Bushati: “Ambasadorja greke, e pafamiljarizuar me dosjen shqiptaro-greke. Ligji i luftës(të cilin Soruani nuk e përmendi fare), origjina e problemeve”
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, ka folur dje gjatë një interviste në “Zëri i Amerikës” edhe për deklaratat e ambasadores së re të Greqisë në Tiranë, Eleni Soruani. Kjo e fundit gjatë një interviste për “Albanian Daily Neës” rrëzoi praktikisht të gjitha pikat e përafruara mes palëve gjatë dy vitet e fundit(http://www.respublica.al/2016/09/20/ambasadorja-greke-n%C3%AB-tiran%C3%AB-kufiri-detar-%C3%A7%C3%ABshtje-e-zgjidhur-q%C3%AB-n%C3%AB-vitin-2009-%C3%A7am%C3%ABt-e).
Bushati ka cilësuar se ajo që ka thënë Eleni Sourani vjen si pasojë e mosnjohjes prej saj të dosjes së marrëdhënieve mes të dyja vendeve ndërkohë që ka fyer hapur ambasadoren e Greqisë, kur i ka bërë thirrje medias shqiptare të mos e marrin shumë seriozisht.
“Ka të paktën dy vjet e gjysmë që ne kemi hapur disa kantiere pune me Greqinë duke vendosur mbi tryezë të gjitha çështjet që mbeten të hapura dhe baza, apo origjina e të gjitha këtyre çështjeve buron nga ligji famëkeq i luftës, që është ende në fuqi nga ana e Greqisë përkundrejt Shqipërisë.
Ne i kemi kategorizuar çështjet e hapura në 3 blloqe; 1.çështje të së shkuarës së largët apo të historisë, që datojnë nga Lufta e Dytë Botëtore 2. çështje të aktualitetit me ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve si dhe 3. çështje që kërkojnë njëlloj parashikueshmërie, që kanë interes strategjik për Shqipërinë dhe Greqinë.
Nuk është në natyrën e një ministri të jashtëm dhe as në natyrën time që të komentoj qëndrime të caktuara të ambasadorëve të akredituar në Shqipëri, por mbase është momenti për t’i bërë thirrje edhe kolegëve në media, që kanë shkruar për këtë temë, që të tregohemi paksa më dashamirës me një ambasadore të re në detyrë, që ndoshta do të kërkojë kohën e vet për t’u familjarizuar me dosjen e marrëdhënieve shqiptaro-greke”, deklaroi Bushati.
Përveç termit “kantiere pune”, që ngjan krejt i pavend, apeli gati arrogant i ministrit sikur nuk përputhet shumë me karrierën e Sourani. Në intervistën e saj për “ADN”, Soruani thotë se ka 32 vjet në shërbimin diplomatik dhe ajo ka ndjekur të gjitha hapat e karrierës që nga konsulle, konsulle e përgjithshme e deri tek ambasadore në Danimarkë. Thënë kjo ngjan pak e vështirë për t’u besuar se deklaratat e Souranit të jenë thjesht lapsus siç thotë Bushati, që kërkon me këtë rast ndoshta një përgjigje nga homologu i tij në Athinë. Nëse Kotzias përsërit tezat e Souranit, atëherë kantieret e punës për të cilat flet Bushati ndoshta do të mbëeten bosh. Ambasadorja mundet të ketë bërë edhe lapsuse, por heshtja e plotë mbi Ligjin e Luftës të cilin Bushati e përmend si burim problemesh, nuk ngjan i tillë.
Comments
Minister i deshtuar
Cilat janë arritjet e Ditemirit në 3 vite?
Dështim total me çështjet e BE-së, afrime-largime të dështuara me Turqinë, Gjermaninë, Serbinë, Greqinë dhe të gjithë faktorët ndërkombëtarë.
Arrogancë pa vend e kuvend duke krijuar një klimë mburacake, arrogante që nga Kuvendi, Presidenti dhe ambasadorët, më shumë për ti pëlqyer dy bosave të tij sesa për punë reale.
Surani dhe cdo Surani që është diplomat kariere nuk flet kurrë kot dhe Greqia nuk është ndonjë faktor koti në arenën ndërkombëtare na pëlqen apo jo.
Add new comment