Zbardhet axhenda e vizitës së Erdogan në Greqi
Rexhep Taip Erdogan do të jetë në Greqi më 7 dhe 8 dhjetor me ftesë të Presidentit grek, Prokopis Pavlopulos. Presidenti turk do të takohet me udhëheqjen politike të vendit dhe do të vizitojë zonën e Trakës ku jeton një minoritet fetar i besimit islam. Për palën greke dialogu me fqinjët është i rëndësishëm, sidomos në një kohë të vështirë për marrëdhëniet midis dy vendeve.
Në këtë moment kur marrëdhëniet gjermano-turke janë në nivelet më të ulëta dhe kur vërehen tensione në marrëdhëniet amerikano-turke që lidhen me zhvillimet në Siri, Greqisë e sheh me prioritet rritjen e kanaleve të komunikimit me palën turke.
Gazeta To Vima duke iu referuar burimeve thotë se diskutimi mes dy palëve do të adresojë çështje kritike, veçanërisht ato të cilat herë pas here çojnë në tensione mes dy vendeve dhe prekin zhvillimet më të gjera rajonale. Migrimi, siguria në rajon, bashkëpunimi ekonomik, duke u fokusuar te projektet e mëdha që tashmë janë të njohura, marrëdhëniet mes BE-së dhe Turqisë si dhe zhvillimet rajonale janë temat e përfshira në agjendën e diskutimeve të dy udhëheqësve.
Add new comment