Nëse zgjedhjet i bleu krimi dhe pushteti, atëherë Marrëveshja e 18 majit bie
Fjalimi i Lulzim Bashës dje në mbrëmje ishte një kombinim i njohjes së humbjes, përgjegjësisë për të dhe manovrës për të mbajtur një rrugëdalje drejt rikonfirmimit në drejtimin e partisë. Fjalimi erdhi siç u tha pas një takimi me ish-kryetarin Sali Berisha, i cili deri më tani nuk është prononcuar për këto që kanë ndodhur. Vlen të kujtojmë këtu se intervista e fundit e Sali Berishës përpara zgjedhjes vuri në vëmendje edhe sjelljen e Bashës pas një humbjeje hipotetike dhe sipas ish – kryeministrit, akti i tij i dorëheqjes në vitin 2013, nuk ka pse të shihet si model. Ndërkohë që dorëheqja është Standard.
Duket pra se Berisha nuk po e braktis Bashën, i cili sot është nevojtar në një parti ku duket qartë se një pjesë nuk e duan dhe madje e shohin si pengesë. Ngrirja e funksioneve të kryetarit është një lëvizje taktike pa kuptim, pasi Lulzim Basha po hyn në garën për kryetar në një fushatë që do të organizohet nga njerëzit e tij, dy nënkryetarët dhe sekretari i Përgjithshëm. Të kujtojmë këtu se zgjedhjet e fundit në PD u sulmuan si të pandershme nga ish-rivali i Bashës, Sokol Olldashi.
Kur vjen puna te qëndrimet politike, duhet të veçojmë një moment të cilit z. Basha i iku ndoshta qëllimisht. Ndër të tjera ai tha:
“Ajo që ndodhi në zgjedhjet e 25 qershorit, është triumf i paligjshmërisë. Me të vërtetë, unë dhe Partia Demokratike morëm një rezultat zhgënjyes. Por ndonëse sic e dimë të gjithë, shumë shqiptarë kanë qenë nën ofertë për ta këmbyer votën e tyre me para, megjithatë mbi 450 mijë qytetarë refuzuan, vendosën të ecin përpara me dinjitet, duke besuar në vlera e parime qytetare dhe europiane drejt të cilave ne aspirojmë të shkojmë”.
Z. Basha akuzon këtu kryeminstrin dhe pushtetin për blerje votash, përdorim të krimit të organizuar, por pa ngritur zërin për këtë gjë. Dhe çka ka më shumë rëndësi: pa deklaruar fundin e marrëveshjes së 18 majit. Z. Bash aka detyrimin të distancohet nga ky pushtet të cilin sot e shpall mbrojtës të krimit, në mënyrë që të mos suprizojë sërish nesër me pabesinë karakteristike, kur të shtrëngojë sërish duart nën okelion e trahananë patriotike të cilën e gatuan çdo mëngjes me amarcordet e veta kryeministri. Nëse kemi një palë zgjedhje të inkriminuara dhe të blera dhe nëse vërtet z. Basha është ai që deklaron dhe fiton garën për kryetar të PD-së, atëherë vendit i duhet një marrëveshje e re, që duhet shkruar me transparencë. Një dokument parlamentar dhe jo një shkresë që del nga xhepi i Edi Ramës dhe ndonjë diplomati.
Add new comment