Ambicia e Google për të marrë drejtimin e qyteteve

Postuar në 26 Tetor, 2017 15:48
Jathan Sadowski - Lektor në Delft University of Technology/Hollandë

Alphabet, kompania nënë e Google, nuk vuan nga mungesa e ambicies. Filialet e saj po trajtojnë çështje që variojnë që nga automjetet autonome te shtëpitë inteligjente, inteligjenca artificiale te bioteknologjia për zgjatjen e jetës. Kështu që nuk ka pse të jetë surprizë që Alphabet ka vendosur të planifikojë, ndërtojë dhe drejtojë një qytet – ose një pjesë të një qyteti. Supriza këtu është se një qytet i madh po i  jep me gëzim Alphabet një lagje të nivelit të parë, të cilën kompania mund ta konsiderojë të vetën.

Projekti i njoftuar javën e kaluar është një bashkëpunim mes Sidewalk Labs, një filial i Alphabet i orientuar drejt teknologjisë urbane, dhe Torontos. Sidewalk Labs do të ketë të drejtë që të rizhvillojë vijën bregdetare të qytetit, një zonë të quajtur Quayside. Sipas raportimeve, kjo nismë përfshin më shumë se 30 ha të hapësirës rezidenciale, asaj për zyra dhe hapësirës tregëtare, bashkë me një seli qendrore të Google Canada, në një zonë që do të jetë test për kombinimin e teknologjisë dhe urbanizimit.

Me marrjen e këtij distrikti, Alphabet do të ketë në posedim “laboratorin e tij urban të gjallë” ku mund të eksperimentojë me sisteme të reja inteligjente dhe teknika planifikuese. Mund të studiojë sesi këto sisteme dhe teknika funksionojnë në botën reale dhe sesi njerëzit afektohen prej tyre. 

Laboratorët urbanë janë në modë tani. Ka shembuj të qyteteve të ndryshëm në botë, që shpesh në partneritet me kompanitë, zhvillojnë apo e konsiderojnë një distrikt si bankoprovë për teknologjitë, si p.sh makinat autonome. Në të vërtetë ky nuk është projekti i parë për Sidewalk Labs, pasi kompania është angazhuar në rizhvillimin e Hudson Yards në New York.

Por nëse zhvillimi i Torontos shkon siç është planifikuar, do të jetë një ndër shembujt më të mëdhenj të një projekti për një qytet me shërbime në bazë hi tech(smart city) në Amerikën e Veriut. Që është: një vend i ndërtuar mbi bazë teknologjish automatike në rrjet. Në këtë nismë luhet një gjë e madhe – jo vetëm për Toronton dhe Alphabet por për qytetet në mbarë botën. Me një projekt të nivelit të lartë si ky, marrëveshjet dhe dhe termat e aplikuar në këtë rast, mund të bëhen model për raste të tjera në qytete të tjera në botë. 

Kryebashkiakët dhe drejtuesit e kompanive teknologjike i ngrenë në qiell laboratorët urbanë si zona të një inovacioni transformues dhe rritjeje ekonomike. Gjithësesi, ky model i krijimit të së ardhmes sonë urbane është gjithashtu një mënyrë tinzare që koorporatat e vetëqeverisura, të etura për pushtet të marrin më shumë kontroll – mbi njerëzit, vendet, politikat.

Eric Schmidt tha me rastin e njoftimit të projektit: “Zanafilla e mendimit për Sidewalk Labs erdhi nga themeluesit e Google, entuziastë të idesë se çfarë gjërash mund të bëhen nëse dikush do të na jepte ne një qytet dhe do të na ngarkonte me drejtimin e tij”.

Sikur të ishte thjesht dhe vetëm ambicie, nuk do të ishte mëkat, por dëshira si këto duhet të nxisin dyshime dhe jo festime. Në një erë të konkurencës intensive mes qyteteve për burime, shumë prej tyre janë përqendruar në ruajtjen e një rritjeje ekonomike konstante, të ardhurave të mëdha dhe në partneritetin publik-privat. Kjo ka shndërruar drejtuesit e qyteteve që harxhojnë përherë e më shumë energji duke u vardisur ndaj sektorit të teknologjisë, mjedis investimesh dhe inovacioni.

Ata joshin kompanitë duke ofruar përfitime si rregullore më të zbutura dhe taksa më të ulëta. Ata krijojnë “ekosisteme të inovacionit”, si forume programuesish, inkubatorë apo hapësira bashkëpunimi, synimi i të cilave është tërheqja e programistëve dhe kapitalistëve me iniciativë. Distriktet digjitale, si ai që po zhvillohet nga Sidewalk Labs, janë version i një niveli tjetër i këtyre karremeve që përdoren aktualisht.

Pse të mjaftohesh me çlirim nga taksat apo kampet e kodimit kur mund të pretendosh një lagje të tërë? Vetë qyteti është kthyer në një tjetër platformë në të cilën Silicon Valley mund të ndërtojë dhe testojë teknologjitë e reja ndërkohë që nxjerr më shumë përfitime dhe rrit ndikimin e vet. Është e lehtë për drejtuesit e qyteteve që të hiqen mënjanë dhe t’u hapin rrugën teknokratëve dhe korporatave që të marrin kontrollin sikur këta të jenë alkimistët që mund të shndërrojnë problemet sociale dhe ato të stanjacionit ekonomik në progres dhe rritje.

Por qytetet nuk janë makina që mund të opimiziohen, as nuk janë laboratorët e tyre ku mund të bëhen eksperimente. Qytetet nuk janë platforma me përdorues, njësoj sikundër nuk janë biznese me aksionerë. Qytetet janë vende me njerëz të vërtetë që kanë të drejtë të refuzojnë të jetojnë me çfarëdo “zgjedhje të zgjuar” që një inxhinier apo drejtues ekzekutiv vendos të vërë në zbatim. Këto partneritete nuk mund të jenë një mënyrë që përdoret nga qeveritë e qyteteve që të heqin dorë nga përgjegjësia ndaj qytetarëve duke dorëzuar(pjesë) qytetin korporatave. Askush nuk e ka zgjedhur Alphabet apo Uber, apo ndonjë kompani tjetër me synimet drejt privatizimit të qeverisjes së qytetit.

Kur Sidewalk Labs u zgjodh për zhvillimin e Quayside, Schmidt reagoi: “Tani është radha jonë”. Një thirrje entuziaste për të dhe ogurzezë për ne.

Nuk ka dyshim se laboratorët urbanë mund të ndihmojnë në projektimin e teknologjive të fuqishme dhe të dobishme. Por ndërtimi i të ardhmes urbane mbi hi tech nuk mundet gjithashtu që të shtrojë rrugën për miliardertë e kompanive teknologjike për përmbushjen e ëndrrave të tyre për të sunduar mbi qytetet. Nëse kjo ndodh, atëhëre kjo nuk është e ardhmja ku do të donim të jetonim.

Burimi: The Guardian(https://www.theguardian.com/commentisfree/2017/oct/24/google-alphabet-si...)

Përkthimi nga ResPublica

Titulli është i ResPublica

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.