Thellohet hendeku i PD-së me ambasadën amerikane
Partia Demokratike informoi këtë të mërkurë mbi një takim të kryetarit të saj Basha me ambasadorin amerikan në Tiranë, Donald Lu. Deklarata nuk lë vend për hamendësime, të paktën sa i takon qëndrimeve që do të mbajë PD në vijim. Hendeku mes palëve duket se është zmadhuar sidomos pas qëndrimeve që ambasada amerikane mbajti pas seancës së tensionuar për zgjedhjen e kryeprokurores së përkohëshme. Në deklaratë shprehen hapur rezervat për ambasadorin LU, që sipas Partisë Demokratike nuk u shërben as interesave të shqiptarëve dhe as të qeverisë amerikane.
Kryetari Basha theksoi se interesat e shqiptarëve dhe të SHBA shërbehen vetëm duke dënuar kthimin e Shqipërisë në një vend të drogës dhe krimit, duke mos toleruar lidhjet e qeveritarëve me drogën dhe krimin dhe duke kërkuar nxjerrjen para drejtësisë të tyre. Kryetari i Partisë Demokratike i shprehu ambasadorit amerikan qëndrimin e pandryshueshëm të PD për të bërë të gjitha përpjekjet që vendi t’i rikthehet kushtetueshmërisë dhe politikanët e lidhur me krimin, nga Saimir Tahiri tek Vangjush Dako, të përfundojnë para drejtësisë. Asnjë kompromis dhe asnjë interes pragmatik politik nuk do ta ndryshojë këtë qëndrim
Add new comment