Opozitë pa NIPT
Mënyra sesi Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka ndryshuar sjelljen dhe tonin e vet publik në raport me qeverinë Rama është dëshmi e fakti se kriza që ka prekur të paktën stabilitetin psikologjik të politikës, ka çuar në korruptimin e institucioneve kushtetuese në vend.
Një ndryshim toni vihet re edhe nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha, i cili nuk zhgënjen kënd në fakt. Katalizator në këtë qetësim relativ nuk është vetëm leximi se opozita dështoi në përpjekjen e saj kundër pushtetit, por edhe faktori ndërkombëtar. Dhe që këtej ne nxjerrim konkluzionin se loja e opozitës ishte asgjë më shumë se një operacion për t’u faktorizuar para të huajve dhe asgjë më shumë.
Drejtuesit e opozitës, me siguri njerëz që kanë më shumë infomacion sesa të gjithë mediat, injorojnë gjithësesi se predikimi i tyre u ndërtua mbi pritmëri objektive të një pjese të shoqeërisë që realisht mendojnë se qeveria e Edi Ramës duhet ndryshuar, pavarësisht se si është humori i administratës amerikane. Në këtë kuptim angazhimi i opozitës nuk përligji dot mesazhin e vet politik.
Së dyti, drejtuesit e opozitës injorojnë edhe një aspekt tjetër. Ata dështuan sepse e shpallën dështimin, pasi në të vërtetë, nëse beteja që zhvilluan do të rridhte nga besimi i tyre, dështim nuk pati. Rruga që zgjodhi opozita nuk është e shkurtër, ajo është e gjatë, ndaj të reduktosh një projeksion strategjik antiqeveritar në tri fjali që kërkojnë garanci ndërkombëtare për zgjedhjet dhe të autorizosh si solist të tyre Dashamir Shehin është të konfirmosh për të disatën herë propozicionin se politika do burra e burra ky vend nuk ka. Burra që mbajnë fjalën dhe ndjekin disa parime, jo burra që i vënë gjoksin topit, sepse në të vërtetë edhe topa nuk ka veçse në muze, ku edhe aty dhjesin qentë.
Ku dështoi opozita? E thjeshtë: te mënyra sesi e përkufizon veten, te mënyra si trajton historinë e vet dhe te flagranca e kompromisit me pushtetin që e ka tanimë tipar ekzistencial.
Përpara çdo gjëje, opozita ka pushtetin moral përkundrejt pushtetit që me përkufizim përfaqëson problemin. Nëse nuk e ka, ajo duhet ta fitojë. Opozita e z. Basha arriti disa fitore morale si dekriminalizimi, por ajo nuk e fitoi kurrë pushtetin moral. Arsyet dihet dhe nuk ka pse të përsëriten. Për këtë mjafton të kemi parasysh se z. Basha e përndjek përditë, në çdo dalje, dyshimi se është duke flirtuar me qeverinë e z. Rama, jo për ndonjë kuadër të ri kushtetues, por për një koncesion, një leje ndërtimi, një drejtor aty e një tender atje.
Presidenti i Republikës, i dyzuar në detyrë me tagrin e një kryetari partie që synon të zgjerohet elektoralisht, kërkoi të luante me kartën e pushtetit moral, kur u shfaq me oponencë simbolike dhe kushtetuese ndaj disa nismave dhe emërimeve të qeverisë. Vetë debati që provokoi z. Meta me disa nga dekretet e veta dhe arsyetimin e tyre ishte i shëndetshëm dhe në fakt ia hoqi qeverisë jo vetëm monopolin për vendimmarrjen, por edhe epërsinë në dukje të drejtësisë së tyre. Mirëpo z. Meta deri këtu e ka kufirin e pushtetit të vet presidencial, që duhet kuptuar si simbolik dhe jo ekzekutiv. Aktet e presidentit udhëhiqen nga prerogativat e shtetarit dhe kanë vlerë korrigjuese, jo bllokuese.
