Që PD-së mos t'i vijë keq për veten nesër...
Dy lajme të përcjella dje dhe sot i japin protestës së PD-së një profil politik real.
Së pari është darka mes kryeministrit Edi Rama dhe kryeparlamentarit Ilir Meta. Në çdo rast darka mes tyre, e raportuar si një mundësi kontakti për protestën, na thotë se lëvizja e PD-së ka provokuar zhvillime politike. Është e kotë të ngresh hamendësime për oreksin e Metës dhe dietën e Ramës, por fakt është se një arritje e protestës është se ajo, pavarësisht se po synohet të vihet në lojë, ka nxjerrë në pah tensionin dhe diferencat në koalicionin qeverisës.
Nga ana tjetër, diskutimi i protestës mes dy aleatëve në qeverisje na flet për faktin se të paktën kryeministri nuk konsideron në analizën e vet se ka një krizë me të cilën duhet të merret, sa kohë nuk i rrezikohen numrat. Dhe ky është një mesazh që PD-ja duhet ta marrë e ta analizojë. Në këto kushte opozitës i nevojitet energjitizim i protestës dhe përshkallëzim i saj në funksion të rritjes së peshës dhe imponimit në tryezë si faktor me të cilin duhet diskutuar.
Lajmi I dytë është një deklarim i Fleckenstein dhe i komisonerit Hahn për nevojën e kthimit në Parlament. Ky është një presion pasiv, që vjen nga standardi diplomatik, por nëse kujtojmë, gjëra të tilla dëgjonim edhe kur PS-ja hynte në grevë urie.
PD-së pra I shtrohen dy çështje për zgjidhje të cilat është e qartë se nuk i zgjidh dot Lulzim Basha. Ky është problem më vete. Por nëse komisionerit Hahn I vjen keq për bojkotin e parlamentit, PD-ja bën mirë të mbahet në protestë në mënyrë që të mos i vijë keq për veten nesër. Kjo është fare elementare për t’u kuptuar, njësoj sikundër qysh nga sot, Ilir Meta del gradualisht si pjesë thelbësore e ekuacionit.
Add new comment