav dhe komitetin reaksionar të Gani Kryeziut kundër RP të Shqipërisë. Qeveria jugosllave zbaton aksion të tillë armiqësor dhe ilegal kundër pavarësisë së popullit shqiptar me ndihmën morale, politike e materiale të imperializmit amerikan dhe në bashkëpunim të ngushtë me Qeverinë monarkofashiste të Athinës”.

Përveç kësaj, udhëheqja komuniste shqiptare e akuzonte udhëheqjen komuniste jugosllave për, siç thuhej, “veprimtari intensive” në organizimin dhe rigrupimin e disa “kriminelëve” shqiptarë, të cilët “ende bredhin nëpër male ose të cilët kanë ikur në botën e jashtme”. Në atë drejtim – theksohej në reagim – Qeveria jugosllave bashkëpunon ngushtë me të gjithë armiqtë e jashtëm dhe agjentët fashistë dhe së bashku me ta përpiqet ta rrënoj me forcë Qeverinë popullore në Shqipëri, dhe për atë qëllim e shfrytëzon elementin reaksionar shqiptaromadh. Tradhëtarët e njohur të popullit shqiptar, duart e të cilëve janë të përlyer me gjakun e popullit shqiptar dhe jugosllav, siç janë reaksionarët suprem bajraktari i Dibrës, Cen Elezi, oficeri fashist Dan Kaloshi…etj.”.

Këto akuza të Tiranës zyrtare ishin të paqëndrueshme për faktin se, siç u tha më lart, Gani bej Kryeziu e vuante dënimin në burgun e Sremit, ndërsa në vitin 1952 vritet në mënyrë më mizore nga organet e atëhershme të UDB-së jugosllave. Ndërkohë, Cen Elezi, Dan Kaloshi, Mehdi Ndreu dhe disa të tjerë, të cilët nga viti 1946 vepronin si antikomunistë në ilegalitet, pas Rezolutës së Informbyrosë arrestohen nga ushtria kufitare jugosllave. Në burgun famëkeq të Shkupit Cen Elezi qëndroi me shpirt të pathyer derisa e mbytën me 9 maj 1949. Së bashku me të UDB-ja jugosllave e vrau edhe Dan Kaloshin dhe Ferit Sinën.

Nga kjo që u tha më sipër mund të arrihet te konkluzioni se ndërprerja e marrëdhënieve midis RP të Shqipërisë dhe RFP të Jugosllavisë nuk ishte në të mirë të çështjes shqiptare, në përgjithësi, e të trevave shqiptare nën Jugosllavi, në veçanti, siç pretendohet nga disa historianë shqiptarë, porse e njëjta ishte rrjedhojë e përplasjeve ideologjike-komuniste midis Stalinit dhe Titos, me ç’rast Enver Hoxha dhe klika e tij komuniste u rreshtuan me të parin. Kjo shihet edhe në reagimin e 22 nëntorit 1949 të udhëheqjes komuniste shqiptare ndaj notës së 12 nëntorit të atij viti të udhëheqjes komuniste jugosllave lidhur me ndërprerjen e marrëdhënieve për miqësi midis dy regjimeve komuniste, në të cilën, ndër të tjera, thuhet: “…Populli shqiptar dhe qeveria e tij mund të synojnë vetëm mospërfllje ndaj Qeverisë së tanishme serbomadhe-jugosllave. Populli shqiptar dhe qeveria e tij njëkohësisht kultivon dashuri të madhe ndaj popujve të Jugosllavisë dhe me ta i ndanë vuajtjet e mëdha që po i përjetojnë nën regjimin e tanishëm të terrorit të paparë të qeverisë beogradase në krye me Josip Broz Titon. Populli shqiptar dhe qeveria e tij kanë besim të paluhatshëm në forcat e veta dhe në forcat e miqve të tyre të taborit socialist në krye me BRSS-në e Madhe, shpëtimtaren e njerëzimit, garancën e ruajtjes së paqes dhe demokracisë në botë…”.

Burimi: Shenja.tv

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.