Me "tempin" e Guvernatorit
Ndonëse e pakuptimtë pse guvernatori del në orën 4 për konferencën e përmuajshme mbi analizën e treguesve financiarë në vend, kur në Shqipëri nuk ka bursë dhe fjala e tij nuk ka asnjë efekt në tregun e brendshëm financiar, Genti Sejko kreu raportimin periodik për të na siguruar se BREXIT nuk do të ndikojë në ekonominë shqiptare.
"Ekspozimi jonë tregtar me Mbretërinë e Bashkuar, në formën e eksporteve dhe importeve, është pothuaj i papërfillshëm. Po kështu, investimet direkte apo financiare të origjinuara nga Mbretëria e Bashkuar në Shqipëri janë të ulëta, ndërsa remitancat prej saj përbëjnë diçka më shumë se 10% të remitancave totale"-theksoi guvernatori.
Praktikisht një shqetësim i tillë nuk ekzistonte edhe pse guvernatorit iu duk se na lehtësoi nga një barrë që realisht është irreale. Për t'u kthyer te situata ekonomike guvernatori na nxori statistikisht brenda objektivit, duke folur për një "temp" (ku e gjeti këtë fjalë) me luhatje që ka nevojë për rritje të kreditimit dhe investimeve publike. "Në përputhje me projeksionet buxhetore, ne presim rritjen e tempit të shpenzimeve publike dhe ngadalësimin e tempit të konsolidimit fiskal gjatë gjysmës së dytë të vitit"- u shpreh guvernatori.
"Fshati që duket s'do kallauz" dhe raportimet e guvernatorit nuk përbëjnë lajm në një vend si Shqipëria ku siç thotë guvernatori "ecuria e dobët ekonomike e partnerëve tanë tregtarë, rënia e çmimit të disa prej produkteve tona tradicionale të eksportit, si dhe fatura e lartë e importit që kanë disa prej investimeve të huaja direkte në Shqipëri, kanë sjellë një zgjerim me 26.3% të deficitit tregtar gjatë pesë muajve të parë të vitit. Në gjykimin e Bankës së Shqipërisë, kjo tablo do të ruhet edhe në gjashtëmujorin e dytë, dhe shkëmbimet tregtare me jashtë nuk do të mbështesin rritjen ekonomike gjatë vitit 2016".
Një raport financiar që s'ka nevojë për kosto të mëdha financiare që të prodhohet, nga një Bankë Qendrore që funksionon si zyrë statistikash me korrigjime të vogla nga muaji në muaj dhe kompesime nga buxheti në raste vjedhjes si ajo e 7 milionë dollarëve në kohën e mjeshtrit Fullani.
Add new comment