Basha thirrje bankave: Mos financoni! Do i hetojmë dhe anullojmë PPP-të
Kryetari i Partisë Demokratike Lulëzim Basha ka përsëritur sërish sot paralajmërimin e tij se çdo kontratë e partneritetit publik – privat do të shfuqizohet. Në një takim me shoqatat e biznesit, Basha u ka bërë thirrje bankave që të mos financojnë kontrata të këtilla sepse ato do të jenë subjekt i ligjit antimafia të cilin PD-ja e ka premtuar se do të miratohet edhe për të fuqizuar sekuestrimin e pasurive që janë të paligjshme.
Partia Demokratike ka shpallur një platformë të qartë e të plotë për shkatërrimin e sistemit oligarkik të Edi Ramës dhe shpurës së tij. Asnjë kontratë, leje a licencë e fituar në mënyrë abuzive nuk do të mbetet në fuqi. Çdo pasuri e vënë abuzivisht do të hetohet me barrën e provës të ligjshmërisë mbi oligarkët e nëse gjendet në keqbërje ndaj popullit e vendit, do të konfiskohet. Kemi sinjale që 1,5 miliardë dollarë kontrata korruptive do të hidhen në treg këtë vit. E paralajmëroj sistemin bankar dhe institucionet financiare të mos bëhet pjesë e kësaj piramide nëse nuk duan që kjo piramidë t’i marrë me vete
tha ai.
Thirrja e Bashës për sistemin bankar ka rëndësi edhe për faktin se bankat e nivelit të dytë kanë qenë indiferente dhe pak kanë financuar kontrata PPP, çka solli edhe reagimin e ish-ministrit të Financave, Arben Ahmetaj që pak para se të largohej nga detyra kritikoi sistemin për pasivitet. Projekti kryesor që do të kërkonte bashkëpunimin e bankave është projketi “1 miliardë për rindërtim” i goditur së fundmi për shkak të skandalit të unazës së madhe dhe anullimit për këtë shkak të kontratës së rrugës Thumanë-Kashar.
Add new comment