“Të gjithë” kundër vetingut në dorë të të huajve. Përveç kryeministrit
Kryeministri Edi Rama mbetet thuajse vetëm në idenë e tij për vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit. Përpos shumë zërave që dolën hapur sot, edhe Koço Kokëdhima, ish-deputet dhe njeri që pretendon se ka influencë mbi një apo dy deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, ka folur sot përmes një editoriali të firmosur nga Genc Burimi.
“Si në një roman të Kadaresë, pyes deputetin Taulant Balla, i cili rrihte gjoksin kur ishte në opozitë se kishte male me prova kundra “Kupolës” apo “Familjes” berishisto-siçiliane: “ku i keni gjeneral?” Askush nuk e pengon qeverinë të kopsisë në çdo ministri dosje me aktakuza mbi administratën paraardhëse. Vetëm në ministrinë e transporteve ku është xhiruar në një grusht vitesh dhe nga një grusht njerëzish buxheti i gjithë historisë së Shqipërisë për ndërtimin e rrugëve dhe autostradave, sa mori kundravajtjesh për të mos thënë krimesh financiare mund të ishin denoncuar deri më sot po të kishte dashur kjo qeveri ? Kush e ka penguar qeverinë ta hapë gojën? Vonesa në reformën në drejtësi? Po për koncesionet e kaluara e të mallkuara, a ka bërë gati ndonjë dosje kjo qeveri që s’rreshti së denoncuari koncesionet kur ishte në opozitë”, shkruan Burimi. Më tej edhe opsioni i vetingut në dorë të të huajve shihet i pavend.
“Në rastin tonë, reforma fut një lloj “ufo” në Kushtetutë me emrin “Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit”. Nje strukturë e paparë në çdo Kushtetutë tjetër të një vendi normal. Mendoni sikur Misioni i huaj të mbushet nesër me ndërkombëtarë me shumicë nga kufijtë jugorë të vendit, të cilët, historikisht e deri tek Marrëveshja e fundit e Detit, nuk janë shquar për qëllime shumë dashamirëse ndaj Shqipërisë dhe Shqiptarëve. Nëse duan SHBA-të, apo BE-ja që Shqipëria të bëhet protektorat i tyre, në kuptimin e mire të fjalës, siç u bë me Euleksin në Kosovë (me “suksesin” që dihet) le të shkruhet një kontratë e qartë aprovuar nga parlamenti i palës së huaj. Si mundet që një strukturë e huaj e paidentifikuar të vendosë edhe për Gjyktatën tonë kushtetuese, garante e pavarësisë së vendit? Nëse një ditë zhgënjehemi me “Operacionin ndërkombëtar”, kujt do t’i kërkojmë llogari, z. Lu dhe znj. Vlahutin që do të na kenë lënë shëndenë me kohë? Ja për çfarë do të votojnë deputetët”, thotë Burimi. Sa mundet ky qëndrim të paralajmërojë një apo dy vota kundër, nëse do të ecet me këtë draft? Mbetet për t’u parë.
http://www.shekulli.com.al/p.php?id=460723&jo-nderhyrjes-se-nderkombetar...
Add new comment