Në momentin që z. Meta iu refuzua dekreti i dytë pr zgjedhjet, ai pushoi së qeni nje president që përfaqëson së paku këtë parlament që e ka zgjedhur. Ndaj ai duhet të jepte dorëheqjen. Z. Meta, njësoj si z. Basha preferon të luajë me kartën e pushteti ekzekutiv alternativ ndaj qeverisë: i pari duke përdorur marifetet e denoncimeve gjysmake dhe premtimin për rotacion të të korruptuarve nesër në pushtet, i dyti, duke i shpallur aktet e veta si të pakundërshtueshme dhe duke luajtur trashë teatrin e dikujt që është në Presidencë si shtangisti që mburret se do thyejë rekordin e mbajtjes së peshave(shtetit, stabilitetit, kushtetutës, opozitës, PS-së).
Mirëpo qoftë në ofertën e korruptimit, qoftë në mekanizma kushtetues, në sistemin e tanishëm, qeveria nuk konkurohet, veçse në mjedisin e Fjalës, të ligjërimit. I cili që të jetë i besueshëm, pra që të kapitalizohet si instrument real pushteti, apo ta bëjë potencialisht të mundshëm pushtetin, duhet të burojë nga forca morale. Ne kemi parë sesi skandalet e qeverisë mbyllen sa nga një prokurori që hesht, një organ kriminal akuze, aq edhe nga paaftësia e qëllimshme e opozitës.
Është fatkeqësi dhe paradoks që qeveria e z. Rama preferon rrugën e gjatë, kurse opozita rrugën e shkurtër: një përgjim aty, një protestë më tej, ca akuza, kërcënime dhe me shpresën në horizont të një Pazari.
Në këto kushte të mjerimit të plotë të skenës politike nuk është çudi që z. Rama të tregohet cinik me mbarë qytetarët kur i “mburr” ata si njerëz shumë të zgjuar, të cilëve politika nuk ua hedh dot.
Sot që flasim askush nuk është në gjendje të përputhë interesin e hapur të Metës dhe Bashës për paqe dhe negociata me z. Rama dhe realitetit politik që është po ai që ishte në kohën e protestave. Rruga e përbalkjes kushtetuese dhe politike ka cakun e vet dhe ajo është e dobishme, por atë nuk e menaxhon dot një mentalitet gjobvënësish, që janë përballë një aktori me patologji të thella mosnjohjeje dhe injorance, njëherë origjinale, njëherë të shtirura.
Për z. Basha nuk ka çfarë të thuhet më, sepse ai ia ka vënë etiketën vetes, por për z. Meta disa fjalë duhen thënë. Z. Meta duhet këshilluar të heqë dorë nga shfaqjet mediatike sepse ai ato i ka pikë të dobët dhe janë jashtë formatit të një Presidenti. Ai ka një kontribut edhe në detyrën e kreut të shtetit, pasi hapi disa shina diskutimi kushtetues që meritojnë trajtim, ndonëse mund ta ketë bërë këtë nga interesa të caktuara që pak kanë të bëjnë me qytetarët e zakonshëm. Por z. Meta duhet të kthehet në kostumin e kreut të shtetit, sepse për atë paguhet.
Dhe duhet ta bëjë këtë edhe sikur ta dijë që reforma në drejtësi do sjellë prangosjen e tij. Kaq është minimumi për një njeri që ka 30 vjet në politikë, meqenëse largimin nuk e kryen dot. Kjo jo për t’i shpëtuar nderin Ilir Metës, nëse ai ka një të tillë, por Presidencës që me Kushtetutë ka ca prerogativa morale që nuk mund të shpërfillen.
Përndryshe, brenda botës së ngushtë politike, të tre këta janë identikë dhe po kërkojnë asgjë më shumë sesa rithemelimin zyrtar të Tepsisë, sepse nuk dinë dhe nuk duan një lojë të re dhe sepse mesa duket nuk kanë garanci për paratë e tyre.
Add new comment