Mostransmetimi i ndeshjes Shqipëri – Marok, RTSh aludon për përgjegjësi të FShF-së

Postuar në 01 Shtator, 2016 19:01

Radiotelevizioni Shqiptar ka reaguar sot për të sqaruar se përse nuk u transmetua ndeshja miqësore Shqipëri – Marok, zhvilluar në stadiumin e Shkodrës, “Loro Boriçi”.

Sipas Departamentit të Sportit të RTSH-së, mostransmetimi i ndeshjes ka ardhur për shkak se kompania përkatëse nuk ka shpallur procedurat tenderuese dhe nuk i ka kthyer përgjigje ofertës së RTSh-së. Dhe këtu del në skenë roli i FShF-së, drejtuesi i së cilës, Armando Duka, u shfaq krah kryeministrit Edi Rama dje në Shkodër.

“...Sqarojmë se kjo ndeshje jo zyrtare nuk i është ofruar fare RTSH-së. Institucioni ynë është interesuar qysh ditën që është shpallur kjo ndeshje miqësore tek kompania që gëzonte të drejtat televizive, por ende sot e kësaj dite nuk kemi një përgjigje zyrtare për ofertën e dërguar nga RTSH.

Pavarësisht çdo çmimi, RTSH siguron se do të blejë çdo të drejtë të çdo ndeshjeje të Kombëtares, sikurse ka bërë me kualifikueset e Botërorit, por kur kjo behet në rruge zyrtare, ligjore, me procedura të rregullta tenderimi, për sa kohe që nën presionin e interesave, ligji që i jepte me parë të drejtën automatike RTSH-së, të transmetonte ndeshjet e Kombëtares, është amenduar. Ju sigurojmë, që nuk jemi dhe nuk do të bëhemi pjesë e pazareve të tavolinave që bëhen nga sekserë të ndryshëm. RTSH-së nuk i ka ardhur asnjë ofertë zyrtare, nga asnjë institucion apo kompani në lidhje me këtë miqësore. Lajmet dhe shifrat që qarkullojnë janë të pavërteta dhe me një qëllim dashakeq.
Ka ikur ajo kohë kur ky institucion ka blerë të drejtat televizive nga sekserë që duan të pasurohen, ose të nxjerrin shpenzimet e tyre, nëpërmjet shitjes “dorë më dorë” të Kombëtares dhe të drejtave televizive të saj. RTSH edhe këtë radhë ka ndjekur çdo procedurë, duke u interesuar direkt tek kompania që “gëzonte” këto të drejta dhe nuk është faji i institucionit tonë, që kjo kompani, pa patur asnjë masë detyruese nga FSHF-ja (për ta transmetuar të paktën në një kanal pa pagesë Kombëtaren), as nuk shpall tender të drejtash televizive dhe as nuk e konsideron fare kërkesën e RTSH-së”, thuhet ndër të tjera në reagim.

Ndoshta përgjegjësia do kërkuar edhe te FSHF-ja, te kjo principatë e Armando Dukës, miku rishtar i kryeministrit. E me siguri që edhe ky i fundit e ka ditur një gjë të tillë dhe vepron fare thjesht: mban miqësinë e Dukës kundrejt anashkalimit të transmetimit të ndeshjes nga RTSh. Kuptohet këtu favorizohen edhe sekserët siç na thotë RTSh e që nuk është vështirë të kuptohet kush janë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.