Garë fotosh, asgjë më shumë
Ekonomi, turizëm, trashëgimi kulturore dhe plane të përbashkëta investimesh, me vullnetin e çeljes së një kapitulli të ri bashkëpunimi mes dy vendeve
Kështu njofton sot në Facebook kryeministri Edi Rama, i cili për vizitën e tij në Arabinë Saudite ka postuar 22 foto. Rama ëhstë takuar me mbretin Salman dhe zyrtarë të tjerë, duke shmangur megjithatë njeriun kyç të vendit, princin e kurorës, Mohammad bin Salman, i përfolur se ka urdhëruar vrasjen e gazetarit Jammal Khashoggi.
Mirëpo këto 22 foto janë thjesht pjesë e propagandës personale të z. Rama dhe pak kanë të bëjnë me ndonjë zhvillim me të vërtetë real. Mediat arabe njoftojnë se në fakt janë nënshkuar vetëm dy marrëveshje dhe një Memorandum Mirëkuptimi për turizmin. Një ndër marrëveshjet është shmangia e taksimit të dyfishtë, kurse tjetra është për shërbimet ajrore. A duhen 22 foto për këto marrëveshje? Me siguri që jo, por z. Rama është kujdesur që të shpërndajë në media titullin se me Arabinë Saudite do të nisë një kapitull i ri. Arsyen mund ta kuptojmë te një tjetër lodër mediatike të paradites, kur Presidenti i vendit Ilir Meta, shpërndau një foto celulari me sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo. Në njoftimin e Presidentit thuhet se:
Presidenti Meta u takua me Sekretarin e Departamentit të Shtetit, Mike Pompeo me të cilin bisedoi për partneritetin strategjik mes dy vendeve, sfidave të përbashkëta globale dhe veçanërisht për rolin e pazëvendësueshëm të SHBA-së për forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit
Është e çuditshme sesi këto biseda janë bërë në korridore, aq sa edhe shërbimi fotografik nuk ka mundur të bëjë ndonjë foto për të qenë.
Është e njëjta përpjekje për të gënjyer shqiptarët se këta që drejtojnë vendin dikush i begenis me të vërtetë jashtë, ndërkohë që marrëdhëniet maten me rezultate dhe jo me foto. Koha e lojës me foto jo vetëm ka kaluar, por po bëhet kundërproduktive, pasi në 28 vjet, në Shtëpinë e Bardhë ka patur vetëm një vizitë të organizuar posaçërisht dhe kjo ka qenë para vitit 1997. Të tjerat janë spërdredhje mediatike pa kuptim të cilat kanë dëmtuar më shumë sesa kanë sjellë ndonjë gjë thelbësore.
Add new comment